Një stil jete i karakterizuar nga mungesa e jetës aktive fizike është po aq i dëmshëm sa duhani dhe provokon një numër po aq të lartë vdekjesh. Sipas një studimi të publikuar në revistën Lancet, jeta sedentare shkakton 5,3 milionë vdekje në vit. Kjo është ekuivalente me rreth 1 vdekje në 10, e barabartë me vdekjet që shkaktohen nga mosfunksionim i zemrës, diabeti, kanceri i gjirit, kolonës etj.
Studimi, 50% e popullsisë në Shqipëri është mbipeshë
Mungesa e aktivitetit fizik, por edhe rritja e mirëqenies në familjet shqiptare, ka bërë që të dhënat për personat mbipeshë dhe obezë të kapin shifra alarmante.
Sipas studimit demografik dhe shëndetësor në Shqipëri, rezulton se vetëm 46% e meshkujve dhe 58% e femrave kanë treguesit e masës trupore brenda normës së lejuar, ndërkohë që pjesa tjetër paraqesin probleme. Në studim u përfshinë meshkujt dhe femrat e moshës 15-49 vjeç dhe u mblodh informacion mbi gjatësinë dhe peshën e tyre, ndërkohë që pas përpunimit të të dhënave u bënë klasifikime sipas vendbanimit, rajonit, arsimit dhe indeksit të pasurisë. Pas përpunimit të tyre rezultoi se 39% e femrave në moshën 15-49 vjeç në vendin tonë janë mbipeshë ose obese.
Nga të dhënat e studimit rezulton gjithashtu se femrat që jetojnë në rajonin bregdetar paraqesin shifrat më të larta të obezitetit, me 44.5%. Në studim u përfshinë edhe meshkujt dhe nga përpunimi i të dhënave rezultoi se 53,3 % e meshkujve në moshën 15-49 vjeç janë mbipeshë ose obezë. Për sa i përket grupmoshës, moshat 30-39 vjeç paraqisnin të dhënat më problematike, me 69 %.
Sipas një studimi europian, i publikuar në revistën “Preventive Medicine”, tregon se në fundjavë, të rinjtë dembelosen më shumë, duke pasur bashkëpunëtorë të mirë televizorin dhe kompjuterin. Në përgjithësi, një e treta e adoleshentëve shohin të paktën dy orë televizor në ditë, ndërsa në fundjavë ky orar trefishohet. Jeta sedentare nuk ndihmon për një shëndet të mirë, tregon një tjetër studim i kohëve të fundit, i publikuar në revistën “Medicine and Science in Sports and Exercise”, nga i cili del se ekziston një lidhje shumë e ngushtë mes orëve të kaluara para ekranit dhe shëndetit kardiometabolik.
Adoleshentët sedentarë
Të dhënat e reja janë mbledhur në studimin më të madh europian të quajtur “Helena”. Autorët, të udhëhequr nga Juan P. Rey-López i Universitetit të Saragozës, analizuan me kujdes sjelljet sedentare në më shumë se 3200 adoleshentë në dhjetë qytete europiane, mes të cilave Athina, Roma, Stokholmi, Vjena dhe Saragoza. Të rinjve iu kërkua që të tregonin kohën që shpenzonin çdo ditë para televizorit, me videolojërat, gjatë navigimit në internet, përveç asaj që kalonin duke bërë detyrat. Por jo vetëm kaq. Ekspertët vlerësuan edhe disponueshmërinë për kompjuterët, televizorin apo videolojërat në dhomat e gjumit dhe shtëpinë e të rinjve. Nga ky studim doli se në fundjavë, të rinjtë i “përkushtohen” sjelljeve sedentare dhe pajisja e televizionit në dhomë me siguri që nuk të ndihmon.
Meshkujt dhe femrat
Kërkuesit kanë evidentuar edhe diferencën në aktivitetet sedentare që pëlqejnë më shumë meshkujt apo femrat: studimi dhe kërkimi në internet rezultuan “mjeti” i parapëlqyer nga femrat për të kaluar kohën, ndërsa djemtë preferojnë më shumë lojërat elektronike.
Rreziqet
Tashmë është më se e qartë se një stil jetese sedentar nuk i bën mirë shëndetit dhe studimi i publikuar në revistën “Medicine and Science in Sports and Exercise” nxjerr në dritë të tjera fakte, duke treguar për një lidhje të fortë mes orëve të kaluara duke parë televizior dhe shëndetit kardiometabolik.
Në kërkim u morën në konsideratë persona mbi 25 vjeç dhe u monitoruan për pesë vjet. Të dhënat e grumbulluara tregojnë se të gjithë ata që në këtë hark kohor kishin rritur numrin e orëve të kaluara përpara televizorit, kishin filluar të prekeshin nga një sërë patologjish si presioni diastolik dhe tregues të tjerë të të shëndetit kardiometabolik. Gjatë kësaj kohe, shkencëtarët vunë re se presioni i gjakut ishte rritur shumë dhe se ekzistonte një lidhje e fortë dhe e ndjeshme mes tij dhe qëndrimit para ekranit. Fëmijët që shihnin çdo ditë nga 90 deri në 330 minuta televizor kishin një presion gjaku të tipit sistolik dhe se krahasuar me presionin e gjakut kur fëmija bënte një tjetër veprim sedentar (lexim, kompjuter) ai ishte shumë më i ndryshëm. Sipas kërkuesve, bëhet fjalë për një alarm të vërtetë.
Një nga mjekët e grupit të studimit bëri të ditur se koha e përshtatshme dhe e lejueshme e qëndrimit para ekranit është jo më shumë se dy orë në ditë dhe kjo me pushime njëorëshe. Vetëm në këtë kohëzgjatje, ekrani i televizorit nuk do të shndërrohet në një “ekran vrasës”, por do të jetë një mjet zbavitës e edukues. Nëse fëmijët do të abuzojnë me të, si çdo gjë tjetër me të cilën kalohet masa, edhe ai do të jetë joproduktiv.
Ecje për një shëndet më të mirë
Përqindja e të rriturve të cilët e kalojnë pjesën më të madhe të kohës ulur në një karrige është rritur nga 36.8 % deri në 39.9 % në harkun kohor prej pesë viteve.
Pasivitetit është bërë tashmë një pjesë përbërëse e jetës sonë, që nga ashensorët e deri tek telekomandat, që nga makina deri tek pajisjet shtëpiake moderne, duke arritur deri tek furcat e dhëmbëve elektrike.
Jeta sedentare, ose inaktiviteti fizik, është shkaku numër dy i vdekjeve të parandalueshme në Europë, i paraprirë nga pirja e duhanit.
Më mirë do të ishte një stërvitje e mirë, me intensitet të fortë, një orë në ditë, por ecja padyshim që është një fillim i mirë për humbjen e peshës, për t’u kthyer në formë dhe për të përmirësuar shëndetin.
Ekzistojnë të paktën 10 arsye të mira për të ecur, le t’i shohim cilat janë.
1-Ecja parandalon diabetin e tipit 2. Të ecësh 150 minuta në jave dhe të humbasësh 7 për qind të peshës trupore, mund të reduktojë rrezikun e diabetit me 58 për qind.
2-Tek meshkujt ecja forcon zemrën. Shkalla e vdekshmërisë tek burrat në pension që ecin më pak se 1,5 km në ditë është dyfish më e lartë në krahasim me ata që ecin më shumë se 3 km në ditë.
3-Tek femrat ecja forcon zemrën, gratë që ecin tre ose më shumë orë gjatë javës, zvogelojne rrezikun e sëmundjeve të zemrës ose problemet koronare, me 35 për qind në krahasim me femrat që nuk e bëjnë këtë.
4-Ecja i bën mirë trurit. Femrat që ecin me hap normal për të paktën 1.5 orë në javë, kanë një funksion më të mirë njohës në krahasim me gratë që ecin me pak se 40 minuta në 3 javë, dhe kanë një rënie të vogël të njohjes me kalimin e moshës.
5-Ecja i bën mirë kockave. Gratë në postmenopauzë, që ecin rreth 1,5 km në ditë kanë një dëndësi më të madhe kockore në krahasim me gratë që përshkojnë distanca më të shkurtra.
6-Ecja ndihmon lehtësimin e simptomave të depresionit. Të ecësh për 30 minuta, 3 -5 herë në javë për 12 javë, redukton simptomat e depresionit me 47 për qind.
7-Ecja ul rrezikun e kancerit te gjirit dhe të zorrës së trashë.
Grate që ecin me hap të shpejtë për një periudhë kohore duke variuar nga një orë e 15 minuta deri në dy orë në javë, kanë një rrezik të ulet ndaj kancerit të gjirit 18 për qind në krahasim me gratë që nuk janë aktive.
Grate që ecin me hap të shpejtë për një periudhë kohore duke variuar nga një orë e 15 minuta deri në dy orë në javë, kanë një rrezik të ulet ndaj kancerit të gjirit 18 për qind në krahasim me gratë që nuk janë aktive.
8-Ecja përmirëson formën trupore. Ecja vetëm tre herë në javë për 30 minuta përmireson ndjeshëm shëndetin karidovaskular.
9-Edhe shëtitjet e vogla, përmirësojnë formën. Shëtitjet e shkurtra me hap të shpejtë (tre seri ecje nga 10 minuta në dite) sjellin përmirësime në formën fizike, dhe është efektive në reduktimin e yndyrës tupore.
10-Ecja përmirëson shëndetin fizik. Hulumtimet tregojnë se ecja përmirëson të gjitha funksionet fizike, gjendjen e formës fizike, dhe parandalon aftësitë e kufizuara në personat e moshuar.