ShBA e gatshme të pranojë refugjatë që ikin nga lufta

Shtetet e Bashkuara u zotuan të mërkurën se do të pranojnë një numër më të madh refugjatësh që përpiqen t’i shpëtojnë luftërave në Siri dhe gjetiu, edhe pse Europa bëri të njohur një plan kuotash të detyrueshme për vendet europiane, që ata të marrin nga 160 mijë emigrantë.

Pas takimit me ligjvënësit në Kongres, Sekretari i Shtetit John Kerry tha:

“Jemi duke shqyrtuar me kujdes shifrën e refugjatëve të cilët mund t’i marrim, në kushtet e krizës në Siri dhe në Europë. Kjo mundësi është duke u shqyrtuar”.

Shefi i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker i bëri thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Europian të pranojnë një numër më të madh refugjatësh në dy vitet e ardhshme, por ai po ndesh me kundërshtimin e vendeve që e kundërshtojnë sistemin e kuotës.

“Europa ku unë dua të jetoj ilustrohet më së miri nga ata që janë duke ndihmuar”, i tha zoti Juncker Parliamentit European. “Europa ku nuk do të doja të jetoja është një vend që refuzon të ndihmojë njerëzit në nevojë”.

Por qeveritë e Çekisë dhe Sllovakisë i qëndruan kundërshtimit të tyre ndaj kuotave, për të cilat zoti Juncker tha se janë të nevojshme për trajtimin e krizës më të rëndë të emigrantëve që nga ajo e Luftës së Dytë Botërore.

“Unë i refuzova kuotat, ngaqë nuk i konsideroj ato të jenë zgjidhja reale për krizën e emigrantëve”, tha kryeministri çek Bohuslav Sobotka.

Kryeministri sllovak Robert Fico shprehu shqetësim se në Europë mund të futen terroristët, në kushtet kur atje hyjnë refugjatë në mënyrë masive.

Shumica e emigrantëve përpiqen të vendosen në vende në zhvilluara të Europës Perëndimore, si Gjermania dhe Suedia.

“Kur terroristët grumbullohen në Siri, si mund t’i dallojmë ne ata nga emigrantët e tjerë që kalojnë kufirin për në Bashkimin Europian pa patur ndonjë kontroll?”, tha zoti Fico.

Juncker tha se Europa mund të mos i lerë Greqinë, Italinë dhe Hungarinë të vetme në trajtimin e fluksit të imigrantëve:

“Ne europianët nuk duhet të harrojmë kurrë përse strehimi dhe ofrimi i të drejtës themelore për të kërkuar azil është diçka kaq e rëndësishme”, tha ai.

Ai i bëri thirrje ministrave të brendshëm të BE-së që ta miratojnë planin e sistemimit të emigrantëve javën e ardhshme.

Juncker po ashtu tha se beson se azil-kërkuesit duhen lejuar të punojnë ndërsa janë të pritje të shqyrtimit të aplikimeve të tyre. Ai tha se shpreson që të gjitha vendet anëtare të përfshihen në një fond emergjence për trajtimin e krizave të refugjatëve në të ardhmen.

Sipas planit, Gjermania, Franca dhe Spanja do të pranojnë në vendet e tyre numrin më të madh të emigrantëve, të pasuar nga Polonia, Holanda Rumania, Bullgaria dhe Suedia.

Por ideja e kuotës kundërshtohet me ngulm nga Hungaria dhe vende të tjera të Evropës Qendrore.

Kuota e ndarjes së emigrantëve do të bazohet tek gjendja ekonomike e vendeve të ndryshme, popullsia, ritmi i papunësisë dhe nga numri i refugjatëve që ka rënë dakord çdo vend të pranojë.

Kancelarja Angela Merkel në Gjermani, ku refugjatët janë mirëpritur me ushqime, ujë dhe lodra për fëmijët, e ka cilësuar planin e Juncker “hapin e parë të rëndësishëm”, përcjell VoA. Në komentet e së mërkurës, ajo tha se në se Europa dështon në çështjen e refugjatëve, atëherë ajo do të ketë dështuar në bazën universale të saj, atë të Europës së bashkuar.

Por ajo paralajmëroi se emigrantët ekonomikë do të kthehen në vendet e tyre dhe se do të mbahen vetëm ata që përpiqen t’u shpëtojnë luftërave dhe persekutimit politik.

Artikulli paraprakBabë e bir arrestohen për drogë
Artikulli vijuesiOS 9 vjen së shpejti