Lufta detyron sirianët të largohen drejt Libanit dhe Irakut

Në Siri luftimet i kanë detyruar shumë banorë të largohen nga rajoni, drejt vendeve fqinje, si Libani dhe Iraku. Banorët thanë se Damasku ishte relativisht i qetë sot, pas disa ditë luftimesh, gjatë të cilave rrugët e kryeqytetit u mbushën me kufoma. Kombet e Bashkuara njoftuan se që nga dita e enjte rreth 30 mijë sirianë kanë shkuar në Liban.

Luftime të ashpra kanë përfshirë qytetin e dytë më të madh të Sirisë, Alepon, ndërsa mbi 130 persona mbetën të vrarë vetëm ditën e shtunë, ka transmetuar TCH.

Sipas aktivistëve, kryengritësit janë duke realizuar një mësymje për të marrë kontrollin e kryeqendrës së veriut, por forcat qeveritare janë duke bërë një rezistecë të ashpër në pozicionet e tyre brenda zonave urbane.

Aktualisht, luftimet janë përqendruar në lagjet e Salah al-Din, Sakhur dhe Haydariya.

Alepo ishte konsideruar një prej zonave më besnike ndaj presidentit Bashar al-Assad dhe deri më këtë javë kishte gëzuar një qetësi relative, duke vuajtur vetëm përleshje episodike në rrjedhen

e luftës civile të nisur në mars 2011.

Shpërthimi i furishëm i dhunës në vend vjen ndërsa Këshilli i Sigurisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara vendosi shtyrjen e misionit vëzhgues edhe me 30 ditë të tjera.

Në rezolutë përcaktohej se nëse pas kësaj periudhe vëzhguesit do ta kishin të pamundur të realizonin detyrën e tyre, duke verifikuar shkeljen e armëpushimit për të cilin kryengritësit dhe Assad ranë dakord në prill, do të ndodhë tërheqja përfundimtare e misionit.

Megjithatë, gjatë javës, OKB nuk mundi të miratonte masa të forta shtrënguese ndaj qeverisë së al-Assad, pasi Rusia dhe Kina përdorën të drejtën e tyre të vetos, duke bllokuar paketën e sanksioneve.

Më shumë se 18 mijë persona kanë mbetur të vrarë në konfliktin e ashpër sirian deri më sot, ndërsa komuniteti ndërkombëtar nuk ka arritur të ofrojë një zgjidhje për 22 milionë banorët e vendit arab, si rrjedhojë e mosdakordësisë mbi mënyrën e zgjidhjes së krizës./koha/kohaislame

Artikulli paraprakJosipoviq: Deklarata e Jeremiqit për Kosovën – e pritur
Artikulli vijuesTop 10 blerjet më të mëdha dhe më të mira të Google