Identiteti musliman i shqiptarëve dhe Evropa

Shkruan: Ismail BARDHOSHI

 

Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ai ka urdhëruar për ju të njëjtën fe, që ta shpalli ty (o Muhamed) dhe që pati urdhëruar për Nuhun, Ibrahimin, Musanë dhe Isanë; të besoni dhe të zbatoni gjithçka që përmban feja e Allahut (njësimin e Tij, besimin në të, bindjen ndaj të Dërguarve të Tij dhe pranimin e ligjeve të Tij) dhe të mos përçaheni në të. Për idhujtarët është e rëndë ajo, në të cilën po i fton ti (si teuhidi dhe braktisja e idhujtarisë). Allahu zgjedh për këtë fe kë të dojë dhe udhëzon drejt saj këdo që kthehet tek Ai me pendim e nënshtrim. Idhujtarët nuk u përçanë në fe, bindje e grupe të ndryshme, veçse pasi u erdhi dija, për shkak të zilisë egoiste ndërmjet tyre. Dhe sikur të mos kishte paraprirë fjala e Zotit tënd për shtyrjen e dënimit deri në një afat të caktuar, atyre do t’u përshpejtohej dënimi. Nuk ka dyshim se ata (jehuditë dhe kristianët) që trashëguan librin (Teuratin dhe Inxhilin) prej të parëve të tyre, dyshojnë thellë për të (për Kur’anin).

 

Andaj, fto për tek Allahu, qëndro i paepur në Islamin e pastër, ashtu siç je urdhëruar, mos i ndiq dëshirat e tyre dhe thuaj: Unë besoj çdo libër që e ka shpallur Allahu dhe jam urdh- ëruar që të gjykoj drejt midis jush” [Esh- Shura: 13-15]. “Vërtetë, kjo është feja juaj – fe e vetme (e cila është feja e të gjithë pejgamberëve), e Unë jam Zoti juaj, andaj më adhuroni vetëm Mua!” [El-Enbija: 92]. Nga këto ajete arrijmë në përfundimin se muslimanët si umet kanë identitetin e tyre, të cilin duhet ta mbrojnë, sepse, mungesa e identitetit shpie në mungesën e umetit, çka s’mund të jetë absolute, por relative. Me fjalë të tjera, aty ku muslimanët nuk tregohen vigjilentë për mbrojtjen e identitetit të tyre, pikërisht aty mund ta humbasin. Identiteti i muslimanit është feja e tij, e cila përfshin besimin, ibadetin, sjelljen, rendin, festat etj.

 

Muslimanët dallojnë në besimin e tyre; konceptin e tyre për Krijuesin dhe krijesat, në ritualet fetare, në rendin shoqëror etj. Burimi i identitetit të muslimani është Kur’ani dhe suneti. Zanafilla e këtij identiteti është që kur Allahu krijoi Ademin, i mori besën atij dhe pasardhësve të tij dhe e mëkëmbi në tokë për përmbushjen e fjalës së dhënë. Në thelb, identiteti i muslimanit shpreh respektimin e marrëveshjes së lidhur me Allahun. Mëkëmbja e njeriut në tokë dhe lidhja e marrëveshjes me të nënkupton se ai është më i rëndësishëm se toka dhe çka gjendet në të. Rrjedhimisht, vlerat njerëzore, si besimi në Allahun dhe në botën e përtejme, respekti ndaj prindërve, bamirësia ndaj farefisit, mbrojtja e mendjes, nderit dhe dinjitetit të njeriut, janë më të rëndë- sishme se vlerat materialiste, mjetet e prodhimit, apo prodhimi etj. Pikërisht ky është dallimi midis rendit shoqëror Islam dhe rendit materialist dhe, padyshim, kjo bazë ideologjike ka dhënë efektin e saj në mënyrën se si mendon, jeton dhe vepron secila shoqëri.

 

Rregulli që ka vënë Allahu për krijesat e tij është që bota materiale në tërësinë e saj t’i shërbejë vlerave shpirtërore të njeriut, ndërsa njeriu duhet të adhurojë vetëm Allahun. Respektimi i këtij rregulli sjell lumturi, drejtësi, qetësi, mirësi e begati të gjithanshme për njeriun. Ndërsa, mjerimi, padrejtësia, kaosi, trazirat dhe korrupsioni vijnë si pasojë e nëpërkëmbjes së këtij rregulli. Mungesa e dijes së vërtetë të bazuar te Kur’ani dhe suneti, përhapja e koncepteve të gabuara dhe bidateve, të dhënit pas dynjasë dhe plotësimit të dëshirave shkaktoi shpërbërjen e hilafetit osman, ku shqiptarët bënin pjesë dhe ishin të përfshirë në të gjithë strukturat drejtuese. Kjo solli si pasojë copëtimin e trojeve shqiptare, mënjanimin e ligjit të Sheriatit në mënyrë graduale, pushtimin e Kosovës dhe shumë viseve shqiptare nga Jugosllavia, spastrimin etnik të muslimanëve shqiptarë në Çamëri, vendosjen e regjimit totalitar komunist në Shqipëri, që kulmoi me mbylljen e fesë në ’67 dhe shembjen e xhamive. Këto pasoja patën në mënyrë të padiskutueshme ndikimin e tyre negativ në identitetin musliman të shqiptarëve.

 

Përpjekja për t’u ndryshuar identitetin shqiptarëve ka qenë e madhe, por edhe rezistenca e shqiptarëve për ruajtjen e tij nuk ka qenë e vogël. Ndonëse në Shqipëri komunistët ia dolën që të shkëpusnin shumicën e popullsisë nga besimi në Ditën e Gjykimit dhe t’i brumosnin në materializëm në sajë të diktaturës dhe propagandës materialiste antifetare, ata nuk arritën të shuanin ndjenjat e përkatësisë në botën Islame te shumica e tyre, nuk arritën të pengonin shumë njerëz nga besimi dhe ushtrimi i riteve fetare, nuk arritën të rrënonin vlerat fetaro-shoqërore si martesa, familja, lidhjet farefisnore etj. Me të rënë regjimi totalitar, zgjimi për të njohur fenë Islame dhe për ta praktikuar atë filloi kudo, sidomos në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, ku gjendja paraqitet më e mirë. Megjithëse regjimi Jugosllav u përpoq, duke përdorur mjete e mënyra të ndryshme për ndryshimin e bindjeve Islame dhe gjuhës shqipe, rezistenca e muslimanëve bëri që përpjekjet e tyre të dështojnë. Në përgjithësi, shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë i ruajnë bindjet Islame dhe i respektojnë ritet fetare.

 

 

Kjo rezistencë që Zoti i Lartësuar u mundësoi shqiptarëve me mirësinë e Tij, pa dyshim është domethënëse dhe përgëzuese. Ajo duhet të ngjallë interesin e predikuesve të fesë Islame dhe të mbarë muslimanëve për më shumë vigjilencë ndaj identitetit të tyre. Muslimanët duhet të përfitojnë nga përvoja e fituar përgjatë rezistencën në dekadat e kaluara dhe ta pasurojnë atë. Nuk është e logjikshme të mendojmë se beteja me keqdashësit e identitetit tonë ka përfunduar. Përkundrazi, tashmë duhet të jemi edhe më syhapur ndaj çfarëdolloj përpjekje që synon lëkundjen e bindjeve Islame dhe rrënimin e vlerave njerë- zore. Nuk do të ishte e papranueshme nëse do të thuhej që idetë që u serviren shqiptarëve nëpërmjet mjeteve të informacionit, institucioneve dhe teksteve arsimore, organizimeve dhe tubimeve të ndryshme, janë të fokusuara në zhveshjen e tyre nga identiteti Islam.

 

Një rast konkret është reagimi i zhurmshëm ndaj deklaratës së presidentit amerikan, në vigjilje të vizitës së tij në Tiranë që, shqiptarët janë muslimanë paqësore. Ndonëse ky është një pohim që i shërben strategjisë të politikave amerikane në botë, reagimi i protagonistëve të mediave nxori në pah qëllimet dhe orientimin e tyre. Rajoni ynë është në fazën e disa ndryshimeve të rëndësishme dhe përcaktuese. Në dhjetë qershor në Tiranë u shpall pavarësia e Kosovës dhe së shpejti ajo bëhet e pavarur nga Serbia, qoftë edhe formalisht, pasi realisht ka vite që nuk është pjesë e Serbisë. Vendet e rajonit tonë aderojnë në shumë organizata ndërkombëtare dhe ka gjasa që për pak vite të bëhen pjesë e Natos dhe e Bashkimit Evropian. Nga njëra anë, pavarësia e Kosovës nga Serbia dhe integrimi i vendeve të rajonit në BE u krijon mundësinë shqiptarëve që të shkëputen disi nga ndikimi i Serbisë dhe i Greqisë dhe kjo padyshim është në interes të tyre.

 

Por, nga ana tjetër dihet që unione të tilla krijohen për qëllime ideologjike dhe ekonomike. E thënë ndryshe në këtë kohë, kjo është gjetur si një mënyrë për të diktuar shtetet e fuqishme ekonomikisht e ushtarakisht vullnetin e tyre ndaj të tjerëve, për të rritur potencialin e tyre ekonomik e ushtarak, për të përhapur idetë dhe kulturën e tyre dhe për të zgjeruar ndikimin e tyre në arenën ndërkombëtare. Kështu që integrimi në strukturat euroatlantike përbën sfidën e radhës që duhet të përballen me të muslimanët shqiptarë. Pasi rendi shoqëror perëndimor bazohet në ideologjinë materialiste: i kushton rëndësi botës së këtushme dhe jo botës tjetër; i kushton më shumë rëndësi vlerave materiale se sa vlerave njerë- zore, çka sjellë si pasojë denatyrimin e njeriut. Më konkretisht, përmes sloganeve; liri, demokraci, barazi, emancipim të femrës, të drejtat e gruas dhe fëmijës, segmente të caktuar atje kanë arritur të shpërlajnë mendjet e njerëzve dhe të nxjerrin ne krye të tyre ata që realizojnë qëllimet e tyre, të përhapin veset e ulëta si homoseksualizmi, lizbizmi, imoraliteti; të përdorin femrën për degradimin e shoqërisë duke lejuar lidhjet seksuale pa ndonjë kriter, të nxjerrin fëmijët jashtë kontrollit familjar, të shkatërrojnë familjen, të ndërpresin lidhjet farefisnore etj.

 

Kjo nuk do të thotë se ide të tilla nuk ekzistojnë në vendin tonë, nuk kanë përkrahje dhe mund të importohen vetëm pas bashkimit me shoqëri të tilla. Përkundrazi, ato janë ekzistuese, për shkak se i stimulon ideologjia materialiste që mbizotëron në mendjet e politikanëve, analistëve, gazetarëve, intelektualëve, arsimtarëve etj. Përveç kësaj, qindra mijëra shqiptarë jetojnë në BE, mijëra shqiptarë arsimohen atje, shumë organizata dhe shoqata perëndimore veprojnë në vendet tona. Por në kushtet e një bashkimi tërësor dhe të gjithanshëm, këto ide mund të jenë më të pranishme, kështu që rreziku për humbjen e identitetit bëhet edhe më i madh.

 

Nuk është e udhës të mendohet se beteja për ruajtjen e identitetit quhet e fituar me shkëputjen nga ndikimi i Beogradit ose i Athinës, pasi globalizmi, drejt së cilit vendet tona ecin me shpejtësi nuk njeh dallime feje, kombësie, gjuhe, përkundrazi ai i shkrin të gjitha në një dogmë të vetme, e cila do t’i bëjë njerëzit shërbëtorë të protagonistëve të saj. Duhet të dihet që zakonisht shoqëritë e prapambetura priren për të imituar ato që kanë bërë progres material.

 

Ndaj, e shikoj të rëndë- sishme të përmend disa pika që duhet të kihen parasysh:

– Ngritja e nivelit të ndërgjegjësimit për sfidat ekzistuese dhe të pritshme.

– Vënia e objektivave të qarta për përballimin e tyre.

– Përpilimi, ose përkthimi i një sërë librash për rendin shoqëror në Islam dhe për vënien në dukje të të metave dhe pasojave të rendit materialist.

– Shfrytëzimi i mundësive dhe lirive që mund të na jepen për predikimin e fesë Islame.

– Bashkërendimi dhe bashkëveprimi ndërrajonal për ngritjen e institucioneve tona mediatike dhe arsimore për përhapjen e mendimit dhe kulturës Islame.

– Përfitimi nga përvoja që kanë muslimanët në perëndim në ruajtjen e identitetit të tyre Islam.

Korrik, 2007

Artikulli paraprakVIDEO – Provokimi i radhës te Burmali Xhamia
Artikulli vijuesRamadani: Pse BDI proteston jashtë orarit zyrtar të punës?!