Gjermania ka nevojë në dekadat e ardhshme për më shumë emigrantë nga vendet jashtë Bashkimit Evropian (BE).
Në një studim të botuar nga Fondacioni i njohur gjerman Bertelsmann thuhet se fluksi i tanishëm i lartë i njerëzve nga vendet e BE nuk do të mund të qëndrojë për kohë të gjatë, transmeton Gazeta Blic.
Deri në vitin 2050, Gjermanisë do t’i duhen mesatarisht 276.000 deri 491.000 emigrantë në vit nga vendet jo anëtare të BE-së, në mënyrë që të sigurohen nivelet lokale ekonomike dhe të prosperitetit në shtetin më të fuqishëm të BE-së.
Në funksion të kësaj Drejtori i Fondacionit Jörg Drager bëri thirrje për një ligj të ri të emigracionit për Bundesrepublik-ën. Studimi pohon se pa emigracion, numri i njerëzve në moshë pune do të bjerë nën 29 milionë nga 2050 prej rreth 45 milionë sa janë sot.
“Ky boshllëk nuk mund të përmbyllet pa emigracion”, thonë autorët e studimit.