Istigfari: Mirësitë, dobitë, format, tregimi dhe thëniet rreth tij

A dëshiron t’i shlyesh mëkatet, t’i shtosh shpërblimet dhe t’i ngresh lart shkallët tek Allahu?
A dëshiron pasardhës të mirë, pasuri hallall dhe furnizim pa fund?
A dëshiron rehati dhe qetësi të zemrës?
A dëshiron shëndet në trup dhe shpëtim nga sëmundjet?
Atëherë… bëj shumë istigfar.

Nuk ka dyshim se jemi të urdhëruar me istigfar, duke u bazuar në fjalën e Allahut: ”…kërkoni falje…”.
Nuk është patjetër që istigfari të bëhet vetëm atëherë kur bëjmë mëkate, njeriu mund të kërkojë falje për gjëra që ka bërë në të kaluarën e tij, pastaj njeriu mund të gabojë duke mos qenë i vetëdijshëm se ai ka gabuar, apo mund të mëkatojë duke mos qenë i vetëdijshëm se ai ka mëkatuar.

Mirësitë e istigfarit
1- Është adhurim ndaj Allahut të Lartësuar.
2- Shkak për faljen e mëkateve, ajeti thotë: “Unë u thashë: “Kërkoni falje Zotit tuaj, se Ai vërtetë fal shumë”. (Nuh, 10)
3- Shkak për zbritjen e shiut, ajeti thotë: “Ai ju lëshon nga qielli shi me bollëk”. (Nuh, 11)
4- Shkak për shtimin e pasurisë dhe fëmijëve, ajeti thotë: “Ju shumon pasurinë dhe fëmijët…”. (Nuh, 12)
5- Shkak për hyrje në xhenete, ajeti thotë: “…ju bën të keni kopshte dhe ju jep lumenj”. (Nuh, 12)
6- Shkak për shtimin e fuqisë, ajeti thotë: “…dhe fuqisë suaj i shton fuqi…”. (Hude, 52)
7- Shkak për mirësi, ajeti thotë: “…se Ai do t’ju mundësojë përjetime të mira…”. (Hude, 3)
8- Shkak për largimin e sprovave, ajeti thotë: “… Allahu nuk do t’i dënojë, nëse ata kërkojnë falje (istigfare). (Enfale, 33)
9- Çdo njërit ia jep shpërblimin, ajeti thotë: “…dhe çdo punëmiri i jep shpërblimin e merituar”. (Hud, 3)
10- Shkak për zbritjen e mëshirës së Allahut, ajeti thotë: “…pse të mos i kërkoni falje Allahut që të mëshiroheni”. (Neml, 46)
11- Shpagim i tubimit duke e pasuar Muhamedin (alejhi selam) i cili në çdo tubim kërkonte falje 70 herë, në një transmetim (tjetër) 100 herë.

Koha e istigfarit

Është legjitim në çdo kohë, bëhet obligim atëherë kur robi bën mëkate dhe është i pëlqyeshëm pas punëve të mira, si p.sh. istigfari tri herë pas faljes së namazit dhe istigfari pas kryerjes së haxhit, etj.

Format e istigfarit
1- Duaja e istigfarit: Allah Ti je Zoti im, nuk ka të adhuruar tjetër përveç Teje, Ti më ke krijuar dhe unë jam robi Yt, do të qëndroj besnik ndaj marrëveshjes dhe premtimit Tënd, sa të kem mundësi; Kërkoj mbrojtjen Tënde nga e keqja që kam vepruar, Unë pranoj se më ke begatuar me dhunti, i pranoj mëkatet e mia, prandaj më fal, ngase mëkatet nuk i fal askush tjetër përveç Teje.

2- Estagfirullah
3- Rabig firli
4- Allahume ini dhalemtu nefsi fagfir li, feinehu la jagfirudh-dhunube ila ente.
5- Estagfirullahel-ledhi la ilahe ila huvel hajul kajum ve etubu ilejh.

Dobitë e istigfarit
a) Largon shejtanin
b) E kënaq Allahun
c) Largon brengat dhe pikëllimet
ç) Sjell rehatinë dhe gëzimin
d) Ndriçon fytyrën
dh) Sjell rrizkun
e) Gjallëron zemrën
ë) Fshin mëkatet
f) Ndihmon robin në raste vështirësie
g) Të ndalon nga përgojimi, gënjeshtra, bartja e fjalëve dhe fjalët e ndyta
gj) Të afron me botën tjetër dhe të largon nga kjo botë
h) Sjell fitoren ndaj armikut

Thënie rreth istigfarit:
1- Lukmani (alejhi selam) i ka thënë birit të tij: “O biri im! Mësoje gjuhën me istigfare, sepse Allahu në disa kohë nuk e kthen lutësin.”
2- Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Fatlum është ai që në fletushkën e tij gjen shumë istigfare”.
3- Katade, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Vërtetë ky Kur’an ju tregon për sëmundjen dhe ilaçin. Sëmundja juaj janë mëkatet, ndërsa ilaçi juaj është istigfari.”
4- Hasen Basri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Shpeshtoni istigfarin në shtëpitë, takimet, rrugët, tregjet dhe në ndejat tuaja, sepse nuk dihet kur zbret falja nga Allahu.”

Tregim për dobinë e istigfarit
Tregimi ka ndodhur në kohën e Imam Ahmedit, Allahu e mëshiroftë.
Imam Ahmedi në një udhëtim dëshironte ta kalonte natën në xhami, por u pengua nga rojtari i xhamisë.
U përpoq ta bindte, por s’kishte asnjë rezultat. Rojtari e tërhoqi dhe e nxori nga xhamia me forcë. Ndërsa tek imami vëreheshin shenjat e përulësisë dhe pleqërisë.
Atë e pa një bukëpjekës dhe i propozoi të qëndrojë tek ai dhe Imam Ahmedi pranoi. Bukëpjekësi e nderoi pa masë.
Më pas bukëpjekësi filloi ta përgatisë brumin, ndërsa Imam Ahmedi e dëgjoi atë duke bërë shumë istigfar (pandërprerë). Kaloi një kohë dhe ai ende po bënte istigfar.
Kur u zgjua imami, e pyeti për istigfarin e natës dhe ai u përgjigj: “Unë gjatë gjithë kohës duke përgatitur brumin, bëj istigfar.”
Imam Ahmedi e pyeti: “A i ke gjetur frytet e istigfarit?” (edhe pse ai i dinte frytet, dobitë dhe mirësitë e istigfarit)
Bukëpjekësi u përgjigj: “Po, pasha Allahun nuk kam bërë ndonjë lutje e të mos më jetë pranuar, pos njërës.”
Imam Ahmedi i tha: “Cila është ajo?”
Bukëpjekësi tha: “Ta shoh Imam Ahmed b Hambelin.”
Imam Ahmedi i tha: “Unë jam Ahmed b Hambel dhe jam tërhequr me forcë drejt tij.”

Përshtati: Valdet Kamberi

Artikulli paraprakGoogle zbulon mënyrën se si t’i transformojë syzet tuaja në Google Glass
Artikulli vijuesBurrat dhe shamitë