Pjesëtarët e grupit të djathtë spanjoll “Qendra Komunitare Madrid” hodhën bomba tymi në hyrje të xhamisë dhe selinë e Qendrës Kulturore Islame në Madrid, pas sulmeve vdekjeprurës në Bruksel.
Ata në urën përreth, nën të cilën kalon një nga rrugët më të frekuentuara të qytetit, kanë vendosur një transparent ku shkruan “Sot Brukseli, nesër Madridi?”.
Ky grup, nëpërmjet Facebook-ut, lëshoi një deklaratë, ku thuhet se xhamia përgjatë autostradës M-30 ka marrë para nga besimtarët për të financuar ISIS-in.
Qendra Kulturore Islame në Madrid, e cila ndodhet në xhaminë më të madhe në Spanjë, të mërkurën ka lëshuar një deklaratë, përmes së cilës ka dënuar sulmet terroriste në Bruksel dhe hedhjen e bombave me tym pranë ambienteve të tyre.
“Logjika dhe feja nuk lejojnë këso vrasje makabre. Ne muslimanët në mbarë botën i dënojmë këto sulm të tmerrshëm që morën viktima të pafajshme, duke përfshirë edhe muslimanët. Në të njëjtën mënyrë dënojmë edhe reagimin e ekstremistëve pas sulmeve, të cilët u përpoqën ta sulmojnë xhaminë tonë dhe t’i bëjnë dëm asaj, siç mund të shihet në fotot e publikuara në rrjetet sociale”, thuhet në deklaratë.
(MIA)