OCHA deklaroi se punimet për rindërtim në Gaza janë ndaluar për shkak se Izraeli bllokoi hyrjen e çimentos.
Zyra për Çështje Humanitare (OCCHA) pranë Kombeve të Bashkuara deklaroi se punimet për rindërtim në Gaza janë ndaluar, për shkak se Izraeli ka bllokuar hyrjen e çimentos, raporton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën me shkrim nga OCHA, njoftohet se OKB ka mbetur e detyruar t’i ndërpresë ndihmat në punimet e rindërtimit në Gaza për arsye të mungesës së materialeve ndërtimore.
Në deklaratë më tej thuhet se të gjitha organizatat kontribuuese janë detyruar t’i ndërpresin mbështetjet financiare për rindërtimin e shtëpive të 370 familjeve si pasojë e mungesës së çimentos, duke rikujtuar se në sulmet izraelite në vitin 2014 pa shtëpi kishin ngelur 75 mijë persona.
Po ashtu, sipas deklaratës mësohet se afërsisht 40 mijë persona nga sektori i ndërtimtarisë janë ndikuar nga ndalja e punimeve rindërtuese.