Imami nga Shkupi, kryetar i forumit Islam në Mynih: Kjo është një tragjedi e madhe

Sot në vendin e ngjarjes ku ndodhi dje sulmi i armatosur në Mynih të Gjermanisë kanë dalë qindra qytetarë për të nderuar viktimat duke vendosur lule dhe duke bërë lutje për ta, raporton Anadolu Agency (AA).

Në vendin e tragjedisë për të nderuar viktimat ishte edhe Kryetari i Forumit Islam në Mynih, Benjamin Idriz nga Shkupi, i cili në një deklaratë për AA shprehu shqetësimet e tij, tmerrin e përjetuar, frikën dhe pasigurinë që mbizotëron në qytet por edhe më gjerë.

“Dje isha pranë xhamisë, pasi morëm informata se sulmi është duke ndodhur aty diku afër. Pastaj njerëzit filluan të iknin nga rrugët dhe ishin futur në xhami për t’u strehuar. Ishin diku rreth 30 persona, pjesa më e madhe jomuslimanë, shumica e të cilëve ishin turistë dhe pasi që u bllokua qyteti dhe nuk funksiononte as transporti publik dhe as ai ajror disa prej tyre atë natë kanë fjetur në xhami”, tha Idriz, imami i xhamisë së Penzbergut, duke shtuar se dje u pa një solidarizim i madh, ku të gjitha kishat dhe xhamitë i kishin hapur dyert për të strehuar njerëzit.

Ai më tej thekson se me familjet e viktimave nuk ka mundur ende të kontaktojë, por ndan dhimbjen me ta dhe u shprehi ngushëllimet e tij ndërsa beson se sot do ta vizitoj të plagosurin nga Bujanoci i cili është shtrirë në spital.

“Në vendin e tragjedisë kanë dalë shumë shqiptarë. Kjo është një tragjedi e madhe edhe për shqiptarët pasi tre nga të rinjtë e vrarë ishin shqiptarë (dy vajza dhe një djalë). Sot situata paraqitet e qetë, por e tensionuar”, thotë hafizi Benjamin Idriz.

Ai përmes një mesazhi porosit: “Kjo ngjarje tregon se me të vërtetë mungon edukimi i mirëfilltë familjar i fëmijëve që paraqitet si dukuri shqetësuese kudo në botë, ku njerëzit ndihen të frikësuar por njëkohësisht kjo ngjarje tregoi edhe një solidarizim ku të gjithë shprehën gatishmërinë për të ndihumuar, poashtu edhe kishat edhe xhamitë i hapën dyert për t’u strehuar. Shpresoj dhe lutem gjithnjë që ngjarje të tilla mos të ndodhin më akund në botë”, përfundon hoxha nga Shkupi.

Ndryshe, në sulmin e djeshëm terrorist në qendrën tregtare në Mynih humbën jetën nëntë persona prej të cilëve tre shqiptarë të moshës adoleshente nga Kosova ndërsa u plagos edhe një tjetër shqiptar nga Bujanoci. Kjo ka pikëlluar tejmase mërgimtarët por edhe mbarë opinionin.

Artikulli paraprakProfesori Isa Memishi: Gylenistët pasi që dëmtuan Turqinë, do ta dëmtojnë edhe Kosovën
Artikulli vijuesArrestohet nipi i Fetullah Gylenit në Turqi