Irak, forcat kurde në ofensivë për rimarrjen e Sinjarit

Forcat kurde në veri të Irakut kanë ndërmarrë një ofensivë për të rimarrë nën kontroll Sinjarin, një qytet strategjik pranë kufirit me Sirinë, aktualisht në duart e Shtetit Islamik.

BBC raporton në edicionin e saj online se, ofensiva po mbështetet nga sulme ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Rimarrja e Sinjarit do të ndërpriste vijën e furnizimit mes bastioneve të ISIS në Raka dhe qytetit të Mosulit.

Kur qyteti ra në duart e militantëve islamikë vitin e kaluar, dhjetëra mijëra persona nga minoriteti Jazidi mbetën të bllokuar. Qindra burra u vranë dhe mijëra gra dhe vajza u kapën e u përdorën si skllave seksi.

Masakrat në fjalë ishin një prej arsyeve pse Shtetet e Bashkuara nisën operacionet ajrore kundër pozicioneve të ISIS në Irak, për të shmangur degradimin në një genocid të pastër.

Ofensiva e trupave kurde nisi në agim, me një seri sulmesh ajrore të koalicionit, që shkaktonin re të mëdha tymi rreth Sinjarit.

Qyteti shtrihet në këmbët e malit me të njëjtin emër dhe ka pozicion strategjik për faktin se ndodhet në kufi me Sirinë. Nga ana e tyre, trupat kurde peshmerga sulmuan me raketa dhe më pas nisën avancimin në terren.

Sipas raportimeve të BBC, ato janë të vendosura për ta rimarrë qytetin dhe e kanë quajtur ofensivën “Operacioni për çlirimin e Sinjarit”. Në të janë angazhuar rreth 7.500 luftëtarë./Top-Channel

Artikulli paraprakSekuestrohen 10 kg kanabis në portin e Durrësit
Artikulli vijuesRusia bëri shumë për Kosovën “e Serbisë”