Itali, masakroi familjen tre anëtarëshe për 500 euro

“Po, i vrava unë. Veprova i vetëm”, ky është rrëfimi shokues i një vrasësi 56-vjeçar në Torino të Italisë, që ka pranuar krimin e trefishtë pas trysnisë së hetimeve të policisë.
Sipas mediave italiane, ngjarja, që ka tronditur jo vetëm banorët e qytetit verior por gjithë Italisë, ka ndodhur javën e kaluar, kur Giorgio Palmieri vrau tre anëtarët e një familjeje.

Palmieri ishte person i njohur nga viktimat, pasi gruaja me të cilën bashkëjetonte kishte punuar si shërbyese në shtëpinë e tyre. Kjo e fundit ishte dëbuar pak kohë para vrasjeve pasi dyshohej për vjedhje, transmeton TCH.

Nga hetimet e policisë është zbuluar se Palmieri e kreu masakrën për shkak të një borxhi prej 500 eurosh që i detyrohej familjes Allione, që jetonte në një vilë dykatëshe.

Sipas burimeve mediatike, 56-vjeçari kishte vajtur të premten e kaluar në vilë për të folur me familjen, për t’u treguar se nuk kishte mundësi të shlyente borxhin e tij. Por kjo ka sjellë një përplasje verbale me anëtarët e familjes Allione, që më pas ka degraduar në masakër.

Fillimisht autori ka vrarë të zotin e shtëpisë, 66 vjeç, bashkëshorten e tij një vit më të re dhe më pas të ëmën e kësaj të fundit, me thikën e përdorur për hapjen e zarfave. Para se të largohej nga vila, ai ka vjedhur edhe 100 euro.

Mediat italiane shtojnë më tej se autori i krimit është bllokuar nga hetuesit për shkak të tabulateve telefonike që tregonin kontaktet e tij ditën e krimit, si dhe disa prova materiale të mbledhura në vendin e ngjarjes.

Artikulli paraprakEgjipt, policia arreston 80 anëtarë të Vëllezërve Musliman
Artikulli vijuesQeveria e Kosovës ndan 1.7 milion euro për “Policinë e MUP-it”