Çavushogllu: Do të nisen shkarkimet në nivelin e ambasadorëve

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë Mevlüt Çavuşoğlu njoftoi se pas tentativës së grusht shtetit nga Organizata Terroriste FETO do të nisin shkarkimet në nivelin e ambasadorëve të Ministrisë së Jashtme, raporton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu në deklaratën e tij për kanalin Habertürk në lidhje me zhvillimet tha se pas tentativës së grusht shtetit të FETO do të nisin shkarkime edhe në Ministrinë e Jashtme. “Po, do të nisin shkarkime në nivelin e ambasadorëve”, tha ai.

“Personi që kaloi në krye të burimeve njerëzore të personelit në atë kohë, gjithashtu edhe disa persona të cilët kanë punuar nga afër me shokët tanë ministra të asaj kohe, janë persona të cilët kanë organizuar këtë infiltrim në Ministrinë e Jashtme”, tha Çavuşoğlu.

Ai më tej foli edhe për pyetjet dhe përgjigjet e provimit pranues për Ministrinë e Jashtme të cilat i janë dhënë anëtarëve të organizatës terroriste FETO.

“Ministria jonë çdo herë bën një provim klasik, në formë të kompozimit përkthim nga turqishtja në anglisht ose anasjelltas. Ndërsa në provimin me alternativa të shumëfishta janë parashtruar pyetjet më të rënda të historisë së Ministrisë. Edhe përgjigjet e këtyre pyetjeve i janë dhënë këtyre personave. Në këtë mënyrë ka patur infiltrime serioze në ministri. Nga disa institucione me anë të transferimit është marrë personel në ministrinë tonë dhe janë vendosur në disa pika kyçe. Natyrisht njerëzit në këtë proces më lehtë mund të japin informacione. Sidoqoftë ne kemi një punim”, tha ministri i Jashtëm turk.

Çavuşoğlu, duke bërë të ditur se ministria po zhvillon punime të hollësishme për gjetjen e këtyre personave, u shpreh se “Kemi bërë inspektim të tërthortë që të mos ketë padrejtësi. Madje po punojmë në mënyrë shumë të hollësishme që t’i minimizojmë gabimet e mundshme. Duhet të inspektojmë duke i konfirmuar të dhënat nga tre deri në katër persona”.

Sipas tij, ambasadorët që do të largohen nga detyra veçmë ishin në gjendje pasive. “Deri më sot nuk iu është dhënë detyrë, ishin në qendër, dhe të njëjtët i kthyem prapa. Natyrisht, do të ketë edhe disa nëpunës të ulët që do t’i tërheqim nga jashtë. Edhe këta nevojitet gjithshesi të largohen nga ministria jonë”, tha Çavuşoğlu.

“Në të vërtetë, është krim të formohen kuadro në shtet duke i vjedhur pyetjet e këtyre provimeve false. Këta në këtë mënyrë kanë marrë paga nga shteti me vite të tëra. Duhet të nxirret para drejtësisë edhe kjo çështje. Bijtë e këtij kombi punojnë ditë e natë gjatë një apo një viti e gjysmë, kurse këta janë përpjekur të hyjnë pa punuar fare dhe duke i marrë të gatshme pyetjet e provimeve. Sidoqoftë, ne po i shohim të gjithë këta; janë shumë të dobët në njohuri dhe kanë kapacitete të ulëta”, vazhdoi më tej Çavuşoğlu.

Artikulli paraprakFëmijët sirianë kanë një apel: Na kapni si “Pokemon Go”
Artikulli vijuesJuncker: Kthimi i dënimit me vdekje në Turqi bllokon bisedimet për në BE