Të zotërosh një pasaportë do të thotë të kesh të hapura dyert për të udhëtuar lirshëm në të gjithë botën, ose të paktën kështu mendon kushdo që e ka një dokument të tillë.
Megjithatë, në disa vende anembanë botës, edhe nëse do të kesh fat mjaftueshëm për të pasur akses në dokumentin e lëshuar nga qeveria e vendit respektiv prej nga vjen, ende të duhet të përballesh me kufizime apo ndalime të lëvizshmërisë së lirshme nga disa vende të tjera.
“Henley and Partners” ka bërë renditjen vjetore, ku rezulton se gjermanët disponojnë pasaportën më të fuqishme në botë, duke pasur mundësinë të udhëtojnë pa viza në 177 shtete nga 218 të mundshëm. Në vendin e dytë renditet pasaporta suedeze, me një vend më pak, ndërsa me 175 vende të lejuara pa pasur nevojën e një vize ndajnë vendin e tretë Finlanda, Franca, Italia, Spanja dhe Britania. Mbajtësit e pasaportës amerikane mund të lëvizin në 175 shtete, numër i njëjtë ky me Belgjikën, Danimarkën dhe Holandën.
Për fat të keq, shqiptarët renditen ende larg vendeve të para, konkretisht me Shqipërinë në vendin e 53-të. Aktualisht shqiptarët mund të udhëtojnë lirshëm në 98 vende të botës, pa pasur nevojën e një vize.
Renditja e bërë nga firma e konsultimeve globale “Henley and Partners”, e cila është e specializuar në planifikimet e çështjeve rezidenciale dhe të shtetësisë, mbyllet me Afganistanit, shtetasit e të cilit mund të lëvizin lirshëm vetëm në 25 shtete në botë.