Që nga mbarimi i luftës dhe ndër vite me marrjen e kompetencave institucionale nga ndërkombëtarët të vendorët, partitë politike që kanë ardhur në pushtet kanë punësuar anëtarët e partive të tyre.
Kjo dukuri është rritur në vazhdimësi. Aktualisht ka një perceptim në Kosovë se po nuk e njohe dike që është në pushtet apo ka ndikim në vendimmarrje nuk mund të punësohesh as rojtar, apo pastrues në institucione shtetërore, e të mos flasim për pozita të larta.
Punësimi i militantëve partiakë në pozita të larta, ka qenë fokus i një hulumtimi të Qendrës Kosovare për Gazetari Hulumtuese – Preportr, e cila funksionon në kuadër të organizatës Çohu!
Sipas këtij hulumtimi, mundësia për punësimin në institucionet shtetërore shpesh nënkupton “miratimin” paraprak nga partitë në pushtet. Pra punësimi i militantëve partiakë që njihet ndryshe edhe si patronazh politik është një dukuri shumë e përhapur në Kosovë dhe që po e dëmton përformancën e shumë institucioneve dhe të vet shtetit.
“Shtrirja dhe konsolidimi i patronazhit politik bëhet kryesisht për qëllime të dyfishta: shpërblim dhe kontroll. Përmes kësaj qasjeje, partitë politike kanë arritur t’i konsolidojnë organizatat e tyre, t’i forcojnë bizneset dhe grupet e caktuara ekonomike dhe të interesit, por edhe t’i mbajnë lidhjet me votuesit e tyre”, thuhet ndër të tjera në hulumtim.
Në kuadër të të gjeturave dëshmohet se vëllimi i punësimeve në institucione publike i individëve me përkatësi partiake është në proporcion të drejtë me fuqinë që partia apo koalicioni qeverisës ka në pushtetin qendror.
Sipas hulumtimit, ardhja e një partie politike në pushtet shpërfaqë menjëherë ndikimin e asaj partie në punësimin e njerëzve në pozita të larta vendimmarrëse. Po sipas hulumtimit të njëjtë të realizuar me 2014 për patronazhin politik, dëshmoi se me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) filloi punësimi i njerëzve të kësaj partie në pozita të larta vendimmarrëse. Kjo dukuri ridëshmohet në hulumtimin e Preportr për periudhën 2015- 2016. Me ardhjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në qeveri, është vërejtur menjëherë se të punësuarit në pozita të larta kanë lidhje politike me këtë parti. Konkretisht, kjo është vërejtur në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, në Ministrinë e Financave, në Ministrinë e Kulturës, e sidomos në ndërmarrjet publike dhe agjencitë e pavarura, ku është shtuar dukshëm numri i atyre që janë punësuar, e që kanë lidhje me LDK-në.
Pas realizimit të një hulumtimi për patronazhin në vitin 2014, Preportr ka ndërmarrë sërish një hulumtim për të parë shtirjen e patronazhit politik edhe për vitet 2015 dhe 2016. Duke përfshirë të dy hulumtimet, të dhënat tregojnë se në periudhën 2010-2016, janë gjithsej 406 zyrtarë të lartë me pozita vendimmarrëse që kanë lidhje me partitë politike.
Databaza online e Patronazhit Politik: http://opendata.cohu.org/sq/patronazhi-politik
Ndërkaq, vazhdimësia e hulumtimit nga Preportr tregon se vetëm në vitet 2015 dhe 2016 janë 116 zyrtarë të lartë që janë punësuar në këtë periudhë kohore dhe që kanë lidhje me partitë politike.
Nga 116 zyrtarë të lartpërmendur, LDK prinë me 48 zyrtarë, pasuar nga PDK me 42, AAK me 8, AKR me 7, LVV me 5, SKS me 2 dhe NISMA, Lëvizja për Bashkim, KDTP, VAKAT me nga një zyrtar.
Të gjeturat e hulumtimit tregojnë se nga numri total prej 116 zyrtarëve që janë evidentuar se janë punësuar në vitin 2015 dhe 2016, rezulton se 61 prej tyre janë të punësuar nëpër ministri. Lidhjet e tyre me partitë politike janë si vijon: 23 kanë lidhje politike me PDK-në, 22 me LDK-në, 7 me AAK-në, 6 me AKR-në ndërsa nga një zyrtar kanë lidhje me NISMA, LVV dhe Lëvizja për Bashkim.
Zyrtarët që i përmendëm më lartë që kanë lidhje me partitë politike janë të punësuar në pozita të ndryshme hierarkike nëpër ministri, prej pozitës së drejtorëve (18), sekretarëve të përgjithshëm, krye shefave e deri të udhëheqësit e departamenteve.
Hulumtimi i Preportr ka evidentuar edhe një dukuri që ka të bëjë me lëvizjen e zyrtarëve të lartë që kanë lidhje me partitë politike, nga njëra pozitë në tjetrën. Siç duket partia politike u është gjendur pranë edhe në rastet kur atyre u ka kaluar mandati ose kanë kërkuar pozitë më të mirë.
Databaza e krijuar nga hulumtimi është publike dhe aty ka mundësi të bëhen filtrime të shumta mbi të gjeturat sa i përket pozitave, institucioneve, përkatësisë politike etj.
Databaza online e publikuar përmban: emrat e zyrtarëve, pozitat e zyrtarëve, data kur e kanë marrë postin, a janë duke punuar ende në ato pozita dhe lidhja konkrete me partitë politike.
Rekrutimi i këshilltarëve politikë
Sipas hulumtimit, një dukuri që është përhapur viteve të fundit ka të bëjë me punësimet e këshilltarëve politikë në pozita të larta, sidomos nëpër ministri. Shumë këshilltarë politik para se të përfundojë mandati i qeverisë apo mandati i ministrave, punësohen si drejtorë të departamenteve apo edhe në pozita tjera të larta.
Preportr ka gjetur janë plotë 26 këshilltarë politikë që ndërkohë kanë marrë pozita të larta përmes rekrutimit me konkurs. Kjo tregon se konkursi për ato pozita shpallet sa për sy e faqe, sepse këshilltarët politikë vetëm ndërrojnë zyrat nga kabineti i ministrave, në zyre të departamenteve të caktuara. Zakonisht ata marrin më së shumti pikë në testime dhe vlerësohen maksimalisht në intervista.
Ligjet nuk ndalojnë punësimet politike
Kuadri ligjor i cili e rregullon punësimin në administratë publike, duke filluar nga sekretarët e përgjithshëm e deri tek ai që rregullon punësimin në agjenci, rregullatorë të pavarur, përfshirë ndërmarrjet publike, duket se nuk e ndalon drejtpërdrejt politizimin e institucioneve publike.
Ndonëse Ligji për Shërbimin Civil, neni 11, specifikon se “pranimi në Shërbimin Civil të Kosovës bëhet në pajtim me parimet e meritës, aftësisë profesionale, paanshmërisë, mundësive të barabarta, mosdiskriminimit dhe përfaqësimit të barabartë, në bazë të konkursit publik dhe pas verifikimit të zotësisë së veprimit të kandidatëve”, megjithatë ky ligj nuk ka arritur ta parandalojë politizimin e administratës publike.
Nga Bashkim Kastrati