Ja kur do të nis rindërtimi i Xhamisë së Ibrit (FOTO)

Komuna e Mitrovicës, nëpërmjet një komunikate për media ka njoftuar se Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, ka pritur në një takim anëtarët e Grupit punues të Qeverisë së Kosovës për bisedimet me Qeverinë e Serbisë në Bruksel, Edita Tahiri, ministre pa portofol, Arben Çitaku, sekretar i përhershëm i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Rashid Çalaj, drejtor i Operativës në Policinë e Kosovës, me të cilët ka biseduar për situatën e sigurisë në qytetin e Mitrovicës, me theks të posaçëm në rivitalizimin e urës kryesore mbi lumin Ibër, kufijtë administrativ midis dy komunave të Mitrovicës dhe rindërtimin e Xhëmisë së Ibrit, në cepin verior të urës kryesore mbi këtë lum, transmeton Ditori

Pasi që dëgjoi vlerësimin nga kryetari Bahtiri se situata e sigurisë në komunën e Mitrovicës është e qetë dhe pa probleme të theksuara dhe se tani ajo paraqitet më e mirë se në komunat tjera të Kosovës, pasi që ka rënie të vazhdueshme të veprave kriminale, Ministrja Tahiri tha se është e kënaqur me këtë që po dëgjon dhe e përgëzoi kryetarin Bahtiri për punën që ka bërë në këtë drejtim, bashkë me institucionet përkatëse komunale dhe ato në nivel vendi, thuhet në komunikatë.
Ministrja Tahiri tha se sa i përket realizimit të projektit për rivitalizimin e urës kryesore mbi Ibër, ka sinjale të mira nga Brukseli se ky premtim do të nis së realizuara gjatë ditëve të ardhshme.
“Meqë Marrëveshja për rivitalizmin e urës është një marrëveshje trepalëshe, pra në mes të BE-së autoriteteve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, realizimi i saj kërkon përkushtimin dhe angazhimin e sinqertë të të gjitha palëve. Deri tash Serbia ka qenë bllokuese e aktiviteteve në këtë drejtim, por unë shpresoj se kjo çështje do të zgjidhet dhe pres lajme të mira nga Brukseli”, tha ajo.
Në vazhdim Ministrja Tahiri tha se çështja e rivitalizimit të urës mbi lumin Ibër dhe çështja e përcaktimit të kufijve administrativ midis dy komunave, kësaj në pjesën jugore dhe asaj në pjesën veriore, nuk duhet të ndërlidhen, sepse ato janë dy çështje të ndara.
“Fatmirësisht, ne bashkë me kryetarin Bahtiri kemi arritur që ndërkombëtarët të binden në këtë dhe ata e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre, se kufijtë ndërmjet dy komunave janë përcaktuar me pakon e Presidentit Ahtisari, andaj edhe rreth kësaj çështje nuk do të ketë më bisedime”, theksoi ajo.
Lidhur me kërkesën e Bashkësisë Islame për rindërtimin e Xhamisë së Ibrit në cepin verior të urës, ministrja Tahiri tha se kjo është një e drejtë që nuk mund ta mohoj askush, prandaj edhe është e bindur se shumë shpejtë do të vije koha kur edhe do të filloj rindërtimi i saj.
Mirëpo, shtoi ajo, në këtë moment ne duhet të jemi të fokusuar së pari për realizimin e marrëveshjes për rivitalizimin e urës, në mënyrë që ajo të hapet së më shpejt për lëvizje të lirë të të gjithë qytetarëve dhe në të dyja drejtimet, gjë që do të lehtësonte pastaj edhe procesin e rindërtimit të xhamisë aty ku ka qenë, thuhet më tej në komunikatë.
Pas diskutimeve të gjata lidhur me këtë çështje, ku në ndërkohë u përfshi edhe kryemami i Bashkësisë Islame të Mitrovicës, Mulla Asllan Murati, të pranishmit u pajuan që përpjekjet për rindërtimin e xhamisë të fillojnë pasi që të realizohet marrëveshja për rivitalizimin e urës kryesore mbi lumin Ibër dhe pasi që ajo të lëshohet për lëvizje e qarkullim të lirë të qytetarëve dhe automjeteve, përfundon komunikata.
Ndryshe, xhamia e Urës së Ibrit është djegur gjatë luftës së fundit në Kosovë, dhe që nga atëhere edhe përkundër përpjekjeve të shumta për ta rindërtuar atë, ajo ende nuk është rindërtuar për shkak të gjendjes politike në qytetin e ndarë buzë ibrit./Ditori/

Artikulli paraprakBËHEN 18 VJET NGA MASAKRA E RAHOVECIT
Artikulli vijuesARRESTOHET SPECIALISTI I KRYEMINISTRISË SË TURQISË, KOÇYIĞIT