Javën e kaluar, Moshe Yaalon zyrtarisht njoftoi dorëheqjen e tij si ministër i Mbrojtjes së Izraelit dhe nga Knesset-i (parlamentit izraelit), raporton Anadolu Agency (AA).
Dorëheqja e tij i hapi rrugën politikanit ekstremist Avigdor Lieberman për t’u emëruar si ministër i Mbrojtjes në vend të tij, në përputhje me marrëveshjen e arritur në mes tij dhe kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje, koalicioni qeveritar i Netanyahut tani ka 67 nga 120 vende në Knesset (nga 61 sa kishte në fillim), ndërsa kreu i partisë së krahut të djathtë Yisrael Beytenu do të kryesojë portofolin e ndjeshëm të Mbrojtjes.
Në një intervistë për Channel 10, ish-kryeministri izraelit Ehud Barak ka kritikuar emërimin e Lieberman-it.
“Ne do të paguajmë një çmim për këtë emërim”, tha ai duke shtuar “Unë lutem që ky çmim të mos jetë i lartë”
Ai shtoi: “elementet ekstremiste kanë marrë në dorë shtetin e Izraelit”.
Khalil Shahin, analist politik palestinez, konsideron se mosmarrëveshjet midis Yaalon dhe Netanjahu filluan në mars, kur ushtari izraelit kishte vrarë palestinezin e pa armatosur 21-vjeçar në qytetin Hebron të Bregut Perëndimor.
“Netanyahu kishte telefonuar familjen e ushtarit dhe kishte shprehur mbështetjen e tij, ndërsa Yaalon tha se ushtari duhet të dënohet”, tha Shahin për Anadolu Agency.