Huliganët maqedonas rrahin studentin shqiptar në Shkup

Një student shqiptarë nga Studeniçani i Shkupit dje pasdite është rrahur brutalisht nga huliganë maqedonas në lagjen Draçevë të Shkupit.

Ai është Nehat Rexhepi, 20 vjeçar , student i Fakultetit të Bujqësisë në Shkup, i cili rëfen tmerrin dhe brutalitetin e përjetuar nga grupi i huliganëve maqedonas, një pjesë e të cilëve dyshohet se janë nxënës të shkollës së mesme në lagjen Draçevë, raporton ina.

“Sapo kam zbritur nga autobusi nr.41 në lagjen Draçevë, një grup të rinjsh më kanë sulmuar dhe më kanë rrahur deri në alivanosje. Kanë rastisur disa pleqë që kanë ndërhyrë për të larguar huliganët. Edhe pse aty pari shpesh herë ka policë, u detyrova që rastin ta paraqes në MPB dhe më pas kanë ardhur policët e stacionit policor të Draçevës që janë njoftuar me incidentin”, theksoi Nehat Rexhepi, i cili menjëherë pas rrahjes brutale i është nënshtruar trajtimit mjekësor në Klinikën e Shkupit.

Ai thekson se ka lëndime në kokë dhe trup dhe kjo është konstatuar edhe nga mjekët. “Ndjehem i sëmurë keq dhe në gjendje të rëndë stresi. S`dij se si do të vazhdojë kjo pasiguri dhe këto incidente”, nënvizon studenti shqiptar.

Babai i tij Hamim Rexhepi thekson se është tejet i shqetësuar dhe kërkon përgjegjësi dhe ndërprerje të këtyre sulmeve, ku pësojnë të rinjt. “Organet kompetente duhet të ndërhyjnë sepse kjo do të bëhet e madhe. Pse të krijohet një situatë e tillë dhe të keqpërdoren të rinjtë. Apeloj që sa më shpejt të ndërhyje dora e shtetit për të parandaluar këtë tensionim”, theksoi Hamim Rexhepi.

Lidhur me incidentin dhe rrahjen e studentit shqiptar ka reaguar edhe kryetari i komunës së Studeniçanit, Fati Iseni.
“Fatkeqësisht ky është rasti i dytë i brutalitetit që na paraqitet brenda një jave, andaj apeloj që organet policore të ndërhyjnë dhe të kapin autorët e këtyre akteve, me qëllim që të parandalohet kjo fushatë dhe që mund të ketë pasoja më të mëdha dhe më tragjike”, theksoi për INA, kryetari i komunës, Fati Iseni.

Sipas tij, disa ditë më parë ishte lajmëruar edhe incidenti tjetër i sulmit të një nxënësi turk nga Koliçani i Poshtëm.
Ky incident është vazhdimësi e incidenteve të fundit ndëretnike, ku vetëm dy ditë më parë u rrahën brutalisht dy studentë turq në Shkup.kohaislame

Artikulli paraprakShtyhet për nesër gjykimi ndaj Mustafit
Artikulli vijuesPolicia blenë dy helikopterë