Interi është fitues i derbit të parë sezonal të Madonninës, pasi e ka mposhtur Milanin me rezultat 1-0 në kryendeshjen e javës së tretë të Serie A.
Ishte një gjysmë e parë mjaft argëtuese me lojë dinamike nga të dyja skuadrat, mungesa e vetme ishte goli.
Rasti më i mirë për Rossonerët ishte ai në fillim të ndeshjes, kur Adriano nuk arriti të shënonte përballë Handanovicit.
Ekipi që pati epitetin e mysafirit pati disa raste mjaft të mira për të shënuar, mirëpo mungoi konkretizimi nga faza ofensive.
Nerazzurrët, nga ana tjetër, e merrnin iniciativën në periudha të caktuara, porse rreziku vinte më shumë nga goditjet prej jashtë.
Shansin më të mirë për zikaltrit e pati Icardi në fund të pjesës së parë, i cili dështoi të realizonte i vetëm përballë Lopezit.
Skuadra e Milanit ishte më e zbehtë në fillim të gjysmës së dytë duke mos arritur të ndërtonte aksionet dhe shumë shpejt erdhi ndëshkimi.
Fredy Guarin pranoi një top nga Santon dhe dërgoi një goditje të pandalshme që përfundoi në rrjetin e Lopez (58’).
Pas golit të pranuar, kuqezinjtë krijuan disa raste dhe sulmuan vazhdimisht, por nuk arritën të tregoheshin efektivë.
Mario Balotelli rrezikoi në dy raste, një herë duke goditur shtyllën dhe tjetrin nga gjuajtja e lirë, por Handanovic ishte në vend.
Kjo është fitorja e tretë i Interit në tri javët e para dhe pozicionohet në krye të tabelës me nëntë pikë, dy më shumë se Chievo që mban vendin e dytë.
Milani, nga ana tjetër, është i 12-ti në tabelë me vetëm tri pikë të grumbulluara pas tri xhirove të para. /Telegrafi/