(Përmendje për dijetarin, eruditin, alimin, kolosin e dijes dhe enciklopedistin Shuajb el-Arnauti 1928-2016, 28 tetor, e xhuma)
Në vitet e nëntëdhjeta, dikur kur lexoja më shumë, pata filluar me një shok të lexonim edhe në turqisht se si janë të përkthyera disa nga librat klasike të islamit. Ashtu kur gjeta “Zadul-mead” në turqisht dhe e lexoja hasa në një sintagmë të çuditshme gjatë recensionit të një hadithi ku redaktori turk thoshte për një hadith të caktuar se e kanë vlerësuar “dy vëllezërit shqiptarë”. E dija se ka diçka gabim aty dhe dëshiroja ta vërtetoj me shokun tim, hoxhë Bekir Halimi. Ai më vërtetoi atë që e dija, se bëhet fjalë për dy muhadithët e njohur shqiptarë: Abdylkadër dhe Shuajb El-Arnauti dhe se ata nuk janë vëllezër mes vete. Bile më sqaroi se i pari ishte nga Kosova e i dyti shkodran. Mandej kisha rastin të përfitoj shumë dije nëpërmjet librave, në disa gjuhë, nga këto dy dijetarë të mëdhenj dhe nga shejh Nasiruddin Albani, Allahu e mëshiroftë, të cilin kam patur nder edhe të kontribuoj në botimin e disa librave të tij në shqip; gjë që e konsideroj prej gjërave më të çmueshme në gjithë karierën time. Por as Shejh Albanin e as shejh Abdylkadrin nuk i kam takuar asnjëherë dhe i vetmi prej atyre kolosëve të dijës që kam patur rastin ta takoja e që ma kishte mbushur syrin, zemrën dhe mendjen për gjithë këto tre dijetarë shqiptarë të mëdhenj dhe se në botë kishte ende alimë në kuptimin dhe përkthimin e plotë të fjalës dijetar, ishte Shejh Shuajb el-Arnauti, rahmet i pastë shpirti.
Të parën herë që e takova në Jordan, në vitin 2000, rrugës për haxh, më çoi shoku im hoxha Sedat Shabani dhe pasi do prezantonim edhe në një ligjëratë të shejhut e ne ende nuk kishim falë namazet pasi ishim mysafir, u falëm aty. Seç na dukej se shehu na thotë diçka pas shpine, ne duke u falur. Që mandej edhe ia përsëriti në gjuhë shqipe të kuptueshme Sedatin me të cilin njihej shumë dhe ishte i afërt: he, mos Shejh Albani juve ju ka mësuar kështu namazin?! Më tërhoqi shumë vëmendjen këshillimi i butë ndaj nesh, përmendja aq e fisnikshme e Shejh Albanit nga ana e tij, por edhe distancimi që bëri për shejh Albanin nga ne që mund të kishim bërë namaz shpejtë. Më pas në ligjëratë, jo vetëm që më tërhoqi vëmendjen por edhe më fascinoi me dijen e tij të gjithanshme në fikh, gjuhë dhe letërsi dhe gjithsesi dijen e tij të pamatshme nga ana ime, në hadith. Kur në komentet pas ligjëratës citoi Muhjiddin ibën Arabiu-n, sufiun dhe fliste për jetën e tij rinore në Damask dhe mëhallat me pëllumba unë më i heshtur dhe jabanxhi në atë mexhlis, përtej se i fascinuar u vërtetova në gjerësinë e dijes së këtij dijetari. Kurse ajo që shpesh kishim kërkuar si nxënës të dijes tërë kohës nëpër mësues, dijetarë dhe libra ishte mu gjerësia. Dijetar, shqiptar dhe qytetar ishte kjo përputhje shumë e rrallë.
Herën e dytë takimi me shehun ishte nder dhe mysafirllëk nga profesoresha Besa Ismaili dhe doktor Feti Ahmeti që na kishin ftuar për iftar me shehun në shtëpinë e tyre. Në një kohë kur unë, pa qenë i vetdishëm, kisha patur nevojë të pyes dikë për çështje shumë të holla të dijes dhe praktikës fetare që shumë gjatë në të kaluarën nuk kisha kujt t’ia bëj dhe të cilat përgjigje më shërbyen dhe më ndriçuan shumë në të ardhmen time të mëpastajme.
Prej dje shehu nuk është në këtë botë dhe më mbetet të lus Allahun që t’ia pas bërë kabull mundin e tij të madh për këtë fe. I fascinuar dhe i vërtetuar për dijen e tij të madhe dhe mundin e dhënë në shpërndarje të saj mund vetëm të them atë që ia shkrova zonjës Besa Ismaili-Ahmeti si ngushëllim: lum shehu për vete e lumët ne që e patëm, qoftë edhe kaq.
Tani kanë mbetur librat dhe sigurisht ende ka dijetarë në botë. Por prej dje kjo botë është me një dritë më pak. Pasi si rrallë kush shejh Shuajb El-Arnauti ishte dijetarë i gjerë dhe i plotë, tamam sa të vërtetohemi në thënien “vdekja e një dijetari është vdekje e një të tërë botë”. Të mërzitur plotë, sa për vdekje të një të tërë botë; themi vetëm atë që mund një mysliman të thotë: Të Allahut jemi dhe te Ai do kthehemi!