Hapet gara për telefoninë e tretë mobile në Kosovë

Bordi i Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ka marrë vendim për hapjen e garës për telefonin e tretë mobile dhe brezin e ri frekuencor për territorin e Kosovës.
 
Ky autoritet më 12 mars ka marrë vendim që të hapet ankandi publik për brez të ri frekuencor, që nënkupton hapje të tenderit për telefoninë e tretë mobile. Kjo është bërë e ditur nga kryetari i bordit të ARKEP, Ekrem Hoxha, në një intervistë për “KosovaPress”.
 
Hoxha nuk e ka përjashtuar mundësin e pjesëmarrjes në garë edhe të operatorëve serbë. Po ashtu ai ka thënë se edhe operatorët e tjerë mobilë, që janë të licencuar në Kosovës, si Vala, Ipko, Z mobile e D3, kanë të drejtë pjesëmarrje në garë.
 
Hoxha ka shtuar se ata që i plotësojnë kriteret e fitojnë të drejtën e blerjeve të resurseve, kjo nënkupton se mund të kemi edhe një operator të tretë të telefonisë mobile.
 
Sipas Hoxhës kjo është garë ndërkombëtare dhe nuk mund të ketë diskriminime edhe për operatorët serbë. Ai ka thënë se ARKEP e ka përkrahur Qeverinë e Kosovës gjatë procesit të dialogut me këshillëdhënie në zbatim të ligjit, ndërkohë Hoxha kujton se tash e 15 vite sektori i telekomunikacionit është penguar në zhvillim normal, kryesisht si pasojë e operimeve të paautorizuara të operatorëve serbë. Sipas tij marrëveshja e shtatorit 2013 për telekomunikacion parasheh rrugën dhe modalitetet se si të ndalohen këto operime të pa autorizuara dhe ilegale.
 
Dhe një pikë e veçantë e kësaj marrëveshje parasheh edhe afatet kohore deri kur nuk mund të organizohet tender apo ankand ndërkombëtar.
 
“Në parim gara është e hapur. Çdo palë, përfshirë edhe operatorët nga Republika e Serbisë, kanë të drejtë interesimi dhe pjesëmarrje në tender apo ankand dhe rregullat i vendos Autoriteti në bashkëpunim me Qeverinë. Në qoftë se flasim për tenderin, meqë ne ende nuk kemi vendosur nëse mund ta quajmë tender apo ankand, dhe aty mund të diskutohen dhe analizohen shprehjet e interesit që mund të vijnë qoftë edhe nga operatorët nga Republika e Serbisë”, ka thënë Hoxha.
 
Kryetari i bordit të ARKEP thotë se është hapur procesi dhe aktualisht ARKEP ka pranuar një aplikacion si të rregullt, që është nga Ipko. Hoxha tregon se ende nuk kanë vendosur për çmimin e shitjes së këtyre resurseve që do të ofrojnë brez të ri frekuencor.
 
“Ne e kemi hapur procesin dhe e kemi kualifikuar një aplikacion si të rregullt dhe brenda 42 ditëve duhet të marrim vendim për çmimin… Kriteret tjera janë të vendosura. Do të vendosim për çmimin dhe do të vendosim për modelin e garës.
 
Tender ose ankand, në qoftë se shkohet me tender atëherë rregullat i përcakton Qeveria dhe ne i zbatojmë, kështu e përcakton ligji. Ndërkohë nëse shkohet me ankand atëherë rregullat dhe procedurat i administron ekskluzivisht Autoriteti”, ka thënë Hoxha.
 
Hoxha ka thënë se këto vendime, që janë marrë dhe do të merren, janë të ligjshme, ani pse anëtarëve të Bordit u ka skaduar mandati ligjor.kohaislame
Artikulli paraprakErdogan për çështjen armene: E vërteta nuk del në shesh me lobingje
Artikulli vijuesBajram Rexhepi: ShIK-u ka uzurpuar PDK-në dhe institucionet e Kosovës