Gjurmëve të Sekiraqës

Për kapjen e Enver Sekiraqës është formuar një Task-Forcë Speciale në kuadër të Policisë së Kosovës. Burime brenda policisë thonë se e dinë që ai ndodhet në Kosovë. Sipas tyre, Sekiraqa është i gatshëm të dorëzohet, por vetëm në duart e EULEX’it.

Ka kohë që i shumëkërkuari Enver Sekiraqa ndodhet në Kosovë. Ai është parë tek sillet i lirë nëpër shumë vende të frekuentuara në Prishtinë dhe jashtë saj.
Këtë e di edhe Policia e Kosovës, prandaj ata kanë nisur një operacion të madh për kapjen e tij, por deri më tash pa sukses.
Mësohet se brenda policisë thonë se tashmë është formuar një Task-Forcë Speciale për kapjen e tij.
“Task-Forca është formuar në kuadër të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës. Ajo do të merret ekskluzivisht me kapjen e Sekiraqës”, ka thënë ky burim në kushte anonimiteti.
Formimi i kësaj Task-Force të veçantë, sipas të njëjtit burim, ka ndodhur pavarësisht faktit se Sekiraqa ka kohë që është shprehur i gatshëm të vetë dorëzohet.
“Ai është i gatshëm të dorëzohet, por me një kusht – jo në duart e Policisë së Kosovës, por vetëm të EULEX’it. Nuk po ka guxim të dorëzohet në polici, sepse po frikësohet se e vrasin”, sqaron burimi sipas të cilit është kjo arsyeja kryesore që ai tashmë ndodhet në Kosovë./Indeksonline/kohaislame

Artikulli paraprakIsa Mustafa po luan viktimën
Artikulli vijuesSherr me policët, ndalohet djali i deputetit Dash Peza