BE nuk i ka punët mirë: Brexit, nacionalizmi, refugjatët – të gjitha këto po e përçajnë unionin. Presidenti i Lëvizjes Europiane në Gjermani, Ranier Wend shikon një BE në krizë, por edhe shanse.
Zoti Wend, kryeministrja britanike, Theresa May po kërkon shanset për një marrëveshje të re tregtare me SHBA nën presidentin Donald Trump. A përbën kursi i ri britaniko-amerikan një rrezik për BE?
Rainer Wend: Një lidhje e veçantë mes dy vendeve ekziston prej kohësh, dhe ka arsye historike. Mendoj, se nuk duhet të vështrojmë me frikë, se çfarë lidhjesh të reja po krijohen aty. Duhet të kthejmë sytë tek vetja, tek Europa, duhet të shohim gjithçka me vetëbesim. Forca jonë nuk varet nga ajo, se si sillen të tjerët, por se si ne veprojmë ndaj njëri-tjetrit.
E saktë, por duket se ka kaq shumë probleme tani në BE. Britania e Madhe do të braktisë unionin, lëvizjet nacionaliste janë në rritje e sipër, ndoshta me sukses në Francë apo Holandë. BE është në situatën më të keqe në historinë e saj. A qëndron kjo?
Kam frikë, se tek këtu ka diçka të vërtetë. Po të shohësh Le Pen në Francë, Wilders në Holandë, apo Poloninë e Hungarinë, sigurisht nuk biem dot në eufori. Por ajo që më bën optimist është se në Gjermani shumica e njerëzve ende i mbetet besnike idesë së Bashkimit Europian. Kemi një konsesus të gjerë shoqëror, që i thotë Po idesë europiane. Gjermania mbetet shtylla e Europës.
Shumica e gjermanëve mendojnë si proeuropianë. Por edhe në Gjermani janë rritur tonet nacionaliste. Sa rrezik ka që në Gjermani të dështojë muri mbrojtës ndaj skeptikëve të BE-së.
Po të shohësh se çfarë ofron “Alternativa për Gjermaninë”, si nga ana e personelit ashtu edhe e përmbajtjes, atëherë unë them, se varet nga demokratët që të paraqitemi me vetëbesim dhe të bashkuar kundër populizmit dhe ekstremizmit të djathtë të kësaj partie.
Në 60 vitet e fundit tandemi francezo-gjerman shërbeu si motor për bashkësinë europiane, sidomos në kohë të vështira. Edhe tani kur presidenti Hollande takohet me Merkelin kemi kohë të vështira. Çfarë sinjali mund të kuptohet nga këto takime?
Kemi nevojë për sinjalin, se pa lidhjen e ngushtë Gjermani Francë, BE nuk do të funksionojë. Prandaj nga ana simbolike është shumë e rëndësishme, që të dyja palët takohen në situata të tilla. Por mund të apeloj tek të dyja palët: Tregoni më shumë vetëbesim, dhe jo një qëndrim të devotshëm ndaj Trumpit e Britanisë së Madhe. Nuk mund të kërkosh të marrësh më të mirat e ta braktisësh BE-në.
Çfarë mund të bëjnë institucionet europianë për të bashkuar sërish Europën?
Po, ato mund ta bëjnë këtë duke lënë mënjanë disa gjëra. Kur unë lexoj në gazetë, se Komisioni Europian do të vendosë me ligj, se çfarë lapsash duhet të përdorin fëmijët në shkolla, atëherë mund të them: Disa burokratë në BE nuk e kanë dëgjuar ende të shtënën. Nuk e kanë kuptuar, se nuk mund të merren me mikro-menaxhim, por të përqëndrohen tek çështjet kardinale. Tjetra që është e rëndësishme për mua. Duhet të shohim se çfarë arritëm me politikën e kursimit vitet e fundit. Sidomos në jugun europian ka mungesë perspektive. Prandaj duhet ta pyesim veten, nëse ky kurs ishte kursi i duhur.
Do të ndikojë stili politik i Donald Trump tek ata që duan ta përçajnë Europën?
Sigurisht mund të jetë një inkurajim për Le Penët e Orbanët e Europës. Por edhe një stimulim për forcat demokratike, pro-europiane që të kenë sërish guxim për të dalë nga situata e vetëm administrimit të Europës e me të gjithë forcën t’i kushtohen një politike të përbashkët europiane. Aty ku njerëzit e ndjejnë se kanë avantazhe, në aspektin social, atë të drejtave të njeriut, vlerat. Krahas partive politike, duhet të ngrihet e gjithë shoqëria, vetëm atëherë nga kjo krizë do të dalë një një shans i madh.
Rainer Wend është nga viti 2002 President i Lëvizjes Europiane për Gjermaninë, (EBD), një rrjet i gjerë për politikën europiane në Gjermani, me përqëndrimin e 246 shoqatave nga shoqëria dhe ekonomia.