Institucionet nuk bëjnë kompromis me dhunuesit

0
217
Intervistë ekskluzive me Reisul Ulema Sulejman ef. Rexhepi
 
Kjo është Intervista e parë e Reisul Ulemasë dhënë një media apo portal në gjuhën shqipe, që e jep eskluzivisht për Almakos pas ngjarjeve që ndodhën në BFI e që e tronditën mbarë opinionin musliman të vendit. Çka ndodhi? Si erdhi deri te kjo? Cili është roli i organeve të rendit për këtë gjendje status quo? Si të dilet nga kjo situatë? Janë vetëm disa çështje që i prekëm në këtë intervistë me kreun legjitim të BFI-së, me Reisul Ulemanë, H. Sulejman ef. Rexhepi
 
ALMAKOS: z. Reisul Ulema, ku jeni për momentin! Çka po bëhet brenda BFI-së?
 
REISUL ULEMA: Jam në krye të detyrës, duke i koordinuar punët me bashkëpunëtorët e mi në terren. Na presin shumë punë. Ja, muajin  tjetër hyjmë në Ramazan dhe, si çdo vite, edhe sivjet duhet të shënohet me sa më shumë aktivitete. Gjithsesi, ju kuptoj, dëshironi të dini nëse kam informacione rreth asaj se çka po ndodhë brenda BFI-së? Pa dyshim, brenda janë bashkëpunëtorët e mi, të rrethuar e të mbrojtur nga policia. Jam në koordinim të plotë edhe me ta, të cilët, meritojnë çdo respekt, sepse me trup po i mbrojnë vendet e tyre të punës nga tri-katër rebelë të pashoq.
 
ALMAKOS: Pse erdhi deri te kjo  pamje e shëmtuar e cila, dorën në zemër, nuk është se e ka lanë të qetë opinionin e gjerë të proveniencës islame në vend!
 
REISUL ULEMA: Po, u turpëruan para myslimanëve të vendit, ndërsa popullata e jonë e përjetoi shumë rëndë tërë këtë fotografi të turpshme. Si asnjëherë më parë, populli ynë, në unison, e ka sulmuar aktin e tyre antimusliman, kriminal. Ta sulmosh BFI-në, duhet të kesh mentalitetin e armikut të islamit, apo të jesh maniak, i pafytyrë, horr. Pse erdhi deri te kjo? Sepse paskemi pasur punë me bisha të “strehuar” brenda qenieve me pamje teologu! Nisi rebelimi i tyre, nisën sjelljet armiqësore të tyre, shantazhet, nisën veprimet e tyre të hapur kundër BFI-së dhe, më në fund, në mbledhjen e Rijasetit të BFI-së u hodh propozimi i cili u miratua unanimisht që këta persona të ndëshkohen me ndërrim të pozicioneve, pra, jo të përjashtohen, por, iu dha rast tjetër që të përmirësohen dhe të japin kontributin për avancimin e jetës fetare islame në vend. Me këtë masë nuk u pajtuan, domethënë nuk pranuan që të punojnë për islam! Këtë e vërteton edhe akti i fundit i tyre – uzurpimi kriminal i BFI-së dhe sjellja shtazarake me kolegët me të cilët deri dje kanë punuar bashkë. Sa trishtim e sa turp. Zoti ua pagoftë ashtu siç e kërkuan!
 
ALMAKOS: Çka po kërkojnë? Kanë shtruar kërkesa? Ju dini gjë?
 
REISUL ULEMA: E kërkojnë dorëheqjen time! Të gjitha organet e BFI-së, të gjitha institucionet e saj, unanimisht kërkojnë nga unë që të jem në krye të aktiviteteve dhe për asnjë milimetër mos të tërhiqem nga obligimet e përcaktuara me Kushtetutën tonë si dhe me aktet tona normative. Të tërhiqem sepse këtë e kërkojnë nja 3-4 kriminelë ndërsa ta tradhtoj kërkesën unanime të të gjitha organeve dhe institucioneve tona? Kjo është e rëndë, do të ishte më shumë se tradhti. As në mend nuk më shkon që t’ua plotësoj kërkesën djajve që deri dje mbanin petkun e teologut e që tani janë zhveshur tërësisht. 
 
ALMAKOS: E përmendët Kushtetutën dhe aktet normative të BFI-së. Por, këta “puçistë” dolën dje me një “interpretim autentik” mbi situatën e BFI dhe për “keqpërdorimet e juaja juridike”!
 
REISUL ULEMA: Të të shesin moral të pamoralshmit është shenjë e kjametit! Të të shesin rregulla anarkistët është po ashtu shenjë e kjametit! Të të shesin humanizëm kriminelët kjo është e barabartë me përmbytjen e të gjitha vlerave njerëzore. Paramendoni, 3-4 huliganë ta interpretojnë Kushtetutën dhe aktet normative sipas të cilave kanë punuar dhe deri dje edhe janë krenuar me rezultatet e arritura falë kësaj Kushtetute. Kurrë BFI nuk ka qenë më stabile dhe më e përkrahur se sa gjatë kësaj kohë sa është udhëhequr me këtë Kushtetutë. Paramendoni, deri para dy-tri jave me përkushtim maksimal i zbatonin dhe punonin sipas këtyre akteve normative dhe, për një moment, “përmbytet”  çdo gjë, nuk vlen asgjë! Kur? Pikërisht kur doli në sipërfaqe se do të zbardhet çështja “Monstra” nga “bombat “ e Zaevit! Dikush u përpoq që përmes këtyre akteve kriminale ta defokusojë interesin e muslimanëve tanë dhe, mos ta dinë të vërtetën e cila në një moment u shtrembërua duke hedhur faj madje edhe mbi nënën tonë 65 vjeçare duke e akuzuar si “terroriste muslimane që ka luftuar kundër NATO-s në Afganistan”! Zbardhja e kësaj afere të mjegullohet me aksione kriminale mbi BFI-në?! Ja në esencë cila është kërkesa monstruoze e këtyre mjeranëve?
 
ALMAKOS: z. Reisul Ulema, po i akuzoni kriminelë! Në çka i bazoni faktet e juaja për këtë akuzë?
 
REISUL ULEMA: Mbase keni të drejtë, po ngutemi edhe ne, por, duke qenë nga provenienca e jurisprudencës islame, kam bindjen se ky akt kështu do të përfundojë, me këtë zgjidhje: do të akuzohen për vepër kriminale! Bota e civilizuar këto ndërhyrje madje i quan edhe akte “të grupeve terroriste”! E dini se si veprojnë policët e një shteti demokratik nëse një grup të armatosurish futen në një, ta zëmë, supermarket duke i mbajtur peng dhe duke i keqtrajtuar qytetarët? Intervenon, merr masa të duhura ndaj tyre dhe, në fund, thonë “u eliminua grupi terrorist i cili…” Ky është përfundimi i së drejtës për një vepër penale! Thyerja e dyerve të një Institucioni që mbrohet me kushtetutën e shtetit, uzurpimi dhe kidnapimi i institucionit publik, është i ngjashëm sikur të sulmohet dhe të kidnapohet një ministri apo ndonjë institucion me relevancë. Kodi penal i shtetit tonë këtë akt e dënon prej 10 deri në 15 vjet burg!
 
ALMAKOS: Ku janë organet përgjegjëse shtetërore? Si reaguan ato? Sa jeni të kënaqur me organet e rendit dhe të sigurisë?
 
REISUL ULEMA: Me rolin që ia kanë caktuar vetes për momentin, jam i kënaqur, sepse janë shndërruar në një “mur të gjallë” në mes të huliganëve dhe të bashkëpunëtorëve të mi që janë aty brenda! Po e pengojnë më të keqen. Zoti ju dhënë të durim e shëndet, sepse dita ditës do të vjen çasti kur do t’i lëshojë edhe fuqia, edhe nervat edhe produktiviteti dhe, mund të vjen edhe te më e keqja. Pra, për këtë më gëzon fakti që ka policë brenda dhe që e mbajnë nën kontroll situatën. Por ama, nuk ka logjikë të shëndoshë që e justifikon këtë situatë të krijuar që nga ardhja e policisë. Organet e rendit dhe të sigurisë, në situate të puçit, të uzurpimit të dhunshëm, të kërcënimeve me armë, në situatë të realizimit të një synimi përmes armëve dhe dhunës, pra, në të tilla situate ata janë të thirrur për veprim, për eliminim të shkaktarëve dhe për normalizim të situatës në funksion të rrjedhave normale të punës dhe të aktiviteteve të përditshme. Në këtë pjesë të detyrës dhe obligimeve, dështoi shteti, dështuan orgtanet e saj të rendit e të sigurisë.  Kjo është më se e dënueshme, këtë sjellje nuk po e arsyetojnë asnjë nga faktorët relevantë dhe të korit diplomatik me të cilët jam në kontakte e në takime permanente. 
 
ALMAKOS: Si e shihni zgjidhjen e situatës? Ndonjë kompromis? Keni kërkuar ndërmjetësues?
 
REISUL ULEMA: Kompromis me dhunuesit nuk ka! Të kërkosh prej dikujt që të ndërmjetësojë në arritjen e ndonjë kompromisi në mes të BFI-së dhe grupeve të cilët Kodi Penal i trajton si dhunues e krimine
lë, vërtet është ofendim, është jashtë çdo logjike të shëndoshë. I vetmi kompromis  – të tërhiqen qetë dhe t’ju dorëzohen organeve të sigurisë, sa nuk ka ardhur deri te më e keqja! Nëse këta i kanë dhënë vetes të drejtë dhe liri për ta cenuar dinjitetin e një Institucioni, si guxojnë t’ua mohojnë dhe t’i pengojnë edhe të tjerët në realizimin “e kësaj të drejte”! Pra, këta nuk janë të vetëdijshëm se po e mbjellin një praktikë të tmerrshme për shoqërinë tonë dhe, çdo kush që ndërmjetëson në mes nesh dhe këtyre uzurpatorëve, në fakt do t’ju përçojë mesazh të gjithëve, çdo qytetari të Maqedonisë që, të mbledhin nja 40-50 vetë, ta sulmojnë një institucion shtetëror dhe ta quajnë veten ministër, kryeministër, drejtor, kryetar shteti apo Reisul Ulema. Më vjen shumë keq që paskam pasur bashkëpunëtorë të tillë, por këta duhet të përfundojnë prapa grilave. /Almakos