Gjykata e Brazilit vendos kundër Presidentes Rousseff

Gjykata e Lartë e Brazilit ka refuzuar një përpjekje të Presidentes Dilma Rousseff për të bllokuar proçesin e shkarkimit të saj.

Gjykata votoi sot në orët e para të mëngjesit, pas një sesioni të gjatë e të jashtëzakonshëm, duke i hapur kështu rrugën parlamentit për të votuar për zonjën Rousseff, e cila duket se po humbet pushtetin.

Ligjvënësit e Dhomës së Ulët të parlamentit pritet të votojnë të dielën nëse do të zhvillohet proçes gjykimi për shkarkimin e zonjës Rousseff. Sipas sondazheve të fundit, pothuajse dy të tretat e ligjvënësve janë të gatshëm për të miratuar mocionin kundër saj.

Nëse kjo miratohet me votë të dielën, Senati i Brazilit do të ketë autoritetin për të zhvilluar një proçes gjykimi për zonjën Rousseff, e cila akuzohet për manipulim të të dhënave financiare që siguruan rizgjedhjen e saj.

Presidentja Rousseff ka mohuar të ketë kryer veprime të paligjshme dhe e konsideron proçesin e shkarkimit si të pabazë.

Artikulli paraprakZgjedhjet, pastaj reforma
Artikulli vijuesKorea e Veriut provon të nisë një raketë balistike me rreze të mesme