ISKP: Enver Hasani po flet shumë

Institut i specializuar për çështje kushtetuese (ISKP), që përcjellë punën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, reagon ndaj prononcimeve të shpeshta publike të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Enver Hasani, madje edhe për çështjet politike që nuk lidhen fare me Gjykatën Kushtetuese.

“Duke e ditur rëndësinë dhe rolin e Gjykatës Kushtetuese në sistemin juridik, ISKP e vlerëson shqetësues këtë fakt, i cili lidhet direkt me kredibilitetin dhe rëndësinë e vetë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Përveç kësaj, ky fakt është edhe në kundërshtim me praktikat e gjykatave më të avancuara kushtetuese në mbarë globin. Madje, në shumë vende të tjera kryetari i Gjykatës Kushtetuese është personi i fundit që shpreh mendime përmes prononcimeve mediale për çështjet e caktuara, e aq më shumë ato politike”, thuhet në një kumtesë të ISKP-së.

Ky institut ka analizuar praktikat e vendeve më të avancuara – sa i përket funksionimit të Gjykatës Kushtetuese – si dhe sjelljen e saj në raport me prononcimet mediale. ISKP dhe ka vërejtur që kryetari i Gjykatës, e aq më pak gjyqtarët, janë shumë të rezervuar në raport me paraqitjet publike.

“Kësisoj ‘Neni 18, paragrafi 2 i ligjit për Gjykatën Kushtetuese Federale ne Gjermani, i lejon gjyqtareve në Gjykatën Kushtetuese që ata të shprehen vetëm në cilësi të ekspertit për një çështje të caktuar, e cila nuk është objekt shqyrtimi në gjykatë’. Situatë e ngjashme, sikur në Gjermani, është edhe në Spanjë, ku kryetari dhe gjyqtarët janë të rezervuar sa i përket prononcimeve publike, sidomos për çështjet që janë në shqyrtim ose janë shqyrtuar në Gjykatën Kushtetuese. Edhe vendi ku ka lindur Gjykata Kushtetuese, Austria, ka instaluar kufizime karshi paraqitjes publike të Kryetarit dhe gjyqtarëve. Në Austri, në rregullat e Gjykatës Kushtetuese theksohet vetëm roli menaxhues i kryetarit të gjykatës dhe i nënvizohet hapësira e pjesëmarrjes në ceremoni te ndryshme. Por, specifikohet se fjalimet publike të kryetarit duhet të ndërlidhen me pozitën e tij reprezentative dhe asnjëherë përmbajtjesore. Në bazë të kësaj, i bie që fjalimet publike të Kryetarit të Gjykatës në Austri janë shumë të kufizuara dhe asnjëherë nuk nënkuptojnë prononcimin e tij për çështje që shqyrtohen apo janë shqyrtuar in meritum në Gjykatën Kushtetuese. Po ashtu ligji për Gjykatën Kushtetuese të Austrisë kërkon që për çdo publikim që bëhet nga gjykata, të merret një vendim paraprak nga ana e trupit gjykues”, thuhet në reagim.

Rast tjetër interesant që ka analizuar ISKP është edhe Republika e Shqipërisë, ku Gjykata Kushtetuese në vitet e para të themelimit të saj, e veçanërisht kryetari i saj, ndiqte një politikë shumë aktive në raport me mediat duke u prononcuar për çështje të ndryshme, përfshirë edhe komentimin e vendimeve. Por, kjo praktikë u ndryshua shumë shpejtë, sepse u pa qartë që po degradohet Gjykata Kushtetuese e këtij vendi!

“Po të shohim tani, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, si dhe kryetari i saj, si person menaxhues i kësaj gjykate, është shumë i rezervuar në raport me media. ISKP ka vërejtur që rregullativa ligjore e Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Kosovës, sa i përket relacionit me media të kësaj gjykate, nuk thotë diçka më shumë, përpos neni 19 të Rregullores së Gjykatës Kushtetuese i cili e rregullon në mënyrë të përgjithshme dhe indirekte çështjen e qasjes së kësaj gjykate në publik: ‘Të gjithë gjyqtarët, Sekretari i Përgjithshëm dhe personeli i Sekretariatit, dhe këshilltarët ligjorë nuk shprehin në publik kurrfarë komentesh dhe mendimesh në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me lëndët që i janë parashtruar ose që mund t’i parashtrohen Gjykatës, përveç nëse përcaktohet ndryshe në këtë Rregullore’”.

Duke parë me shqetësim këtë gjendje të krijuar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe duke parë praktikat e Gjykatave të tjera Kushtetuese në vendet me traditë në Gjyqësinë Kushtetuese, ISKP jep këto rekomandime:

– Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës të jetë i rezervuar karshi paraqitjes së tij në media, me theks të veçantë të rezervohet në komentimin e rasteve që janë shqyrtuar dhe që po shqyrtohen in meritum në Gjykatën Kushtetuese – ose vendimeve të kësaj gjykate. Paraqitja e tij të kufizohet vetëm në dhënien e mendimeve profesionale në cilësinë e ekspertit, si dhe prezantimin e mbarëvajtjes së punës së Gjykatës – në cilësinë reprezentative dhe menaxhuese të saj;

– Paraqitja e shpeshtë dhe qasja e tillë në raport me publikun, e në veçanti deklarimet e shpeshta në media rrezikon kredibilitetin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, si dhe degradon në masë të madhe rolin që ka kjo gjykatë në sistemin juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës. Kjo po ashtu mund të krijojë efekte kontraproduktive dhe qasje iluzioniste për rolin e kësaj gjykate;

– Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës duhet të plotësojë ose standardizojë kornizën ligjore, konform praktikave më të mira – sa i përket rasteve dhe mënyrës së paraqitjes në medie të zyrtarëve, e veçanërisht kryetarit të Gjykatës Kushtetuese;

– Gjykata Kushtetuese nuk duhet të ngatërrojë teorinë e ashtuquajtur të aktivizmit gjyqësor (politikën aktive) të Gjykatës Kushtetuese, sepse kjo teori nuk nënkupton edhe aktivizmin në relacion me paraqitjen dhe komentimin e akteve të Gjykatës Kushtetuese në media, por nënkupton aktivizmin në kuptimin e kryerjes së punëve që i takojnë kësaj gjykate.kohaislame

Artikulli paraprakBerisha ndërkombëtarëve: 100 vjet më parë na ndatë padrejtësisht
Artikulli vijues10 MIJË EURO BILETA E PACOLLIT, 3 MIJË E ATIFETËS DHE E THAÇIT