Jeta dhe vepra e Imam Buhariut

Vitet e tij të para

Imam al-muhadithin Habrat Imam Ebu Abdullah Muhamed ibn Ismail el-Buhariu ka lindur ditën e 13 të muajit islam të Shevalit në vitin 194 pas hixhretit, në qytetin e famshëm Buhara, në tokën “përtej kanalit”, që aktualisht quhet Uzbekistan. Babai i Imam Buhariut, Ismail ibn Mughirah el-Xhafi, ishte një asket dhe muhadith i madh, prej të cilit ai trashëgoi karakteristikat e përkushtimit dhe përsosmërisë letrare. Kur ishte shumë i vogël, i vdiq babai dhe nëna e tij mori përgjegjësinë e plotë për ta rritur atë. Imam Buhariu humbi shikimin në moshë të re. Ai kërkoi ndihmë nga shumë mjekë të njohur dhe të aftë të kohës së tij, por trajtimet e tyre nuk e shëruan atë. Nëna e tij ishte adhuruese e devotshme dhe grua e drejtë. Ajo i kërkoi ndihmë Allahut të Plotfuqishëm për fëmijën e saj dhe i kërkoi që t’ia kthente shikimin. Më në fund “lumi i mëshirës u derdh mbi të” dhe Allahu i Plotfuqishëm e pranoi lutjen e saj. Nja natë në ëndërr ajo i bëri një vizitë Ibrahimit alejhis-selam dhe i thanë: “Allahu ia ka kthyer shikimin djalit tënd për shkak të lutjeve të tua të forta dhe të bukura”. Në mëngjes kur Imam Buhariu u ngrit nga shtrati, në sytë e tij u shfaqën rreze drite.

Arsimi fillor dhe interesi për Hadithin
Kur Imam Buhariu u bë dhjetë vjeç dhe pasi kishte mbaruar arsimin fillor, Allahu i Plotfuqishëm e bëri të interesuar për shkencën e Hadithit dhe ai u pranua në klasën e Hadithit të Buharas. Ai u shkollua pas një studimi shumë energjik. Një vit më vonë ai kishte një kujtesë shumë të mirë për tekstin dhe zinxhirët e transmetimit të Hadithit, saqë ndonjëherë korrigjonte dhe mësuesit. Imam Buhariu po mësonte me shpejtësi dhe kur arriti në moshën 16-vjeçare kishte mësuar përmendësh librat e Abdullah ibn el-Mubarakut, el-Vakit dhe të shokëve të tjerë të ditur të Imam Ebu Hanifes radiallahu anhum.

Vizita në Haramejn dhe fillimi i përpilimit të haditheve të tij
Kur ishte 18 vjeç, ai vizitoi Mekën bashkë me nënën dhe vëllanë e tij më të madh, Ahmed ibn Ismail. Pasi bëri haxhin, vëllai i tij u kthye bashkë me nënën, kurse Imam Buhariu qëndroi atje për t’u shkolluar më shumë. Ndërkaq ai shkroi një libër me titull Kadaja es-Sahabeh ve-Tabiin. Pas kësaj ai shkoi në Medinen e ndritshme për të përpiluar librin e famshëm të esma er-rixhal (emrave të burrave të transmetimit) me titull Tarikh el-Kabir, ndërsa ulej pranë varrit të profetit, salallahu alejhi ue selam, gjatë orëve me hënë. Menjëherë pasi e përfundoi këtë, filloi një seri kopjesh. Muhamed ibn Jusaf el-Furejbi tha se në kohën që ai kishte kopjuar Tarikh el-Kebir, Imam Buhariu ishte ende shumë i ri.

Imam Buhariu udhëtoi në shumë qytete për transmetimin e haditheve dhe përftoi shumë dije, ndërsa qëndroi larg vendit të tij për shumë vite. Ai ka thënë: “Për të kërkuar dije, udhëtova dy herë në Egjipt dhe Siri, katër herë në Basra , kalova gjashtë vjet në Hijaz dhe shkova në Kufa dhe Bagdad shumë herë i shoqëruar nga Muhadithin-ët”.

Kujtesa e tij e fortë
Imam Buhariu kishte kujtesë shumë të fortë. Hashid ibn Ismail thotë se në fëmijërinë e tij: “Imam Buhariu vinte me ne tek dijetarët e Basras, për të dëgjuar hadithet. Të gjithë ne i shkruanim hadhithet, përveç Imam Buhariut. Pas 16 ditësh, e menduam këtë gjë dhe e gjykuam Imam Buhariun duke i thënë ‘ti i ke çuar dëm këto ditë pune, sepse nuk i ke shkruar hadithet’. Imam Buhariu na kërkoi shënimet tona. Kështu ne i morën të gjithë shënimet tona, sipas të cilave imam Buhariu filloi t’i thoshte hadithet një nga një derisa sa na tregoi më shumë se 15 mijë! Duke dëgjuar këto, na u duk se Imam Buhariu po na mësonte sërish të gjitha hadithet që kishim marrë shënim”.

Muhamed ibn Azhar Saxhistani thotë: “Unë shkoja tek Sulejman ibn Harabi i shoqëruar nga Imam Buhariu për të dëgjuar hadithet. Unë i shkruaja, por Imam Buhariu jo. Dikush më tha: “Përse nuk i shkruan hadithet Imam Buhariu?” Unë i thashë: “Nëse nuk arrin të shkruash një hadith, mund ta marrësh nga kujtesa e Imam Buhariut”.

Nëse Imam Buhariu e lexonte një libër ai e mësonte atë përmendësh menjëherë. Në periudhën e parë, gjatë kohës që ai po merrte dije, ai mësoi përmendësh 70 mijë hadithe dhe më vonë kjo shifër arriti në 300 mijë. Nga ky numër, 100 000 ishin sahih dhe 200 mijë jo. Njëherë ai shkoi në Balkh dhe banorët dëshironin që ai t’u thoshte nga një hadith prej secilit prej shehëve të tij. Atëherë ai tregoi një mijë hadithe nga një për çdo sheh.

Sulejman ibn Muxhahid thotë: “Një ditë isha me Muhamed ibn Salam Bejkandin. Muhamed ibn Selam tha: “Nëse do të kishe ardhur më shpejt do të të kisha treguar djalin i cili ka mësuar përmendësh 70 mijë hadithe”. Sulejmani u ngrit dhe shkoi ta kërkonte Imam Buhariun. Pas pak e gjeti dhe e pyeti: “Ti je ai që ka mësuar 70 mijë hadithe përmendësh?” Imam Buhariu u përgjigj: “Kam mësuar më shumë se kaq përmendësh. Unë di vendin e lindjes, vdekjen dhe vendin ku kanë banuar pjesa më e madhe e shokëve të profetit, prej të cilëve janë transmetuar hadithet”.

Intelekti i tij i jashtëzakonshëm
Bashkë me kujtesën e tij të jashtëzakonshme ai kishte gjithashtu një intelekt të mprehtë. Ai nuk mbështetej tek lapsi dhe letra, aq sa mbështetej tek mendja dhe kujtesa e tij. Njerëzit i panë aftësitë e Imam Buhariut në shkencën e hadithit vazhdimisht, por ai mbeti gjithmonë i suksesshëm si rezultat i zgjuarsisë dhe kujtesës së fortë që i kishte dhënë Zoti.

Hafiz Ahmed ibn Adi thotë: “Kur banorët e Bagdadit kishin marrë vesh se Imam Buhariu do të shkonte atje, muhadithinët e Bagdadit vendosën ta testonin atë duke ndryshuar tekstin dhe zinxhirët e transmetimit të njëqind haditheve. Ata bashkuan zinxhirin e një hadithi me tekstin e një tjetri dhe zinxhirin e këtij hadithi e lidhën me tekstin e hadithit tjetër. Në këtë mënyrë ata ngatërruan tekstet me zinxhirët e transmetimit të një qind haditheve dhe ua dhanë njerëzve, të cilët do t’ia thoshin Imam Buhariut.

“Kur Imam Buhariu mbërriti në Bagdad , njerëzit u grumbulluan për nder të tij, ku ishin të pranishëm pjesa më e madhe e ulemave, fisnikëve dhe popullit. Një person u ngrit, sipas planit, dhe bëri një p
yetje në lidhje me hadithin të cilit i kishin ndryshuar zinxhirin e transmetimit. Pas kësaj u ngrit një tjetër dhe tha të njëjtën gjë. Në këtë mënyrë ata i thanë njëqind hadithet dhe pritën përgjigjen e Imam Buhariut. Ai tha se nuk i kishte kuptuar ato hadithe. Kur pa se kishin mbaruar pyetjet, u ngrit dhe përshkroi zinxhirin e transmetimit të hadithit të parë të thënë dhe dha zinxhirin e saktë. Në këtë mënyrë ai dha zinxhirin e saktë të transmetimit për njëqind hadithet. Kur ai mbaroi, gjithë publiku e lavdëroi dhe pranoi epërsinë dhe madhështinë e Imam Buhariut”.

Hafiz Abul-Azar tregon: “Njëherë në Samarkand u mblodhën katërqind muhadithin për të testuar Buhariun, ata e bënë këtë duke përzier transmetimet e Irakut me atë të Sirisë dhe anasjelltas. Në mënyrë të ngjashme ata përzien transmetimet e Haram-it (Mekës) me të Jemenit dhe anasjelltas. Ata ia bënë këtë Imam Buhariut për shtatë ditë, por nuk arritën ta ngatërronin as një herë të vetme. Ai kishte dije të plotë për shkencën e Hadithit. Në atë periudhë asnjë nuk kishte njohuri më të mira për mënyrat e ndryshme të transmetimit, se sa Imam Buhariu”.

Jusuf ibn Musa Maruzi thotë: “Isha ulur në xhaminë kryesore të Basras kur dëgjova një zë: ‘O kërkues i dijes, Imam Muhamed ibn Ismaili ka ardhur. Ai që do të marrë hadithe prej tij, duhet të shkojë tek ai”. Maruzi tha: “Pashë një burrë të dobët pranë një shtylle, i cili po falej me përulje dhe nënshtrim të madh dhe ai ishte Imam Buhariu. Sapo u bë njoftimi, njerëzit kureshtarë nga të gjitha drejtimet nisën të mblidheshin rreth tij”.

Paraqitje e shkurtër e jetës së tij personale
1. Pavarësia:

Babai i Imam Buhariut, Muhadith ismail ibn Ibrahim ishte shumë i pasur dhe Imam Buhariu trashëgoi shumë pasuri. Ai e jepte pasurinë në bazë të partneritetit financues (për shembull nëse një person ka në pronësi një dyqan, përfitimet ndahen për gjysmë, por vetëm njëri partner e bën gjithë punën). Abu Said Bakr ibn Munir thotë: “Një herë Abu Hafs i dërgoi disa mallra Imam Buhariut dhe kur tregtarët e mësuan këtë, ata erdhën dhe i ofruan 5 mijë dërhemë. Ai u tha atyre ‘Ejani në mbrëmje’. Një grup tjetër tregtarësh i ofruan 10 mijë dërhemë, por ai u tha atyre ‘Kam bërë një marrëveshje me një tjetër. Unë nuk dua ta ndryshoj nijetin tim për hir të dhjetë mijë dërhemëve”.

2. Thjeshtësia

Nga ky këndvështrim i karakterit të tij, Imam Buhariu ishte një njeri i thjeshtë dhe punëtor. Ai i plotësonte nevojat e tij vetë. Pavarësisht se kishte shumë pasuri dhe pozitë, ai mbante gjithmonë numrin minimal të shërbëtorëve. Muhamed ibn Hatim Warraq i cili ishte një prej përkrahësve të tij më të mëdhenj, ka thënë: “Imam Buhariu po ndërtonte një bujtinë afër qytetit të Buharas dhe po i vendoste tullat me duart e tij. Unë shkova dhe i thashë ‘Më lejo mua t’i vendos tullat’, por ai u përgjigj: ‘Ditën e Gjykimit kjo do të jetë për të mirën time”.

Warraq vazhdon dhe thotë: “Kur e shoqëronim Imam Buhariun në udhëtime ai na mblidhte në një dhomë dhe vetë rrinte në një dhomë tjetër. Njëherë e pashë Imam Buhariun që u ngrit rreth 15-20 herë gjatë natës dhe çdo herë e ndizte vetë llambën. Ai nxirrte disa hadithe i shënonte dhe pastaj mbështetej në jastëk. Unë i thashë: “Përse e bën gjithë këtë vetëm natën, kur mund të më zgjosh mua (që të të ndihmoj)’. Ai u përgjigj: ‘Ti je i ri dhe ke nevoje të flesh, unë nuk doja të të prishja gjumin”.

3. Bujaria

Ashtu si ishte bujar me pasurinë e tij, ai ishte bujar dhe me zemrën e tij. Ndonjëherë ai jepte për bamirësi 3 mijë dërhemë në ditë. Warraq ka thënë se fitimet e Imam Buhariut ishin 500 dërhemë në muaj dhe ai i shpenzonte të gjitha për nxënësit e tij.

4. Asketizmi (zuhdi)

Imam Buhariu rrinte larg gjithë dëshirave dhe joshjeve të kësaj bote. Ndonjëherë, në kërkim të dijes, ai hante bar të thatë. Zakonisht ai hante dy ose tre bajame në ditë. Njëherë u sëmur dhe mjekët i thanë: “Zorrët të janë tharë sepse ke ngrënë vetëm gjethe të thata”. Atë çast Imam Buhariu u tha mjekëve se kishte ngrënë gjethe të thata për dyzet vjet dhe gjatë kësaj kohe nuk kishte ngrënë asnjëherë ndonjë lloj ushqimi tjetër/mishi.

5. Droja karshi Allahut

Ai ishte shumë i devotshëm dhe i drejtë. Ai i frikësohej shumë Allahut. Ai nuk merrej me përgojime dhe i respektonte gjithmonë te drejtat e të tjerëve. Bakr ibn Munir tregon se Imam Buhariu ka thënë: “Kam shpresë se kur ta takoj Zotin tim, Ai nuk do të më marrë në llogari, sepse unë nuk kam përgojuar asnjëherë”.

Imam Buhariu ishte shumë vigjilent në adhurimin e tij, ai falte nafilet dhe agjëronte shumë. Ai e lexonte gjithë Kuranin për një ditë muajin e ramazanit dhe lexonte dhjetë kapituj të Kuranit natën vonë. Ai e mbaronte Kuranin e shenjtë në teravi dhe çdo rekat lexonte njëzet ajete. Ai ishte shumë i sjellshëm, tolerant dhe i butë. Ai nuk zemërohej asnjëherë nëse keqtrajtohej nga të tjerët dhe kërkonte falje për ata që ia atribuonin atij të keqen. Nëse donte të korrigjonte një person, ai nuk e turpëronte asnjëherë në sy të të tjerëve.

Mbërritja e tij në Nishapur dhe çështja e krijimit të Kuranit
Në vitin 250 pas hixhretit Imam Buhariu vendosi të shkojë në Nishapur. Pasi ky lajm u bë i ditur, u përhap një valë gëzimi mes banorëve. Në atë kohë Muhamed ibn Jahja adh-Dhuhli ishte në krye të zonës me aktivitetet letrar të Nishapurit. Ai i këshilloi dhe i drejtoi banorët e qytetit të mblidheshin për mirëseardhjen e Imam Buhariut. Një turmë e madhe doli në periferi të qytetit për të pritur Imam Buhariun me madhështi dhe respekt. Imam Muslim ibn Haxhaxh ka thënë se gjatë gjithë jetës së tij, ai nuk kishte parë një pritje të tillë për ndonjë dijetar apo për një sundimtar.

Imam Buhariu filloi të jepte mësime për Hadithin në Nishapur. Në çdo seancë vinte një numër shumë i madh
njerëzish për të dëgjuar dhe shumica prej tyre kishin ardhur veçanërisht për të mësuar shkencën e Hadithit. Megjithatë disa njerëz të pakëndshëm ishin ziliqarë për reputacionin dhe popullaritetin e Imam Buhariut. Këta njerëz bënë që Muhamed ibn Jahja edh-Dhuhli të bëhej kundërshtari i tij. Gjatë kësaj ngjarjeje Muhamed ibn Jahja e konsideroi shqiptimin e Kuranit si të përhershëm dhe këmbënguli për këtë koncept.

Njëherë një burrë iu afrua Imam Buhariut dhe e pyeti nëse Kurani ishte i krijuar (mehluq) apo jo i krijuar (gajr mehluk). Imam Buhariu heshti për një çast. Burri këmbëngulte të merrte përgjigjen, atëherë ai i tha: “Kurani është fjala e Allahut dhe ajo nuk është e krijuar (gajr mehluq)”. Burri bëri disa pyetje të tjera për fjalët e Kuranit, për të cilat Imam Buhariu tha: “Veprimet tona janë të krijuara dhe shqiptimi është një prej veprimeve tona”.

Mosmarrëveshja ishte vetëm për shqiptimin (lafz) të Kuranit, jo për fjalët e Kuranit, edhe pse lafz do të thotë gjithashtu “formulim”. Edh-Dhuhli dhe disa të tjerë të afërt me medhhebin hanbelit, gjykuan se shqiptimi është i pakrijuar, po ashtu si Kurani. Të tjerët si Buhariu dhe Muslimi, al-Karabisi, shoku i Shafiiut e të tjerë, e konsideruan shqiptimin të krijuar, përderisa është pjesë e veprimeve të njeriut dhe pa dyshim veprimet janë të krijuara. Nuk kishte asnjë mosmarrëveshje se fjalët e Kuranit nuk janë të krijuara, përderisa ato janë Fjala e Allahut.

Ajo që i pajton dy këndvështrimet e ndryshme për këtë temë, është se lafzi përdoret nga disa njerëz me kuptimin: fjalët e shpallura të pakrijuara dhe përmbajtja e leximit, ndërsa për të tjerët do të thotë: veprimi i shqiptimit, i cili është i krijuar; prej këtu vjen kujdesi i madh i treguar nga disa persona, si Imam Buhariu, i cili nuk tha: “Lafzi është i krijuar”, edhe pse e përdori me kuptimin e dytë, përderisa ai tha: “Lafzi është një veprim i qenieve njerëzore dhe veprimet tona janë të krijuara”. Kjo dykuptimësi leksikore është një dëshmi se ndryshimet për këtë çështje të veçantë ishin kryesisht në terminologji dhe jo për përmbajtjen. Përveç kësaj është dhe një ndryshim rrënjësor për metodën për përshtatjen e kësaj dialektike (kelam), që helmoi ajrin me gjykime të panevojshme nga ana e ndjekësve të imam Ahmedit – Allahu e di më së miri.

Pas kësaj filloi propaganda masive kundër Imam Buhariut, ku iu bënë akuza se ai besonte se fjalët e Kuranit janë të krijuara. Kur Dhuhli i dëgjoi këto fjalë ai i shkëputi lidhjet e tij me Imam Buhariun dhe u bë kundërshtari i tij. Ai filloi t’i paralajmëronte njerëzit se ata nuk duhet të shkonin në leksionet e Imam Buhariut. Si pasojë, njerëzit nisën të mos shkonin në leksionet e tij përveç Muslim ibn Haxhaxhit. Më në fund, për shkak të zhgënjimit të tij, Imam Buhariu u largua nga qytetit i Nishapurit dhe u kthye në Buhara.

Dëbimi nga vendi i tij
Kur banorët e Buharasë u lajmëruan se Imam Buhariu po kthehej në vendin e tij, ata u gëzuan shumë dhe ngritën tenda disa milje jashtë qytetit për ta mirëpritur atë. Ata e pritën me përzemërsi për kthimin e tij. Ai hapi një shkollë atje, ku e kaloi pjesën më të madhe të kohës duke dhënë mësim me kënaqësi.

Edhe këtu kishte njerëz ziliqarë të cilët e shqetësuan, ata takuan guvernatorin e Buharasë, i cili ishte një përfaqësues i Kalifatit Abasit, Halid ibn Ahmedin. Ata i thanë ta thërriste Imam Buhariun në shtëpinë e tij dhe t’i kërkonte që t’i jepte mësim djalit të tij. Kur guvernatori ia bëri këtë sugjerim Imam Buhariut, ai i tha: “Unë nuk dua të abuzoj me dijen. Kushdo që do të mësojë, duhet të vijë në shkollën time”. Guvernatori u përgjigj duke i thënë: “Nëse djali im vjen në shkollën tënde, duhet të bashkohet me njerëzit e thjeshtë. Ti duhet t’i japësh mësim veçmas”. Imam Buhariu u përgjigj: “Unë nuk ndaloj asnjeri nga dëgjimi i haditheve”. Pasi e dëgjoi këtë, guvernatori i Buharasë u zemërua me të dhe mori fetva (vendim) nga ulema oportuniste kundër Imam Buhariut, që ta dëbonin nga qyteti.

Imam Buhariu ishte shumë i shqetësuar nga ideja se do ta largonin nga vendi i tij. Pas një muaji, kalifi i Bagdadit e pushoi guvernatorin e Buharasë, Halid ibn Ahmed adh-Dhuhlin. Guvernatori u përjashtua nga pallati i turpëruar dhe u dërgua në burg, ku vdiq pas pak kohe. Poashtu dhe mbështetësit e guvernatorit vdiqën gjithashtu në mënyra të turpshme.

Vdekja e tij
Pasi u kthye në Buhara, Imam Buhariu vendosi të udhëtojë në Samarkand. Ai ishte akoma shumë larg nga qyteti, kur ai dëgjoi se njerëzit atje kishin dy pikëpamje për të. Prandaj ai vendosi të qëndrojë në një fshat që quhej “Kharteng”. Atje ai bëri lutjen e mëposhtme: “O Allah, toka, pavarësisht nga madhështia e saj, po bëhet e ngushtë për mua dhe po më shqetëson shumë. Prandaj më merr tek Ti”. Pas kësaj lutjeje ai u sëmur. Ndërkaq banorët e Samarkandit dërguan një njeri që ta merrte. Buhariu u ngrit dhe ishte gati të udhëtonte, por e lanë fuqitë. Pastaj filloi t’i lutej Zotit, u shtri në shtrat dhe ndërroi jetë – Allahu e mëshiroftë. Ai vdiq natën e Bajramit, nata e parë e Shevalit në vitin 256 pas hixhretit. Ai ishte 62 vjeç pa 12 ditë. Këtë natë, dielli i dijes së gjerë, virtyteve dhe të mirave, perëndoi. Dija dhe veprimet e tij kishin ndriçuar zemrat dhe mendjet e banorëve të Samarkandit, Buharasë, Bagdadit dhe Nishapurit.

Njerëzit e panë në ëndërr me të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem)
Imam Buhariu e kaloi jetën në kërkim të mënyrës së jetesës së dhënë nga profeti, duke vepruar sipas thënieve të tij dhe duke bërë kërkime në këtë shkencë. Çdo veprim i tij ishte një pjesë e rrugës së të dërguarit. Warraq tha: “Pashë në ëndërr Imam Buhariun duke ecur pas profetit a.s dhe këmbët e tij shkelnin pikërisht aty ku kishte shkelur profeti a.s”.

Farbari ka thënë: “Takova profetin a.s në ëndërr dhe më pyeti: “Ku po shkon?” Unë u përgjigja: “Tek Muhamed ibn Ismail (al-Buhariu)”. Atëherë ai më tha: “Shko dhe bëji selam nga unë”.

Abd el-Wahid ibn Adam Awajsi ka thënë: “Pashë në ëndërr profetin a.s duke ndenjur me një grup nga shokët e tij. E pyeta: “O i dërguari i Allahut, kë po pret?” Ai u përgjigj: “Buhariun”. Pas disa ditësh dëgjova se Buhariu kishte ndërruar jetë. Ai kishte vdekur në atë moment që kisha parë profetin a.s në ëndërr”.

Përfundim
Imam Buhariu nuk ishte vetëm dijetar, adhurues, besimtar dhe njeri i suksesshëm, por ai i frikësohej Allahut në çdo kohë dhe e donte të dërguarin e Tij. Veprat e tij që i dha botës gjatë jetës së tij përdoren edhe sot dhe ndërsa ymeti mysliman kryen veprat e përditshme të adhurimit, ata e kuptojnë rolin e rëndësishëm të Imam Buhariut. Ai i grumbulloi dhe i qarkulloi hadithet e profetit kudo që ishte e mundur dhe Allahu ia zgjeroi pozitën në çdo cep të botës./buhariu.com/kohaislame

Artikulli paraprakSelia e re e “Apple”
Artikulli vijuesStudenti mysliman nderohet pasi ishte bërë shkak per shpëtimin një familjeje në Amerikë