Hoxhë Ismail Bardhoshi
Grada dhe vlera e mendjes në Islam
Mendja është një dhuratë dhe një nder i madh që Allahu ia ka bërë njeriut. Allahu i Lartësuar i ka dhuruar mendjes së njeriut aftësi dhe përgatitje për të kryer proçese logjike të cilat janë të dobishme për jetën e tij. Allahu i Lartësuar ka thënë:
“Vërtet Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit dhe Ne i kemi mbartur ata në tokë e në det dhe i kemi furnizuar ata me gjithë të mirat, si edhe i kemi parapëlqyer ata përmbi shumë prej atyre që Ne i kemi krijuar me mirësi të veçantë.” El Isra: 70.
Vlera dhe rëndësia e mendjes në Sheriat vihet në dukje nga aspektet që vijojnë:
– Allahu i Lartësuar ia drejton fjalët e Tij vetëm të mençurve, sepse ata e kuptojnë fenë e Tij. Allahu në Kur’an ka thënë:
“Përkujtim e këshillë për zotëruesit e mendjes.” Sad: 53.
– Një ndër gjërat prej të cilave varet obligimi me detyrat fetare është mendja, dhe ai që nuk e posedon nuk është i obliguar. Profeti (salallahu alejhi ue selem) në një hadith ka thënë: “Është ngritur lapsi për tre persona (d.m.th. është hequr obligimi dhe nuk merren në llogari, përderisa janë në atë gjendje)…”, dhe njëri prej tyre është i çmenduri derisa t’i vijë mendja.
– Allahu e ka dënuar (sharë) atë që nuk përdor mendjen, siç ka përmendur për banorët e zjarrit:
“Dhe thonë: ‘Sikur të kishim dëgjuar dhe pasur mend, ne nuk do të ishim ndër banuesit e zjarrit’.” Mulk: 10.
Gjithashtu ka thënë duke dënuar veprimin e atyre që nuk ndjekin Sheriatin dhe udhëzimin e Profetit (salallahu alejhi ue selem):
“Kur u thuhet atyre: ‘Ndiqni atë që ka zbritur Allahu’, ata thonë: ‘Jo! Më mirë të ndjekim çfarë gjetëm nga baballarët tanë’. (A do ta bëjnë këtë?) Edhe pse baballarët e tyre nuk kuptonin gjë dhe nuk ishin të drejtuar?” Bekare: 170.
– Kur’ani ka përmendur dhe ka nxitur për shumë proçese logjike që kryen njeriu si p.sh. mendimi, meditimi, vëzhgimi etj. Në ajetet që vijojnë Allahu i Lartësuar ka thënë:
“A nuk mendojnë thellë për Kur’anin?”, “Në mënyrë që të mendoni”, “A nuk kuptoni?”
– Allahu i ka lavdëruar ata që përdorin logjikën për njohjen e së vërtetës:
“Ndërkaq, ata që u larguan prej adhurimit të idhujve dhe ju drejtuan Allahut, kanë gëzim të madh, e ti përgëzoji robërit e Mi, të cilët i dëgjojnë fjalët dhe pasojnë atë më të mirën prej tyre. Të tillët janë ata që Allahu i udhëzoi në Rrugën e drejtë dhe të tillët janë ata të mençurit.” Ez-Zumer: 17-18.
– Allahu ka dhënë shumë shembuj në Kur’an që i shohim ose i dëgjojmë, në mënyrë që ne të logjikojmë e të mendojmë:
“Ai na solli Neve një shembull, e harroi krijimin e vet dhe tha: ‘Kush i ngjall eshtrat duke qenë të kalbura!?’” Ja Sin: 78.
– Allahu në Kur’an ka përmendur shumë fakte që shkojnë sipas standarteve, kritereve dhe arsyeve logjike, si p.sh:
“A mos u krijuam prej kurgjësë, apo ata vetë janë krijues!? A mos ata i krijuan qiejt e tokën!? Jo, por ata nuk janë të bindur.” Et-Tur: 35-36.
“Sikur të kishte në to (në qiej e në tokë) të adhuruar të tjerë me të drejtë përveç Allahut, ato të dyja do të shkatërroheshin.” El Enbija: 22.
“A nuk mendojnë thellë për Kur’anin!? Sikur të ishte prej dikujt tjetër përveç Allahut, do të gjendeshin në të kontradikta të shumta.” En-Nisa: 82.
– Kur’ani ka përcaktuar fushat e mendimit dhe përdorimit të mendjes:
“A nuk e kanë parë qiellin mbi ta, si Ne e kemi ndërtuar atë, e kemi zbukuruar dhe s’ka asnjë të çarë në të!? Edhe tokën! Ne e kemi shtrirë atë dhe kemi vendosur në të male që qëndrojnë fort, si dhe kemi sjellë në të çdo lloj bime të mrekullueshme në çift. Një ndriçim dhe përkujtues për çdo rob që i kthehet Allahut me pendim (rob i cili beson në Njëshmërinë e Allahut, i plotëson detyrat në nënshtrim ndaj Tij dhe që gjithnjë kërkon faljen e Tij).” Kaf: 6-8.
– Përdorimi i gjurmës si argument që tregon për lënësin e saj. Ky është një proçes logjik që ka nevojë për njohjen e lidhjes midis pasojës dhe shkakut të saj. Allahu i Lartësuar ka thënë në Kur’an:
“I cili ka krijuar shtatë qiejt të renditur një përmbi një, ju nuk mund të shihni asnjë gabim në krijimin e të Gjithmëshirëshmit. Kthe pra shikimin përsëri! A mund të shohësh ndonjë të çarë?” El Mulk: 3-4.
– Sqarimi i gjërave që mendja nuk arrin t’i njohë, si p.sh. fjala e Allahut:
“Dhe të pyesin ty (Muhamed a.s.) për ruhin (shpirtin). Thuaj: ‘Ruhu është prej atyre gjërave, dija për të cilën është vetëm tek Allahu’, ndërsa nga Dija (juve o njerëz) ju është dhënë fare pak.” El Isra: 85.
“Ai (Allahu) e di çfarë u ndodh atyre (krijesave të Tij) në këtë botë dhe çfarë do t’u ndodhë atyre (në jetën e fundit) dhe ata kurrë nuk do të përfshijnë ndonjë gjë nga Dija e Tij.” Ta Ha: 110.
Abdullah ibnu Abbasi ka thënë: “Kaderi është një gjë që Allahu e ka bërë sekret, të fshehtë.”