Njeriu të cilit Allahu ia pranoi çdo lutje

Njeriu te cilit Allahu ia pranoi cdo lutje

A keni dëgjuar ndonjëherë për Utbe El – Gulamin? Atë, Imam Edh-Dhehebiu në Sijar e’lam En nubela e ka përshkruar si zahid, të bindur ndaj Allahut, dhe që ia ka pasur frikën Allahut.

Sa i përket gjendjes së tij, ai ka qenë sikur Hasan El-Basriu. Ishte i njohur për qarjet e tij të shpeshta, e kjo ishte për shkak të lutjes e cila i është plotësuar. Ai kërkoi nga Allahu tri gjëra – shumë lot, zë të bukur dhe furnizim nga nuk e pret. Allahu ia plotësoi dëshirën.
Ishte i njohur për atë ngase qante shumë lehtë sa herë që gjendej në hallkat e dijes. Kur lexonte Kur’an ai qante dhe bënte që edhe të tjerët të qajnë për shkak të sinqeritetit dhe zërit të tij të bukur, ndërsa kur kthehej në shtëpi gjente furnizimin që nuk e dinte prej nga i vinte.
Në pleqëri ai pësoi një goditje në tru dhe gjysma e trupit të tij u paralizua. E luti Allahun që t’ia liroj gjymtyrët gjatë marrjes së abdestit dhe namazit. Allahu ia pranoi lutjen dhe gjatë kohës së namazit trupi i tij kthehej në gjendje normale, ai merrte abdes dhe falej dhe pastaj trupi i tij përsëri paralizohej.
Vëni re, ai nuk kërkoi nga Allahu që ta shëroj plotësisht, por donte ta ndiente ëmbëlsinë e adhurimeve të dashura të tij kështu që vetëm ato i kërkoi, dhe vendosi të jetë i durueshëm dhe të kërkoj shpërblimin nga Allahu për paralizën.
Një besimtar i vërtetë gjithë jetën ia përkushton Zotit të tij, çdo psherëtimë, çdo lëvizje të syrit e bën që ta fitoj kënaqësinë e Krijuesit. Në këtë gjendje besimtari e harmonizon edhe jetën e tij.
Ky tregim gjithsesi na kujton tregime për shumë besimtarë të devotshëm, njerëz që me paraqitjen dhe pamjen e tyre nuk zbulojnë asgjë të “rëndësishme” në sytë e të tjerëve, por vlerën e tyre fisnike e prezantojnë në mizanin e Allahut.
Ky tregim përkujton një plakë në moshë të shtyer nga hapësirat tona ballkanike e cila kishte filluar të humbte shikimin, por lutja e saj ishte: “Lus Allahun që të ma ruaj shikimin që të kem mundësi ta lexoj Kuranin, kjo do të jetë dhimbja ime më e madhe nëse verbërohem”.
A mund ta krahasojmë gjendjen tonë me atë të paraardhësve tanë të devotshëm? Lusim Allahun xh.sh., të na dhuron dashurinë e vërtetë për Islamin. Veprat flasin më shum se fjalët, ndërsa veprat tona flasin një tregim shumë shqetësues.

Artikulli paraprak“Mos e ngrini zërin tash, se ju nuk keni ndihmën Tonë!” (Mu’minun, 65).
Artikulli vijuesKulmi! Në supermarktet e Kosovës shiten lojëra horror për fëmijët (kujdes, pamje të rënda)