Greqi, mbytet barka me emigrantë, 7 viktima

Një tragjedi e re ka ndodhur orët e fundit në brigjet e ishullit grek Lesbos. Shtatë refugjatë nga Siria kanë gjetur vdekjen disa milje larg ishullit, kur një anije e marinës greke është përplasur me barkën që i sillte ata nga brigjet turke.

Midis viktimave janë dy gra, një burrë dhe katër fëmijë, një prej tyre foshnje disa muajshe. Sipas të mbijetuarve, tre prej fëmijëve i përkisnin të njëjtës familje.

Aksidenti tragjik ka ndodhur rreth mesditës së të enjtes, kur trafikanti turk që sillte 39 refugjatë, duke marrë nga secili prej tyre 1500 dollarë, i ka braktisur ata pasi ka hyrë në ujrat greke dhe është larguar më pas me një motoskaf të vogël, përsëri drejt Turqisë.

Të ndodhur në mes të detit, refugjatët janë munduar të drejtojnë barkën drejt ishullit Lesbos dhe gjatë kësaj tentative, duke mos pasur kontrollin e plotë të saj, janë përplasur me një anije të flotës detare greke, që ka shpëtuar 31 prej tyre.

Barka pothuajse e mbushur me ujë është sjellë në një prej porteve të Lesbosit, ku do të fillojë hetimi për aksidentin.

Bëhet fjalë për tragjedinë e dytë në ujrat e këtij ishulli brenda 24 orëve të fundit, pasi edhe të mërkurën pasdite janë gjetur pranë brigjeve trupat e pajetë të një gruaje nga Siria dhe dy fëmijëve të vegjël.

Artikulli paraprakErdogan: Evropa është kujtuar vonë për Turqinë
Artikulli vijuesErdogan kërkon hetim të detajuar të sulmeve në Ankara