Shkencëtarët e huaj ngrenë alarmin për atë që e quajnë “tsunami i digave” në Ballkan, e që sipas tyre, rrezikon zhdukjen e lumenjve dhe humbje të biodiversitetit.
Studimi i realizuar nga Fluvius, një agjenci konsulence për projekte të mbështetura nga OKB dhe BE ndalet kryesisht te lumi i Vjosës në Shqipëri.
Ai cilësohet si një parajsë dinamike për speciet ujore që janë zhdukur rreth Europës, e që tani po rrezikohen edhe atje për shkak të digave. Studimi i publikuar nga britanikja “The Guardian” përmend një lloj të veçante peshku, “Isoperla vjosa”-n, i zbuluar gjatë një ekspedite të 25 shkencëtarëve në Vjosë.
Ashtu si salmoni i Danubit dhe trofta e Prespës edhe kjo specie është në rrezik nga projekte hidroenergjetike, siç thotë Ulrich Eichelmann, drejtor i organizatës RiverWatch. I intervistuar nga “The Guardian”, ministri shqiptar i Energjisë, Damian Gjiknuri pohon se dy mega hidrocentrale në Vjosë do të lejojnë kalimin e peshqve përmes “bypass”-et.
Ai kundërshton zbulimet e raportit duke thënë se në Shqipëri po ndërtoheshin vetëm dy diga të larta.
Ndërtimet e hidrocentraleve janë shtuar me 300 përqind rreth Ballkanit Perëndimor sipas studimit. 2800 diga të reja janë projektuar në një zonë që shtrihet nga Sllovenia në Greqi, 37 përqind të të cilave do të ndërtohen në zona të mbrojtura si parqe natyrore.
Shqipëria konsiderohet si pika më e nxehte me 81 diga në ndërtim e sipër. Përveç jetës ujore, bumi i digave mund të kërcënojë edhe njerëzit.
Që prej 2012 konliktët e pronave mes kompanive të mëdha energjetike dhe fermerëve të vegjël kanë çuar në vrasje sipas një studimi të financuar nga BE. Aty citohen 3 raste vdekjesh dhe dhjetëra arrestime lidhur me valën e projekteve hidroenergjetike në Shqipëri./TCH/