Gjermania, vendi më i admiruar në BE

Evropianët e shohin Gjermaninë dhe kancelaren e saj, Angela Merkel, me sy më të mirë se secilin vend apo udhëheqës tjetër në Bashkimin Evropian, por shumica besojnë se integrimi ekonomik i ka lënduar ekonomitë e vendeve të tyre, ka treguar rezultati i një sondazhi të “Pew Research Center”, i publikuar të martën.
“Gjermania është vendi më i admiruar në BE dhe kancelarja e saj është udhëheqësja më e respektuar”, thuhet në një raport, ku është paraqitur rezultati. Gjermanët “veçohen”, pasi ata i konsiderojnë përvojat e tyre ekonomike më pozitivisht sesa të tjerët dhe janë më të favorshëm për Evropën.

“Por, përkundër portretizimit të tyre pozitiv, gjermanët nuk dallohen fort nga evropianët e tjerë për politika. Në shumë pika, grekët janë më të izoluarit në Evropë”, thuhet në raport.

Gjermania është i vetmi vend në të cilin shumica e njerëzve – 59 për qind – mendojnë se vendi i tyre është ndihmuar nga integrimi evropian. Më negativët janë grekët, ku 70 për qind mendojnë se integrimi në BE i ka dëmtuar, të ndjekur nga francezët, me 63 për qind, raporton “Zëri”.

Sondazhi është realizuar në tetë vende të Bashkimit Evropian (Britani, Francë, Gjermani, Itali, Spanjë, Greqi, Poloni dhe Republikë Çeke) dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku janë anketuar 9.108 njerëz gjatë periudhës kohore ndërmjet 17 marsit dhe 16 prillit.

Mendimi i grekëve për veten dhe për Gjermaninë dallon shumë nga mendimet që kanë fqinjët evropianë, të cilët i konsiderojnë gjermanët si “popullin më punëtor”.

“Greqia është e kundërta” e Gjermanisë, thuhet në raport, ku theksohet se Gjermania nuk është i vetmi vend që ka probleme me shtetin jugor evropian. “Në asnjërin vend bashkanëtar ku është bërë anketa, Greqia nuk shihet me sy të mirë”, kanë bërë të ditur autorët e raportit.

Britanikët, francezët dhe gjermanët nuk mendojnë se vendet e tyre kanë shkallë të larta të korrupsionit, ndërsa e vlerësojnë Italinë si vendin më të korruptuar. Pjesëmarrësit nga vendet e tjera kanë fajësuar veten dhe e kanë vlerësuar vendin e tyre si më të korruptuar.

“Britanikët, francezët dhe gjermanët i vlerësojnë grekët, italianët dhe spanjollët si më dembelët në Evropë, dhe ndër më të korruptuarit. Ndërkaq, italianët dhe spanjollët e kanë të njëjtin mendim negativ për veten dhe për fqinjët e tyre jugorë”, theksohet në raport. /Der Spiegel /Telegrafi/kohaislame

Artikulli paraprakNikoliqi, pasues i Millosheviqit
Artikulli vijuesAnulohet tenderi për aerofotografimin e Kosovës