Greqi, hapet kursi i parë i gjuhës shqipe në bashkinë Dhomoko

Me iniciativën e 2 mësueseve shqiptare, kontributin e Lidhjes së Mësuesve të Shqipes në Greqi dhe mbështetjen e Këshillit të Integrimit të Emigrantëve të Bashkisë së Dhomokos, është hapur në këtë bashki kursi i gjuhës shqipe falas, që do t’i zhvillojë mësimet në shkollën fillore të saj.

Në kursin e parë të zonës janë regjistruar 36 nxënës, ndërsa mësimet vullnetare do të ofrohen çdo të diel nga dy mësueset në Greqi, Alma Hani dhe Zhuljeta Molla Hoxha.

Të dielën më 21 tetor u zhvillua ceremonia e përurimit të kursit, ku ishin të pranishëm kryetari i Bashkisë së Dhomokos, Stilianos Siros, ambasadori i Shqipërisë në Greqi, z.Dashnor Dervishi, zv/Kryetarët e Bashkisë, z.Jorgos Guvas dhe z.Gramatikos Konstandinos, Evangjelia Zisopulu, sekretare e Përgjithshme e Bashkisë, kryetari i Këshillit të Integrimit të Emigrantëve, Jorgos Haxhiargjiris, drejtori i shkollës fillore Papahristu Athanasios, qytetarë shqiptarë e grekë të bashkive të Dhomokos dhe Lamias.

Kryetari i bashkisë së Dhimkos, Stilianos Siros tha ndër të tjera në fjalën e tij se “numri më i madh i emigrantëve në Bashkinë tonë janë shtetas shqiptarë e si rezultat, kemi një numër të madh nxënësish në shkollat e Bashkisë. Fëmijë të brezit të parë (e gjysëm) dhe të brezit të dytë, të cilët flasin gjuhën e vendit ku jetojnë, por jo gjuhën amë. Shqiptarët e konsiderojnë Greqinë atdhe të dytë, përderisa jetojnë e punojnë kaq vite këtu. Janë integruar në shoqërinë greke duke ruajtur vlerat e tyre kulturore, të cilat presim të ofrojnë një kuptim të fuqishëm në karakterin multikultoror të saj. Mësimi i gjuhës shqipe përbën vlerë të veçantë si element bazë kulturor dhe tregues i vlerësimit të dinjitetit të tyre. Kështu, shtetasit shqiptarë do të duan e respektojnë akoma më tepër vendin ku jetojnë dhe iu dha mundësinë të stabilizohen ekonomikisht dhe shpirtërisht. Synimi i vendit tonë, por edhe i Bashkimit Europian, është integrimi dhe bashkëjetesa e emigrantëve në shoqërinë greke e europiane duke ruajtur identitetin e tyre dhe jo duke u asimiluar. Për këtë Greqia, si vendi ku jetojnë, gjykon se është e pranueshme të inkurajojë, por edhe të sigurojë mbrojtjen e identitetit dy-gjuhësh të fëmijëve të emigrantëve, me inisiativa në nivel lokal”.

Bashkia e Dhimokos nderoi ambasadorin shqiptar në Athinë, z. Dashnor Dervishi me plaketën e Mirënjohjes. “Dy popujt tanë i bashkon një miqësi e vjetër, aq e vjetër sa vetë Greqia e Shqipëria. Në këtë gadishull me helenët dhe ilirët ka filluar jeta shoqërore. Jemi dy popuj miq me të njëjtën anthropologji, të njëjtën kulturë, vetëm gjuha na ndan, por ky ndryshim e bën më të larmishëm bashkëpunimin dhe miqësinë tonë. Para tre javësh në Athinë ishte ministri i Jashtëm i Shqipërisë dhe vullneti i dy qeverive tona është dhe me siguri që do të bëhet, që marrëdhëniet midis Shqipërisë e Greqisë të bëhen model i marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe miqësisë në Ballkan, çfarë në takimin me presidentin e Republikës, Papulias, u shpreh në mënyrë më të sintetizuar: “Nëse Europa kërkon një Ballkan të stabilizuar, kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet stabilizimit të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe grekëve”. Jam i bindur se në qoftë se Greqia është si Dhomoko, atëherë marrëdhëniet shqiptaro-greke mund të jenë model për gjithë Ballkanin do të jenë më të mirat në Ballkan”, tha ndër të tjera zoti Dervishi.

Shtypi grek i zonës ka shkruar:
Me sukses është realizuar vizita e ambasadorit z. Dashnor Dervishi në Dhomoko. Kryetari i Bashkisë, Stilianos Siros dhe anëtarët e Këshillit të Bashkisë kanë ofruar një mikpritje të ngrohtë, ndërsa vizita është kryer në kuadrin e zbatimit të Politikës për Emigracionin e Bashkisë së zonës, e konkretisht me fillimin e mësimeve të gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë të brezit të dytë. Emigrantët shqiptarë përbëjnë dhe shumicën dërrmuese të banorëve të huaj në bashkinë e Dhomokos. Mjaft e rëndësishme u konsiderua vizita e z. Dashnor Dervishi në Dhomoko, si vlerësim i aktiviteteve që janë zhvilluar me synim promovimin e karakterit multikulturor dhe krijimin e një ambjenti social tolerant ndaj të huajve dhe solidarizimit ndaj të tyre. Në takim është theksuar rëndësia e mësimit të gjuhës amë nga emigrantët e rinj, me synim promovimin e karakterit multikulturor.bw/kohaislame

Artikulli paraprakMinistri serb Mrkiç, takon sot Berishën e Panaritin
Artikulli vijuesVV: Protestë kundër dhunës së shtetit policor