Nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi, në një shkrim të tij ka theksuar ndarjet pro-perëndimore dhe pro-ruse në Maqedoni, ku nëpërmjet disa shembujve ka akuzuar VMRO-në dhe BDI-në si pro-rusë. Ai bile me disa strofa edhe ka ironizuar me këta të fundit.
Ja postimi i tij i plotë:
Amerikanët thoshin se nuk ka kushte për zgjedhje më 5 qershor, por VMRO+BDI i shpallën zgjedhjet për atë datë, ndërsa atë vendim – nga të gjitha vendet e huaja – e përshëndeti vetëm Rusia.
Amerikanët thonë se vendimi i Ivanovit e dëmton Prokurorinë Speciale Publike, por VMRO+BDI e mbështesin njëra-tjetrën kundër Janevës, ndërsa Rusia i inkurajon.
VMRO, përmes portaleve të saj, por edhe nga goja e kryetarit të saj, del e thotë se “RIDEFINIMI është rrezik për shtetin”.
Edhe BDI, përmes zëdhënësit të saj, e pohon afërisht të njëjtën – se “RIDEFINIMI nuk mund të bëhet, sepse Rusia është e fortë”.
Ndërkaq Rusia, në shenjë falënderimi, ua kompenson këtë duke thënë se “opozita dirigjohet nga shtete perëndimore”. Që i bie se pozita (VMRO+BDI) është antiperëndimore, rrjedhimisht proruse.
Në kohën që edhe ambasadorët perëndimorë i përkrahin protestat antiregjim, të organizuara nga shoqëria civile në Shkup, madje edhe vetë marrin pjesë në to, VMRO+BDI akuzojnë se ato protesta i organizojnë struktura “sorosoide”, rrjedhimisht amerikane.
Ndoshta dikush habitet, por për mua kjo është e qartë: BDI-ja enveriste po kthehet në atdheun e saj mëmë Rusi: ndërmjet “imperialistëve” amerikanë dhe “revizionistëve” rusë, ata përsëri po i zgjedhin “shokët sovjetikë”. Ky ishte amaneti enverist!
Enver Hoxha: “Në vend të Ruzveltit – Stalini”.
Enveri Ynë: “Në vend të Obamës – Putini”.
P.S. Enveristët e dashuruar në Rusinë i përshëndes edhe disa strofa të një poezie të shkruar me rastin e vdekjes së Stalinit më 1953. Meqë autori i saj është penduar për të, nuk po ia përmend emrin.
…….
O shokë!
Për të fundit herë sot,
Babanë po përcjell turm’ e pasosur
Me dhembje të kulluar e me lot,
Me zemër të plagosur.
Dhe ja tani, mes heshtjes, në eter,
Një zë i njohur, qartë po dëgjohet.
Në emër tonë sot, shoku Enver,
Përpara tij betohet.
Në gjysmë shtizë flamurët era tund,
Gjëmime topash ndihen në hapësirë;
I jep Stalinit turma e pafund,
Të fundit lamtumirë.