Ikën “Sheraton” vjen “Hilton” në Tiranë

Ndërsa nga janari i këtij viti, hoteli Sheraton u largua nga Shqipëria, një tjetër linjë e njohur do të fillojë të presë klientët e parë në verë.

“Ne do të jemi të lumtur të mirëpresim mysafiret tanë së shpejti në Hilton Garden Inn Tirana. Hoteli, me 141 dhoma, dy suita dhe 6 salla moderne konferencash, pritet të hapet në verën e këtij viti”, ka pohuar drejtori i Përgjithshëm i Hilton Garden Inn Tirana, Z Michael Walker.

“Hilton Garden Inn Tirana është pjesë e markës së shumë vlersuar Hilton Garden Inn, i cili numëron mbi 750 hotele të shpërndara në të gjithë botën” tha Michael Walker.
Rritja e numrit të turistëve dhe lehtësitë fiskale të ofruara nga qeveria në paketën e fundit fiskale pritet të nxisin orientimin e investimeve vendase dhe të huaja drejt hoteleve me 4 dhe 5 yje. Sipas ndryshimeve të fundit ligjore, hotelet me 4 dhe 5 yje nuk do të paguajnë tatimfitim për një periudhë 10- vjeçare nëse arrijnë që të përfitojnë statusin special. Sipas ligjit përjashtimi nga tatimfitimi, aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë autorizimin nga Këshilli i Ministrave deri në dhjetor 2024. Efektet e përjashtimit nisin në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special.

Ligji “Për tatimin mbi Vlerën e Shtuar” këtë vit sjell një nivel të ri zbatimi ku së pari vendosjen e një niveli TVSH-je prej 6 për qind për furnzimin e shërbimeve që ofrohen në hotelet me 5 yje me status special. Deri dje ky nivel TVSH-je ofrohej vetëm për furnizimin e shërbimit të fjetjes në gjithë strukturat akomoduese në vend. Por trajtimi i diferencuar bëhet vetëm për ata me status special që do të thotë se edhe bar-restorantet, saunat, pishinat, shelzonget e këtyre hoteleve do të faturojnë shërbimin me 6% TVSH.

Hotelet kanë lehtësi edhe tek taksa e infrastrukturës. Për të gjithë ata që kanë statusin special si hotele me pesë yje taksa e infrastrukturës do të jetë zero ndërkohe që normalisht për këtë kategori ndërtimi në Bashkinë e Tiranës ajo aplikohet në 4% të vlerës totale të projektit ndërsa në bashkitë e tjera nga 1-3%./Monitor.al

Artikulli paraprakShqipëria me rregulla strikte mbi rrymën elektrike
Artikulli vijuesMbi 13 mijë biznese kanë falimentuar gjatë vitit 2017 në Shqipëri