Katër incidente të dhunshme në Shkup

Ministria e Punëve të Brendshme informoi se mbrëmë katër të rinj janë lënduar si pasojë e sulmeve fizike në disa pjesë të Shkupit.

Siç mësohet jozyrtarisht sulmet kanë prapavijë etnike dhe se kanë ndodhur midis të rinjve shqiptarë dhe maqedonas. Ato kanë shpërthyer menjëherë pas rrahjes masive që ndodhi mbrëmë rreth orës 19.00 në afërsi të stacionit të autobusëve.

MPB theksoi se ka ndërmarrë masat për zbardhjen e dhunës së djeshme midis të rinjve maqedonas dhe shqiptarë në afërsi të stacionit, ku u demoluan edhe dy autobus urban. MPB theksoi sot se janë ndaluar 11 persona për përfshirje në këtë incident, 7 prej të cilëve siç thuhet janë të moshës së mitur.

Por, pas këtij incidenti kanë ndodhur edhe disa incidente të tjera, me ç’rast tre të mitur dhe një 23 vjeçar janë rrahur në tre lokalitete të ndryshme të Shkupit.

Rreth orës 20.10, në afërsi të Bit Pazarit janë rrahur dy të rinj me inicialet M.A dhe M.K nga Shkup, duke pësuar lëndime serioze. Ata u rrahën nga një grup të rinjsh. Në incidentin tjetër një 18 vjeçar me inicialet J.A nga Batinca është rrahur nga një grup tjetër dhunuesish si dhe incidenti i tretë, ndodhi në Hasanbeg ku një i ri pësoi lëndime nga sulmi me gurë i një autobusi urban. MPB theksoi se ka ndërmarrë të gjitha masat për ndriçimin e këtyre incidenteve të dhunshme. (INA)/kohaislame

Artikulli paraprakSiri: 45 të vrarë në Daraa
Artikulli vijuesSamsung prezanton dy smartfonët e rinj Mega 5.8 dhe 6.3 inç