Iran: Hedhet poshtë involvimi në sulmin në Bullgari

I dërguari i Iranit në Bullgari, Gholamreza Bageri, i ka hedhur poshtë akuzat se Teherani ishte i involvuar në sulmin me bombë në autobus në Burgas të Bullgarisë, vitin e kaluar, nga i cili ishin vrarë pesë turistë izraelitë.

Zoti Bageri tha sot se Irani “nuk ka asgjë të përbashkët me këtë sulm” dhe se vendi i tij është “kundër çfarëdo forme të terrorizmit dhe fuqishëm i dënon aksionet e tilla”.

Këto komente u bënë pasi një raport zyrtar bullgar, i publikuar ditën e martë, thoshte se hetuesit kishin “arsye të bazuara për të sugjeruar” se dy njerëz të dyshuar për sulmin e 18 korrikut të vitit 2012, ishin pjesëtarë të grupit islamik shiit libanez, të mbështetur nga Irani, Hizballah.

Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Bashkimi Evropian, që Hizballahun ta shtojnë në lsitën e vet të organizatave terroriste.

Hizballahu është pjesë e qeverisë së Libanit dhe e ka hedhur poshtë çfarëdo roli në sulm.

Artikulli paraprakAsus me tablet të fuqizuar nga Intel
Artikulli vijuesMinistri i Mbrojtjes së Turqisë, Ismet Jilmaz, u takua me imamin dr.Shefqet Krasniqi