Ja pse duhet gëzuar për fitoren e Erdoganit në Turqi

Që fitorja e AKP-së në zgjedhjet e parakohshme në Turqi do ngryste shumë fytyra kjo dihej, që lukunia e imituesve të retorikës tejet bajate të kohës së sotme do fillonte të qahej e të gjente gjilpërën në kashtë ishte krejt e pritshme, ama një pjesë e kësaj mase të padruajtur ka shkuar më tutje, duke kërkuar ta quajë blasfemi dhe gëzimin e festimin për suksesin e së dielës të partisë së Davutogllusë.

Qëllimisht e cilësova “partia e Davutogllusë”, sepse kryeministri aktual është kryetari i AKP-së. Çdo përmendje e llojit “partia e Erdoganit” është përpjekje e pastër për stigmatizim. Rexhep Tajjip Erdogani është pamohueshëm strategu i suksesit të 14-viteve të AKP-së, është vetë trashëgimia brilante e kësaj partie që e nxori Turqinë prej balte dhe e ribëri faktor thelbësor global. Por ai sot është president i zgjedhur me votat e popullit, e ka tërë të drejtën të flasë e të thotë po ato gjëra që ai i ka bindje e për të cilat u zgjodh. Mbase edhe të mbajë anë, njëlloj si ç’bën shpesh çdo president tjetër në Europë a gjetkë i zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë. Veçse partia që ai la është trashëgimi e tij, e nuk e ka më atë për kryetar.

Njërit prej të mbeturve keq nga festimet në rrugët e qyteteve të Maqedonisë a të Kosovës, Afrim Krasniqit, nuk i është duruar, dhe brengosjen e tij, të fajshme a të pafajshme, e ka kthyer në analizë, në një shkrim të titulluar, “Adhurimi ndaj modelit të gabuar”.

Dhe ja se çfarë na thotë Krasniqi: që ne nuk festokemi për kandidatët në Britani, Francë, Gjermani a Amerikë, por krejt harrueshëm paskemi festuar tre herë për pushtetin e Erdoganit, për “sundimtarin e Turqisë së sotme”! Të hysh e ta analizosh këtë arsyetim do të thotë të biesh në grackën e ngritur këtu e tërë kohën. Jo, përgjigjja meriton të jepet thjesht, pa komplekse: Çfarë na pengon të festojmë? Mos është gjë e ndaluar?

Quhet paradoks që ende në pjesët shqiptare festohen ngjarjet e ish-perandorisë, e aq më tepër që festohet për modelin krejt të ndryshëm nga ai që la Ataturku, nga modeli i shtetit modern dhe laik! Mos kujton Krasniqi se Ataturku nuk qeverisi me dorë të fortë, nuk e përdori grushtin sa herë që iu desh, se nuk shkeli të drejta?! Ky shtet modern ishte i mbytur në borxhe kur AKP-ja erdhi në pushtet trembëdhjetë vite të shkuara; turqit punonin e paratë dilnin jashtë në formë kamatash. Nuk kishte punë, nuk kishte ujë e drita. Vetë Stambolli rrëzëllitës sot ishte kthyer në një moçal, ku të qelbte era. Grushte shteti, ekzekutime, parti të mbyllura njëra pas tjetrës, shkelje të të drejtave njerëzore e fetare, ushqime me listë… Ky ishte shteti modern e laik!

A s’më thua o Krasniq, meqë e ke aq për zemër termin “demokraci”, në cilin vend demokratik ushtria nuk mban vendin që i takon, në kazerma, por bën politikë e qeveris si do vetë? E pra, në Turqinë moderne e laike të trashëgimisë së Ataturkut ushtria i shtypte kokën çdokujt që guxonte të thoshte diçka, qoftë njeri i thjeshtë a politikan. E di ti që Turgut Ozalin e kanë nxjerrë prej varri ca vite të shkuara sepse familjarët dyshonin se ishte helmuar, e se nuk kishte vdekur për shkaqe natyrore? Prej asaj trashëgimie “qelibare” i kishte ardhur fundi dhe atij me sa duket.

Afrim Krasniqi nuk e quan Turqinë e sotme një model frymëzues demokracie. Sipas tij, gazetarë e përfaqësues të mediave kritike janë në burgje, e se cilësia e besimit te shteti demokratik është dukshëm i cenuar.

Se ç’kupton shkruesi me togfjalëshin cilësi besimi, vetëm ai e di. Veçse diçka do t’i sugjeroja: shihe hartën elektorale turke, e do ta kuptosh cilësinë e besimit të zgjedhësve turq. Aty do ta kuptosh se partia e lënë trashëgim nga Ataturku është një gërmadhë politike, e kthyer në një parti lokale që fiton veçse në disa pjesë të shkëputura të territorit të vendit, e që nuk mund të mbledhë më shumë se 25 për qind të votave për dekada, me gjithë “prapësitë” e Erdoganit!

Në kanë shkuar në burg gazetarë a aktivistë shoqërorë, kjo ka ndodhur për shkaqe të tjera, e jo për shkak të “pushtetit diktatorial”. Një tufë kanalesh televizive, radiofonike, gazetash e revistash prodhojnë pa fund lajme të rreme, sulmojnë Erdoganin e gjithçka tjetër që nuk u shkon sipas midesë, e nuk u futet ferrë në këmbë. Vetëm një fakt po sjell në vëmendje për “paudhësitë” e Erdoganit. Levent Kërxha (Levent Kırca), një komedian që gjithë jetës së vet luajti veç rolin e të dehurit, prej urrejtjes së thellë i kujtoi Erdoganit fundin e Menderesit, duke lënë të kuptohej se dhe ai do të përfundonte i varur në litar. E pësoi prej Erdoganit? Jo, as një qime nuk iu prek! E këputi qafën nga kjo botë jo shumë kohë më parë nga sëmundja, zemërligështuar!

Nuk e di në Krasniqin e ha meraku për modelin e gabuar, apo është indoktrinuar nga fushata e gjerë kundër Erdoganit, e përgatitur dhe e nisur prej kohësh për arsye krejt të tjera nga ato të aspektit parimor. Veç ai duhet të dijë se modeli i sotëm turk është pikërisht modeli i suksesit, i përparimit dhe prosperitetit.

Sa për model të gabuar, është ky i uni, i Shqipërisë, i Maqedonisë dhe Kosovës, i cili qelbet nga maja te këmba, ku shumica është e shtypur, e nëpërkëmbur, e tallur, e pabegenisur, e ku pakica, elita parveny, sundon, vjedh, grabit e nënçmon pa njohur cak. Ky i yni është model i gabuar, ku njëri ikën e tjetri vjen e asgjë nuk ndryshon; e njëjta metodologji, e njëjta uri për pushtet, prona e para, e njëjta dorë e munguar për qytetarin! Modeli i këtyre anëve është i gabuar, ku burgu të pret për një faturë nëse je qytetar i thjeshtë, e ku një grusht njerëzish bëjnë kërdinë pa asnjë prekje ndërgjegjeje.

Prandaj festojnë për AKP-në në Prizren a Tetovë, në Shkup a diku tjetër. Tek pushteti i sotëm në Turqi e gjejnë ngrohtësinë, përkujdesin, mundësinë për ta mbështetur kokën. A thua është kujtuar kush për shqiptarët e Shkupit? Davutogllu u telefonoi që në natën e së dielës! Vetëm prej shtetit turk këta qytetarë nuk ndjehen të përçmuar, por, përkundrazi, të përkëdhelur. A nuk kanë të drejtë të festojnë atëherë?

Tekembramja, pse shqetësohesh kaq shumë o Krasniq? Duhet ta dish se gjallojnë ende njerëz që duan të festojnë fitoren e AKP-së, e jo festën e Halloween-it! Më së paku!

Në e pafsh dhe këtë si blasfemi, aq u bën atyre që festojnë!

 

Bujar M. Hoxha (Te Sheshi)

Artikulli paraprakQipro Veriore: ndalohet ezani i sabahut përmes altoparlantëve
Artikulli vijuesGjaqet që po falen në Kosovë: Anton Çeta quhet sot Fatmir Latifi, “hoxha i pajtimit”