Intensifikohet bashkëpunimi me Turqinë në fushën e arsimit

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja është pritur nga ministri i Arsimit të Turqisë, Nabi Avci, me ç’rast është diskutuar për bashkëpunimin në fushën e arsimit të lartë, me theks të veçantë për nivelet e studimit Master dhe PhD (doktoratës).

Rëndësi e veçantë iu kushtua përgatitjes së kuadrove të reja, që do të shërbejnë për universitetet e reja publike në Kosovë, që pritet të fillojnë punën së shpejti, thuhet në komunikatën e MASHT-it.

Dy ministrat, gjatë darkës së përbashkët, ku ishin të pranishëm dhe përfaqësues të arsimit të mbi 80 prefekturave të Turqisë, u dakorduan që marrëveshjet e nënshkruara të japin rezultatet e duhura dhe të jenë një shtytje për rritjen e bashkëpunimit në të ardhmen.

Po ashtu, dy ministrat thanë se shteti i Kosovës dhe ai i Turqisë po bëjnë marrëveshje shumë të dobishme dhe si rezultat i kësaj popujt e dy vendeve tashmë kanë ndërtuar ura të bashkëpunimit dhe komunikimit.

Buja ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Unioni i Universiteteve Euro-Aziatike në Stamboll, ndërkaq gjatë ditës së sotme ai do të takohet edhe me përfaqësues të institucioneve tjera të arsimit, si dhe me udhëheqës të universiteteve më prestigjioze në Turqi./koha/kohaislame

Artikulli paraprakUP themelon Komisionin për Cilësi
Artikulli vijues“Shqipëria e madhe” praktikisht po funksionon