Kandiq: Kam prova që Lubisha Dikoviq është përfshirë në krime lufte në Kosovë

0
248
Aktivistja e njohur e të drejtave të njeriut, Natasha Kandiq, e cila është në gjyq se akuzohet për dëmtim të reputacionit të gjeneralit të Ushtrisë Serbe, tha se ajo kishte prova për të mbështetur pretendimet e saj se ai ishte i përfshirë në krime lufte.
Kandiq, themeluesja e Qendrës për të Drejtën Humanitare, të martën në Gjykatën e Shkallës së Parë në Beograd tha se të gjitha akuzat se shefi aktual i Ushtrisë Serbe, Lubisha Dikoviq ishte përfshirë në krime lufte në Kosovë dhe Bosnjë, të bëra publike në raportin e vitit 2012 të QDH-së, bazoheshin në prova të besueshme dhe te dëshmitarë të shumtë.
 
“Dosja për Dikoviqin bazohet te bisedat me oficerë të Ushtrisë Jugosllave që ishin pjesë e Brigadës së Motorizuar 37, (e udhëhequr nga Dikoviq), si dhe në deklaratat e atyre që mbijetuan dhe deklaratat nga familjarët e atyre që u vranë gjatë bombardimet e NATO-s, kur Brigada e Motorizuar 37 kishte kontroll të plotë të territorit të Glogovcit dhe Skenderajt (në Kosovë, ku ndodhën disa prej krimeve të dyshuara të luftës të përmendura në raport),” tha Kandiq në gjykatë.
 
Ajo tha se QDH-ja përdori gjithashtu edhe dokumentacionin nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, i cili është në dispozicion në faqen e internetit të gjykatës së mbështetur nga OKB-ja, si dhe në raportet e mediave dhe në faqen e internetit të Ministrisë serbe të Mbrojtjes.
 
Dikoviq ngriti një padi kundër Natasa Kandiq dhe QDH-së, të cilën ajo përdori në shkurt të vitit 2013, duke kërkuar dëmshpërblime jo materiale, sepse ai pretendon se nderi dhe reputacioni i tij janë dëmtuar nga akuzat e OJQ-së.
 
Raporti u publikua menjëherë pasi Dikoviq u emërua shefi i Ushtrisë Serbe në dhjetor të vitit 2011.
 
Kandiq tha në gjykatë “ne mendonim se detyra e QDH-së ishte të paralajmëronte publikun dhe institucionet në lidhje me atë që po ndodhte në Kosovë, në rajonin e Drenicës, ku brigada, komandanti i të cilës ishte Dikoviqi, kishte kontroll të plotë gjatë luftës në vitin 1999.
 
Gjatë një seance të mëparshme dëgjimore në shkurt, Dikoviq tha se akuzat e QDH-së ishin të rreme dhe ekipi i tij mbrojtës i dha gjykatës dokumente ku tregohej se ai nuk ishte në vendet ku QDH-ja pretendon se ai ishte gjatë kohës që OJQ-ja thotë se ai ishte atje.
 
Raporti i vitit 2012 i QDH-së fokusohet në përfshirjen e Dikoviqit në akuzat për krime lufte gjatë konflikteve në Kosovë dhe Bosnje, kur ai ishte komandant i Brigadës së Motorizuar 37 dhe Batalionit të 16-të Kufitar.
 
Sipas raportit, si komandant i Batalionit të 16-të Kufitar në vitet 1994 dhe 1995 në Serbi, Dikoviqi mori pjesë në arrestimin e boshnjakëve që erdhën në Serbi në përpjekje për t’i shpëtuar Ushtrisë Serbe të Bosnjës. Boshnjakët e kapur më pas iu dorëzuan forcave serbe të Bosnjës dhe më vonë u ekzekutuan, shkruhet në raport.
 
Raporti gjithashtu pretendon se Dikoviqi mbikëqyri krimet e kryera në zonën nën përgjegjësinë e tij.
 
QDH-ja publikoi një tjetër raport në janar të vitit 2015, duke e akuzuar Dikoviqin se kishte komanduar trupat që sulmuan katër fshatrat në vitin 1999, ku mbetën të vrarë të paktën 69 civilë.
 
Raporti i grupit të të drejtave të njeriut tha gjithashtu se Brigada e 37-të ishte përgjegjëse për largimin e mëvonshëm të trupave nga fshatrat Rezallë, Çikatovë e Vjetër, Zabel i Ulët dhe Gllanasellë, në përpjekje për të mbuluar vrasjet.
 
Raporti më pas u dënua nga presidenti serb Tomislav Nikoliq dhe kryeministri Aleksandër Vuçiq, të cilët thanë se akuzat e QDH-së ishin të liga dhe kishin si qëllim të shkatërronin reputacionin e ushtrisë.
 
Si Dikoviqi ashtu edhe ministri i Mbrojtjes i mohojnë akuzat. Seanca e radhës dëgjimore është më 15 shtator. /Kallxo.com/