Shtëpia Fokus Grupe të reja refugjatësh pranë kufirit shqiptar

Grupe të reja refugjatësh pranë kufirit shqiptar

Autoritetet greke njoftuan se zhvendosën grupe të reja refugjatësh nga Porti i Pireut drejt Janinës ,qytetit kufitar me Shqipërinë.

Mëngjesin e së premtes pesë autobusë me refugjatë, katër prej të cilëve me shtetas sirianë dhe njëri me shtetas afganë, u vendosën në Kampin e Filipiadhës, në periferi të Janinës.

Kampi ndodhet 123 km nga kufiri shqiptar dhe në të, sipas autoriteteve greke, mund të strehohen deri në 700 refugjatë.

Autoritete greke thanë se do të vijojnë zhvendosjen e grupeve të refugjatëve edhe në dy kampe të tjera të cilat janë përgatitur gjatë këtyre ditëve në Veri të Greqisë. Njëri prej këtyre kampeve është në zonën e Pogonit, 25 km nga pika kufitare e Kakavijës me Shqipërinë. Në këtë strehë pritet të mbërrijnë rreth 200 refugjatë, aq sa është edhe kapaciteti i godinës, që ka shërbyer më parë si një konvikt nxënësish.
Kampi i tretë po përgatitet në pistën e ish aeroportit ushtarak të Janinës. Autoritete greke zhvendosën një javë më parë 162 refugjatë sirianë nga Pireu në qytezën e Konicës, pranë kufirit me Shqipërinë.
Refugjatët u thanë mediave shqiptare se synonin të kalonin drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera europiane.

Autoritetet shqiptare janë shprehur kundër përdorimit të territorit të vendit si kalim transit, përsa kohë nuk ka një tjetër portë dalëse që do të lejonte udhëtimin e refugjatëve drejt shteteve të Europës Qëndrore, të cilat janë dhe destinacioni i synuar i tyre, transmeton Voa.

 

Artikulli paraprakShpërthimi në Stamboll, ka të vdekur dhe të plagosur (Video)
Artikulli vijuesSkenari i filmit hollivudian për Lazaratin, aktor dhe Raul Bova (VIDEO)