Lëvizja Vetëvendosje nga sot ka mbetur me një anëtarë më pak, kjo pasi që Ilir Deda ka zyrtarizuar dorëheqjen e tij nga ky subjekt.
Deda ka bërë të ditur se së shpejti do të formojë një parti të re, mirëpo nuk ka bërë të ditur se kush do të jetë pjesë e kësaj partie.
Telegrafi ka mësuar nga burime të afërta me Ilir Dedën se në mesin e emrave të cilët do t’i bashkohen partisë të cilën do ta udhëheq vetë Deda janë analistët: Besa Luzha, Imer Mushkolaj, Lumir Abdixhiku.
Po ashtu të njëjtat burime kanë bërë të ditur se është e vërtetë që kësaj partie do t’i bashkohet edhe ish- presidentja Atifete Jahjaga.
“Po është e vërtetë që partisë të cilën do ta drejtojë Ilir Deda do t’i bashkohet edhe ish- presidentja Atifete Jahjaga”, ka thënë ky burim.
Ndërkaq, sot në media është përmendur se pjesë e kësaj partie do të jetë edhe Mimoza Kusari-Lila, Vjosa Osmani, e Ramdan Zejnullahu.
Për dallim nga Osmani e Kusari-Lila të cilat nuk kanë dhënë ende ndonjë deklaratë se a do të jenë pjesë e kësaj fryme të re politike, ish-rektori Zejnullahu e ka mohuar një gjë të tillë.
Të njëjtën e ka bërë edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti./Telegrafi/