"Irani do të pushtojë Lindjen e Mesme"

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka sulmuar marrëveshjen kornizë të arritur mes fuqive botërore dhe Iranit, duke thënë se e lë “vendin kryesor terrorist të botës me një infrastrukturë të madhe bërthamore” që në fund të fundit do të rezultojë në prodhimin e një arme bërthamore.
 
Kryeministri izraelit foli sot në emisionin Meet the Press të rrjetit NBC ku tha se me heqjen e sanksioneve aktuale kundër Teheranit, Irani do të jetë në gjendje të investojë miliarda dollarë për makinerinë e tij terroriste dhe të “pushtojë Lindjen e Mesme”.
 
Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif thotë se Teherani do të jetë në gjendje të rikthehet në nivelet aktuale të aktivitetit bërthamor nëse Perëndimi tërheq marrëveshjen e fundit që pritet të finalizohet në qershor.
 
Në komentet për televizionin shtetëror iranian dje, zoti Zarifi tha se Irani ruan opsionin për t’u kthyer në aktivitet të plotë bërthamor nëse shkelet marrëveshja nga pala tjetër.
 
Ministri iranian shtoi se Irani i kishte thënë Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry gjatë negociatave në Lozanë të eliminohet fraza “pezullimi apo heqja e sanksioneve” dhe të zëvendësohet me frazën “përfundimi i sanksioneve”, njofton voa.
 
Zoti Zarifi tha se në momentin kur Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike konfirmon se Irani po respekton marrëveshjen ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara duhet të heqin të gjitha sanksionet ekonomike dhe financiare kundër Iranit.
 
Presidenti Obama tha dje në fjalimin e përjavshëm se Irani ka rënë dakord se nuk do të mbajë rezerva materialesh që nevojiten për të prodhuar armë bërthamore dhe se marrëveshja bazohet në inspektime të pashembullta ndërkombëtare për të vërtetuar respektimin e termave.
Artikulli paraprakSë shpejti në shitje Mercedes C160
Artikulli vijuesTentim për përdhunim të vajzës 17 vjeçare në Kondovë