Historia e Inaugurimeve

Ndërsa vendi shkon drej një katër vjeçari tjetër nën administratën Obama, një grup historianësh i hedh një vështrim të kaluarës dhe e lidh atë me çfarë po ndodh tani në Shtetet e Bashkuara. Një program në radio përdor një stil të veçantë për të shpjeguar inaugurimet presidenciale amerikane.

Një fotografi me një president amerikan është një kujtim i çmuar. Por ç’mund të thuash për një me katër presidentë që jetuan gati 200 vjet më parë. George Washingtoni bëri inaugurimin e parë.

“Unë nuk doja të bëhesha president por shkova në Nju Jork në vitin 1787 për t’i shërbyer popullit tim.”

Theodore Roosevelti, që mori detyrën në fillim të shekullit të 20, ishte një president energjik.

“Inaugurimi im ishte i veçantë. Në paradë morën pjesë 35 mijë amerikanë nga të gjitha prejardhjet. Përpara kësaj pata një drekë me 200 miq të ngushtë dhe mbajta një fjalim që zgjati vetëm 6 minuta.”

Këta improvizues presidencialë entuziazmuan turmën përpara një transmetimi të drejtpërdrejtë në radio, që sjell detaje nga inaugurimet e presidentëve amerikanë në vite.

Ed Ayers dhe dy ekspertë thonë se historia është plot surpriza – dhe inaugurimet reflektojnë atë që po ndodh në vend.

Ata përshkruan inaugurimin e Andrew Jacksonit në vitin 1829, kur mijëra vetë të alkoolizuar nga mbrëmjet e organizuara bënë rrëmujë në Shtëpinë e Bardhë për të festuar zgjedhjen e një gjenerali shumë popullor.

“Andrew Jackson u ndje aq i turpëruar, saqë u largua me disa miq për të darkuar diku.”

Rutherford B. Hayes e bëri betimin fshehurazi një ditë më parë, në mënyrë që kundërshtari i tij Samuel Tilden të mos mund të sfidonte rezultatin e ngushtë të zgjedhjeve.

“Në historinë amerikane fiton dhe pastaj ecën përpara.”

Të ftuarit në studio iu përgjigjën pyetjeve përfshirë një nga India që pyet – a merr partia politike e presidentit më shumë mbështetje nga inaugurimi? Përgjigja është jo, por….
“inaugurimi vendos tonin për administratën.”

Në vitin 1933, Presidenti Franklin Delano Roosevelt vendosi tonin e vedosmërisë, megjithëse vendi ishte në depresion me një nivel papunësie prej 25 përqindësh. Historianët thonë se çdo fjalim inaugurimi përqëndrohet tek një nga dilemat me të cilat ndeshet vendi.

“Çfarë krize po jetojmë – çfarë shoh në të ardhmen?”

“Presidenti Obama, këtë herë jam i sigurtë se do të flasë për popullin dhe se si do t’i kapërcehen vështirësitë që do t’i dalin përpara.”

Mbetet për t’u parë se çfarë sfidash do të theksojë presidenti dhe çfarë thirrjesh do t’i drejtojë ai popullit nesër, kur të flasë para qindra mijëra njerëzve, këtu në Uashington.

Artikulli paraprakFondi i veçantë për veriun, përtej Planit të Ahtisaarit?
Artikulli vijuesJeta dhe roli i ish-presidentëve amerikanë