Një person ka humbur jetën për shkak të motit të keq që ka përfshirë Shqipërinë. Luan Qari, 50 vjeç ka humbur jetën në Radhimë.
Dyshohet se ai është marrë nga uji dhe është mbytur. Trupi i tij është gjetur i pa jetë në rrjedhën e lumit.
Ndërkohë në lidhje me situatën ka reaguar edhe Policia e Vlorës.
“Më datë 10-11.10.2015 si pasojë e reshjeve të dendura dhe të pandërprera gjatë pasdites së djeshme dhe natës së sotme janë shkaktuar përmbytje në pjesën më të madhe të qytetit.
Si rezultat i reshjeve janë përmbytur lagjet “24 Maji”, “Pavarësia” dhe “15 Tetori”.
Nga ana e shërbimeve të Policisë janë marrë menjëherë masa për evakuimin e 8 familjeve me rreth 25 persona nga shtëpitë që janë përmbytur në këto lagje, ku 3 prej tyre janë dërguar në Spitalin Rajonal për trajtim mjekësor.
Gjithashtu bëjmë me dije se, në disa rrugë të qytetit, si “10 Korriku”, qarkullohet me vështirësi dhe se disa prej segmenteve që lidhin qytetin e Vlorës me Fierin, Orikumin dhe fshatrat përreth janë të pakalueshme si rezultat i inerteve të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm.
Është raportuar për disa krerë bagëtish të ngordhura.
Në qytetin e Sarandës dhe Delvinës nuk ka pasur reshje shiu dhe situata paraqitet e qetë.
Të gjitha shërbimet e Policisë janë në gatishmëri për përballimin e situatës si dhe janë ngritur shtabe emergjence”, – thuhet në deklaratën e Policisë së Vlorës.
Në Fier uji ka shkuar më shumë se 2 metra në zona të caktuara.
Siç bëhet e ditur lumi Gjanica ka dalë nga shtrati i tij dhe uji është duke marrë përpara çdo gjë që i del para.
Situata më kritike është në zonën e lagjes së “1 Majit”, ku uji ka shkuar më shumë se metra lartësi.
Banorët e Fierit thonë se kjo është situatë e jashtëzakonshme dhe nuk ka ndodhur më parë.
Uji ka shkuar edhe në zonat e Sheqit të Madh dhe të Vogël. Korrespondentët nga Fieri bëjnë të ditur se situata është shumë dramatike.
Banorët i kanë bërë thirrje kryeministrit, i cili është njëherësh edhe deputet i zonës Edi Rama që të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme.