“Islami i moderuar” made in America

Kultivimi i “muslimanëve të moderuar” gradualisht filloi të përputhej me përpjekjet e forcave të rendit për të identifikuar dhe parandaluar “radikalizmin” në mesin e të rinjve muslimanë.

11 Shtatori ishte mjaft tronditës për muslimanët amerikanë. Por kjo pati të paktën një anë pozitive: predikuesve të rastësishëm – të cilët vazhdimisht ankoheshin për çdo aspekt të ekzistencës amerikane – iu desh të heshtnin ose të largoheshin. Veçanërisht emigrantëve muslimanë iu desh të vendosnin nëse ishin për zvarritjen e gjatë apo ajo. Si pasojë, angazhimi i muslimanëve amerikanë ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe pranimit të një shoqërie pluraliste u bë një çështje e domosdoshme. Besoj se kështu ishte për shumicën e muslimanëve para 11 Shtatorit, por ato sulme thjeshtë na bënë që ta konfirmonim këtë në mënyrë më aktive.

Sigurisht, 11 Shtatori e ndryshoi mëmyrën si i shihte muslimanët struktura shtetërore (e me këtë kam parasysh organet e qeverisë në nivel shtetëror dhe federal, strukturën e mediave kryesore dhe think-tanket e lidhura me këtë). Që prej 11 Shtatorit, muslimanët janë parë nga shumë njerëz kryesisht si një problem për sigurinë. Strategjia kryesore për ta menaxhuar këtë popullsi të “kontrolluar” ishte promovimi i “muslimanëve të moderuar,” model i cili u formulua në raportin e njohur të vitit 2007 RAND “Ndërtimi i Rrjetit të Muslimanëve të moderuar.”

Sipas raportit, “Muslimanët e Moderuar” besojnë në demokraci, shekullarizëm, liri, barazi gjinore dhe hedhin poshtë pothuajse të gjithë Sheriatin, e mbi të gjitha, mohojnë “dhunën jolegjitime.” Raporti sugjeron se qeveria amerikane duhet t’i lëvrojë muslimanët e moderuar nga shkollat e meposhtme të mendimit: muslimanët shekullaristë, muslimanët liberalë, ulematë e moderuar tradicionalistë dhe sufitë (përfshirja e selefijve as që bëhej fjalë, por nga ana tjetër Lëvizja Gylen mori lavdërime të mëdha). Në mënyrë të veçantë, raporti sugjeron që kandidatër për “muslimanë të moderuar” duhet të kërkoheshin në mesin e shkollarëve të rinj fetarë, aktivistëve në komunitet dhe në mesin e gazetarëve të moderuar.

Nga fundi i viteve 2000, kultivimi i “muslimanëve të moderuar” gradualisht filloi të përputhej me përpjekjet e forcave të rendit për të identifikuar dhe parandaluar “radikalizmin” në mesin e të rinjve muslimanë. Përpjekje të cilat u bënë në kuadrin e Luftës ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm (CVE, ang.).

(Shënim: Ashtu si me termin e pa qartë të “terrorizmit”, nuk ka patur pajtueshmëri as mbi atë se çfarë do të thotë “radikalizëm” në të vërtetë. Shpeshherë përdoret për të përshkruar bindjet ekstremiste… që në pjesën më të madhe duket se do të thotë (bindje) jo në përputhje me mendimin “kryesor” apo “popullor”. Ky përkufizim është shumë problematik pasi është tërësisht relativ, siç e kanë theksuar disa të krishterë, të cilët panë nëse futeshin dhe ata në spektrumin e “ekstremizmit”. Në Mbretërinë e Bashkuar, diskutimi mbi problemin e përcaktimit të esktremizmit ka qenë mjaft i gjallë. Si përfundim, është e qartë se nuk ekziston një metodologji koherente në përcaktimin e “ekstremizmit”).

Administrata Obama nisi artikulimin e CVE-së në gusht të vitit 2011, duke shërbyer si lokomotivë për programin e PVE-së (Parandalimit të Ekstremizmit të Dhunshëm, sh.p.) në Mbretërinë e Bashkuar pas sulmeve me bomba në Londër më 7 Korrik 2005.

Përpjekjet e qeverisë për të policuar mënyrën si duhej të kuptohej apo shprehej Islami dhe promovimi i “muslimanëve të moderuar” çuan në vitin 2011 në atë që Samuel Rascoff e ka quajtur “Islami i krijuar” – version i Islamit zyrtar sipas qeverisë amerikane. Skicat dhe format e këtij “Islamit të krijuar” janë të njohura për ne tashmë pasi kanë prekur jetët tona me anë të presionit të vazhdueshëm të pritshmerive. Unë do të thoja se muslimanët tashmë e kanë treguar prej kohësh përkushtimin e tyre ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe tolerancën ndaj të tjerëve (kjo është dokumentuar qartë nga një studim i qendrës Pew në vitin 2011 rreth muslimanëve në Amerikë).

Por, “muslimanët e moderuar” duhej të bënin më shumë. Ata duhej të bënin me dije se e vetmja dhunë e lejuar ishte ajo e kryer nga ushtritë e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj. Asnjë lloj dhune tjetër, përfshirë vetëmbrojtjen e popujve të pushtuar, nuk ishte e pranueshme. Siç e ka argumentuar me shumë mjeshtëri edhe Arun Kundnani, atyre iu desh ta depolitizonin vetën nga çdo lloj mendimi apo ndjenje që mund të sfidonte tiparet e vendosura të politikës së jashtme amerikane. Opinione tabu konsiderohet çdo kundërshtim ndaj pushtimit apo shpronësimit të tokës palestineze nga Izraeli dhe kundërshtimi ndaj abuzimit të vazhdueshëm kundër popullit palestinez. Në dijeninë time, nuk mund të jesh një musliman në përputhje me strukturat shtetërore nëse artikulon qoftë edhe një kritikë ndaj politikave të Izraelit apo sponzorizimin që i bën Amerika.

Një administratë e mundshme me Klintonin me shumë gjasa do të kishte vazhduar të njejtën atmosferë që ka mbizotëruar gjatë kohës së Obamës: muslimanët mund t’i qaseshin pushtetit nëse do të hiqnin dorë nga kundërshtimi i politikës së jashtme amerikane dhe do të përqafonin një axhendë progresiste.

Por një tundim i tillë nuk do të ekzistojë gjatë administratës së Trumpit. Ambasadori i tij në Izrael i krahason hebrenjt që janë sioniostë të moderuar me ata që bashkëpunuan me nazozmin. Ndërsa këshilltari i Trumpit mbi sigurinë kombëtare as që e konsideron Islamin fe (është ideologji politike pati deklaruar Michael Flynn).

Shkëputur me shkurtime nga artikulli “Moderate Islam” & Muslim American Leadership: Reflections Before the Deluge, me autor Dr. Jonathan Brown.

Artikulli paraprakSi do të duket dhe çka do të sjellë Galaxy S8?
Artikulli vijuesFuqia e fjalës FALAS