Serbia po krijon “Republika Srpska” në Kosovë

Veprimtari Adem Demaçi ka deklaruar se regjimi çetnik i Beogradit po organizonë serbët e veriut që të mos integrohen në Institucionet e Kosovës, por që edhe në Kosovë, dalëngadalë, të lindë edhe një ‘’Republika Sërpska’’.

Ai ka thënë se nëse hiqen simbolet e Kosovës nga fletëvotimi do të pyeste se në cilin shtet ndodhet.

Demaçi në një intervistë dhënë gazetës “Illyria” pasqyron pikëpamjen e tij se a po humb apo po fiton Kosova nga bisedimet e Brukselit, tregon se pse nuk e ka zgjedhur asnjëherë veriun e Kosovës për të biseduar me serbët atje për normalizimin e marrëdhënieve me shqiptarët dhe përgjigjet nëse do të shkoj në veri në një të ardhme të afërt.

Ai tregon se a duhet EULEX-i të largohet nga Kosova dhe kur e si duhet ndodhë kjo si dhe ofron këndvështrimin e tij nëse Serbia me parë do ta njoh Kosovën apo do të bëhet pjesë e BE-së, si dhe tregon nëse do t’u përgjigjet zgjedhjeve të 3 nëntorit në rast që nga fletëvotimet largohen simbolet dhe fjala “Republikë”, transmeton Kosovapress pjesë nga intervista dhënë gazetës “Illyria” .

Cili është mendimi Juaj, a po humb, apo po fiton Kosova nga bisedimet e Brukselit mes Kryeministrit Thaçi e Dacic?

Pyetja e Juaj, në shikim të parë duket e shkurtër dhe e thjeshtë, mirëpo ajo ‘’vret’’ shumë edhe në gjerësi edhe në thellësi. Në njërën anë është Kosova e vockël me shumë probleme të mëdha që ngërthen në vete e të cilat po mundohet t’i zgjidhë sipas interesave të veta, ndërsa në anën tjetër i kemi Bashkimin Evropian (Brukselin) e NATO-n (SHBA-të me shumicën e shteteve të Evropës Perëndimore) me plot projekte e synime për rregullimin e zgjidhjen e përplot problemeve të botës sipas interesave të tyre. Pak më tutje, në Lindje, përtej Uralit e deri te Oqeani Paqësor, kemi dy kolosë të tjerë, Kinën dhe Rusinë, që gjithashtu kanë projektet e synimet e tyre për rregullimin e zgjidhjen e problemeve të shumta botërore gjithashtu sipas interesave të tyre. Le ta çojmë vëmendjen tonë edhe pak më thellë dhe do të shohim Kosovën tonë të vockël potencialisht në sferën e interesave politike e ekonomike të SHBA-ve dhe të BE-së dhe që realisht varet qind për qind, për gjithçka, prej tyre. Fqinjë me ne e kemi Serbinë që është 85 për qind në sferën ekonomike të BE-së e të SHBA-ve, ndërsa politikisht në sferën e Rusisë e nga pak edhe të Kinës.

Nëse lexuesi im i nderuar do që t’i ketë parasysh faktet e përmendura më sipër, nuk do ta ketë vështirë që ta marrë me mend se nëpër çfarë sikletesh politike e diplomatike është duke kaluar Kosova jonë e vockël. Edhe Serbia është duke kaluar nëpër siklete të hatashme, mirëpo ajo ndonëse është fajtore dhe gjynahqarë i madh, nuk po pushon së vepruari që të ruaj e madje edhe të zgjerojë padrejtësisht interesat e veta në kurriz të Kosovës së gjorë e martire.

Miqtë tanë, në përpjekjet e veprimet e veta për të përmbushur interesat e veta politike, ekonomike e gjeostrategjike po i harrojnë fare interesat tona themelore kombëtare e qytetare. Mirëpo, ç’është e vërteta edhe miqtë tanë amerikanë e evropianë na ndihmuan jo pak gjatë kryengritjes sonë çlirimtare, prandaj meqë ne nuk jemi popull jo mirënjohës edhe ne po na duhet që të flijohemi jo pak për përmbushjen e disa synimeve të miqve tanë. Mirëpo, miket tona të mëdha, Amerika e Evropa, duke u munduar që, mbi flijimet tona të reja e të panumërta, si e si t’ia hapin shtegun Serbisë çetnike për të hyrë në Bashkimin Evropian e pastaj eventualisht edhe në NATO, sikur po kërkojnë pak si tepër prej nesh.

Ndërkaq, miqtë tonë të mëdhenj neve po na thonë se meqë jemi miq interesat e tyre janë edhe interesat tona, prandaj ne duhet të bëhemi të dëgjueshëm dhe të veprojmë pa u ndalur drejt normalizimit të marrëdhënieve tona me Serbinë. Mirëpo, për habinë e gjithë botës, sa më shumë që miqtë tonë po i bëjnë lëshime Serbisë në kurrizin tonë, aq më të zëshëm po bëhen Nikolici e Dacici se nuk na pranojnë dhe as që nuk do të na pranojnë kurrë e përjetë si shtet të pavarur e sovran!

Ja, lajmi më i ri nga goja e Dacicit, se ai, si ‘’kontribut’’ për ‘’normalizimin’’ e marrëdhënieve me Kosovën do të kërkojë rehabilitimin politik të Rankovicit i cili është sinonim i të gjitha të zezave që pësuan shqiptarët nga çetnikët e Beogradit!. Ja edhe një ‘’margaritar’’tjetër të politikës aktuale të regjimit të Beogradit një faktor politik në krye të regjimit të Beogradit kumtoi para ca ditësh se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me Kosovën do të vlejnë për ne vetëm derisa atje të qëndrojë EULEKS –i! domethënë ne nuk po nënshkruajmë kurrfarë marrëveshjesh me krerët e regjimit serb, por vetëm po rrahim ujë në havan!. Por, a kemi shteg tjetër përveçse të bëhemi të dëgjueshëm? Jo! Nëse duam që ta ruajmë miqësinë tonë me Amerikën dhe Evropën ne duhet të vazhdojmë të rrahim ujë në havan me Serbinë!. Pra, si po e shihni, pyetja Juaj gati mbeti pa përgjigje, por përgjigjja është se derisa në Serbi të jenë në pushtet mbeturinat e çetnikëve edhe të neofashistëve bisedimet me ta do të jenë rrahje e ujit në havan.

A besoni Ju që Serbët e veriut do të integrohen në jetën institucionale të Kosovës?

Jo! Regjimi çetnik i Beogradit po i organizon ata ashtu që ata të mos integrohen në institucionet e Kosovës, por që edhe në Kosovë, dalëngadalë, të lindë edhe një ‘’Republika Sërpska’’ bashkë me një Dodik sikurse që ndodhi në Bosnje e Hercegovinën e nakatosur.

Jeni konsideruar si figurë që keni punuar në relaksimin e marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe serbëve brenda Kosovës, pse asnjëherë nuk keni tentuar që të shkonit në veri për të biseduar me serbët lokalë atje?

Sepse, atje ka shumë pak serbë lokalë, se shumica syresh atje janë sigurimca dhe kriminelë lufte të grumbulluar atje nga Kosova, Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe nga Lika e Kroacisë.

A pritet ndonjë vizitë e Juaja në veri?
Jo!

A prisni se Serbia më përpara do ta njohë Kosovën, apo më parë do të bëhet pjesë e BE-së?
Unë më parë pres që në Serbi të largohen nga pushteti çetnikët e neofashistët e pastaj të normalizohen marrëdhëniet Kosovë-Serbi e më në fund Kosova e Serbia të anëtarësohen në BE njëkohësisht.

A mendoni se EULEX-i duhet të largohet nga Kosova?
Mendoj, para së gjithash, që institucionet e prokurorive,të gjyqeve dhe të policisë të Kosovës duhet të depolitizohen.

Dhe, në fund Z. Demaçi, na thoni, nëse hiqet fjala ‘’Republikë’’ nga fletëvotimet e 3 nëntorit a do të dilni të votoni?
Do të pyesja se në cilin shtet unë ndodhem?.kohaislame

Artikulli paraprak(Video) Hoxhë Enis Rama: Përgëzime për këtë umet
Artikulli vijuesPatrikanën e ruan policia, Manastirin e Deçanit KFOR-i