Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka akuzuar sot qeverisjen e kaluar komunale për keqmenaxhim duke lënë nivelin komunal në gjendje të keqe financiare dhe me borxhe të shumta, andaj nevojitet shumë punë për të dalë nga kjo gjendje e trashëguar.
Ai këto komente i bëri pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, nga i cili ka marrë mbështetje për projektet e ardhshme komunale për të mirën e qytetarëve ferizajas. Ai tha se në takim është biseduar edhe për sfidat e qeverisjes lokale, të cilat nuk janë të pakta.Ai ka theksuar se si pasojë e keqmenaxhimit të qeverisjes së kaluar lokale shumë operatorë ekonomikë janë futur në obligime.
Kryeministri Haradinaj theksoi se Komuna e Ferizajt ka një buxhet prej 29 milionë eurove nga niveli nacional, ndërsa Qeveria që ai drejton do të komunikojë me komunën e Ferizajt lidhur me të gjitha temat me interes, përfshirë arsimin dhe shëndetësinë.
“Nuk është mirë me iu ik temave. Në fakt sot, kryetari ma ka bë një ndihmesë të madhe nuk jam ballafaquar me gjendjen e Ferizajt. Mora vesh se një gjendje të ngjashme kemi në shumë komuna të Kosovës, ku kryetarët paraprakë pa pasur buxhet duke zotuar vetëm 10 mijë euro kanë hyrë në projekte që kanë vlerë 5 milionë euro.
Ato janë borxhe të ngarkuara për të gjitha komunat dhe ka këso raste shumë. Dhe se Qeveria duhet ta bëjë një plan që të ballafaqohet me këtë dhe t’i marrë këto përgjegjësi që mos të jenë komunat gjatë gjithë viteve që vijnë të ngarkuara me këtë presion të borxheve, e të mos mund t’iu përgjigjen kërkesave të qytetarëve që janë të shumta”, ka thënë Haradinaj./KosovaPress/