Junker anulon takimin me Gruevskin. LSDM: Gruevski izolohet nga ndërkombëtarët

0
180

Presidenti i Komisionit Evropian Zhan Klod Junker anuloi takimin me kryeministrin Nikolla Gruevski. Takimi i cili planifikohej të mbahej të enjten, u anulua për shkak të situatës politike në vend, theksojnë nga Komisioni Evropian duke shtuar se Junker e vlerëson si të pafavorshme, që takimi të zhvillohet pikërisht në këtë periudhë krize. 

“Ne kemi qenë në kontakte të vazhdueshme me autoritetet e IRJM-së, e dini se komisioneri Han ishte në shtet më 17-tin, pra ne zhvillojmë kontakte me to, e vetmja gjë që mund të them është se pikërisht për shkak të situatës së tillë në zhvillim e sipër në shtet, mbajtja e këtij takimi nuk është e favorshme pikërisht tani”, tha Mina Andreeva, zëdhënëse e Komisionit Evropian.

Takim i cili nëse do realizohej do të ishte i pari mes kryeministrit Greuvskit me njeriun e parë të Komisionit Evropian Junker, u paralajmërua ditën e premte nga zëdhënësi i Komisionit. 

“Ne kemi publikuar tanimë kalendarin e Presidentit Junker për javën e ardhshme. Të enjten, javën e ardhshme Presidenti Junker do ta mirëpret kryeministrin e IRJM-së Nikolla Gruevski në orën 4”, tha Margaritis Schinas, zëdhënës i Komisionit Evropian.

Megjithatë nga Qeveria sot nuk deshën të komentojnë anulimin e takimit, ndërkohë që Ministri i Jashtëm Nikolla Poposki i cili duhej të ishte pjesë e delegacionit, u shtir kinse nuk e dinte fare që ky takim duhej të zhvillohej të enjten dhe se për herë të parë e dëgjonte nga gazetarët. 

“Jo, jo nuk do të ketë takim të tillë, të paktën në bazë të informatave që posedoj unë. Ne kemi komunikim të përditshëm dhe shkëmbejmë mendime edhe për këtë çështje, por komisioneri Han ishte këtu para pak ditësh, dhe sipas informatave tona nuk mendoj se do të ndodh një takim i tillë, të paktën jo për momentin, që nuk do të thotë se nuk mund të ndodh në të ardhmen”, tha Nikolla Poposki, Ministër i Jashtëm.

LSDM-ja opozitare vlerëson se kryeministri Gruevski po izolohet nga ndërkombëtarët. Ndërsa qëndrimin e Poposkit, LSDM-ja e cilëson si gënjeshtër dhe skandaloze.
  
“Nikolla Gruevski është i izoluar politikisht nga autoritetet ndërkombëtare. Porosia e fundit e fuqishme erdhi nga presidenti i Komisionit Europian Junker i cili sot e anuloi takimin me Gruevskin. Këtu nuk ndihmon as reagimi i turpshëm i ministrit Poposki i cili përpiqet të gënjejë për anulimin skandaloz të takimit të parë mes Junkerit dhe Gruevskit. Është e qartë se heshtja e Gruevskit dhe bashkëpunëtorëve të tij, pas përgjimeve skandaloze, është tmerruese jo vetëm për opinionin vendas por edhe për bashkësinë ndërkombëtare”, deklaroi Petre Shilegov, zëdhënës i LSDM-së.  

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i VMRO DPMNE-së. ‘

“Skenari i LSDM-së është plotësisht i papërgjegjshëm dhe dëmton interesat shtetërore dhe të qytetarëve. Është e qartë se udhëheqësia e LSDM-së kënaqen kur dëmtojnë shtetin. Për LSDM-në nuk janë të rëndësishëm qytetarët dhe interesat e tyre, për LSDM-në e me rëndësi është vetëm dëshira e tyre e pakontrolluar për pushtet”, thuhet mes tjerash në reagimin e partisë së kryeministrit Nikolla Greusvki./Alsat-m