Ministri i Financave Avdullah Hoti e quajti 2016-ën vit të suksesshëm, pasi që të hyrat u rritën për 9,5% krahasuar me vitin paraprak.
Vit të suksesshëm e ka quajtur vitin 2016 ministri i Financave, Avdullah Hoti, i cili tha se pret që më 2017 rritja ekonomike e Kosovës të jetë më shumë se 4 për qind.
“Viti i kaluar ka qenë një vit jashtëzakonisht i suksesshëm për Ministrinë e Financave. Të hyrat janë rritur me 9.5% krahasuar me vitin 2015. Dogana dhe Administrata Tatimore kanë bërë një mbledhje të shkëlqyer duke mbledhur 154 milionë euro më shumë sesa viti paraprak”, tha ministri Hoti në një konferencë për media ku prezantoi planet dhe objektivat e Ministrisë së Financave për vitin 2017.
Mbledhja e kuponëve fiskalë gjatë vitit 2016 sipas ministrit Hoti ka rritur vetëdijesimin e qytetarëve lidhur më pagesën e taksave buxhetore.
“Me projektin e mbledhjes së kuponëve fiskalë, mbi 270 mijë zarfe me kuponë fiskalë dorëzohen çdo 3 muaj në Administratën Tatimore, që e ka maksimizuar vetëdijen e qytetarëve për rëndësinë e pagesës së taksave buxhetore për të blerë vetëm nga kompanitë që janë të fiskalizuara”, tha Hoti.
Po ashtu Ministri Hoti foli edhe për mospagesën e devidendës nga PTK-ja.
“Në Ministrin e Financave ne përgatisim projeksionet buxhetore për vitin 2016. 23 milionë ka qenë e parashikuar devidenda që duhet paguar për Qeverinë, pastaj e kemi zbritur në 15 milionë por nuk është paguar asgjë nga PTK-ja. Unë besoj që ministri i Zhvillimit Ekonomik në takimin e ardhshëm të ministrave që i mbikëqyrin ndërmarrjet publike duhet të raportojë PTK-në si ndërmarrje publike sepse nuk ka arritur të kryejë këtë obligim ligjor që ka ndaj aksioneve për shtetin e Kosovës”, shtoi Hoti.
Ministri Avdullah Hoti përmendi disa prej objektivave të Ministrisë së Financave për vitin 2017. Ai e përmendi sidomos bashkimin e Administratës Tatimore me Doganën e Kosovës.
“Një objektiv shumë i rëndësishëm për Ministrinë e Financave është krijimi i agjencisë së të hyrave për tatime dhe Dogana të Kosovës. Ky është hapi i parë drejt kalimit të TVSH-së brenda, pra fillimisht duhet të bëjmë bashkë Administratën Tatimore dhe Doganore, të bëjmë reforma të nevojshme dhe mandej të kalojmë në mbledhjen e TVSH-së”, theksoi ministri, duke shtuar se ky është proces mjaft i komplikuar edhe nga aspekti teknik dhe i stafit, prandaj do të kenë shumë kujdes gjatë procesit.