Josipoviq: Deklarata e Jeremiqit për Kosovën – e pritur

Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviq, tha se deklarata e ministrit të jashtëm të Serbisë në largim, Vuk Jeremiq, për Kosovën, është “ndoshta e pamatur”, duke pasur parasysh funksionin e tij të kryesuesit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Ai u shpreh se qëndrimi i Kroacisë ndaj Kosovës është i definuar me faktin se Kroacia e ka njohur pavarësinë e Kosovës, transmeton rel.
“Ne dëshirojmë raporte të mira me të gjitha vendet në rajon dhe përpiqemi që marrëdhënie të tilla të ndërtojmë edhe me Serbinë”, tha Josipoviq dhe shtoi se “deklarata e Vuk Jeremiqit si ministër, ishte e pritur, sepse e tillë është politika e Serbisë ndaj Kosovës”.
Këto komente zoti Josipoviq i bëri mbrëmë pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, në Brione.
Zyrtari i lartë i OKB-së tha se deklaratën e Jeremiqit për Kosovën do ta komentoj pas bisedimeve me zyrtarët në Beograd.
“Statusi i Kosovës është i rregulluar në kuadër të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërsa deklaratën e Jeremiqit do ta komentoj gjatë vizitës në Serbi, pasi të bisedoj me të”, tha Ban Ki-mun.
Vuk Jeremiq, që është zgjedhur kryesues i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, pat thënë se Kosova në OKB mund të hyjë vetëm nëse ai është i vdekur./Indeksonline/kohaislame

Artikulli paraprakNë Kinë dhjetëra viktima nga stuhia e papritur
Artikulli vijuesLufta detyron sirianët të largohen drejt Libanit dhe Irakut